Mollaj/ Nëna me dy jetimë jetonin në kushte mizerje. Sidrit Bejleri u dorëzon çelësin e apartamentit

May 22, 2020 | 23:52
SHPËRNDAJE

Ekipi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në fshatin Mollaj të Ballshit. Në këtë fshat të largët jeton Edlira Shametaj me dy fëmijët e saj adoleshentë Kreshikun dhe Donaldin.

mimo-768x433

Kryefamiljari ka ndërruar jetë para 6 vitesh në një aksident me makinë. Sot Edlira dhe dy djemtë flenë në një dhomë që më përpara ka funksionuar si tualet. Ndërsa në një dhomë tjetër është kuzhina. Hallet e familjes nuk janë të vogla. Edlira vuan nga epilepsia në një stad të avancuar. Medikamentet nuk i merr për shkak se nuk ka të ardhura të mjaftueshme. Gjatë krizave që e kapin shpesh, tek koka i rrinë dy djemtë e saj që përpiqen ta qetësojnë.

Në këtë dhomë të vogël s’ka hapësire as kushte që djemtë të mësojnë dhe të bëjnë detyrat e shtëpisë. Edlira thotë se djemtë ankohen për kushtet e vështira por ajo është e paaftë tu sigurojë një jetë më të mirë. Në shkollë adoleshentët paragjykohen nga shokët për shkak të varfërisë, fakt që e vuajnë shumë. Edlira përfiton vetëm një ndihmë modeste ekonomike por edhe ajo mezi u siguron mbijetesën madje edhe transportin për në shkollë nuk e përballojnë sot. Veshjet ndonjëherë edhe ushqimet ua dhurojnë fqinjët apo bamirësit.

“ Na u shkatërrua gjithë jeta, vetë jam e sëmurë, kam dridhje kur përmendem nuk mbaj mend asnjë gjë. Nuk kemi asgjë. Po shikoj fëmijët që vuajnë. Nuk kemi as bukë të hamë ndonjëherë. Djali thotë do punoj diku të lëvizim, por si mund të punojë një fëmijë. Edhe në shkollë i shajnë, mërziten atje. Kërkojmë një banesë tu ndryshojë jeta djemve se është shumë e vështirë”,-thotë gruaja.

“Bëhet keq, rrëzohet përtokë, mjeku thotë të marri ilaçet por nuk kemi mundësi, qëkur ka vdekur babi në këto kushte. Shkolla është larg transporti me furgon kushton 15.000 lekë të vjetra në muaj. Aq kemi ndihmën ekonomike në muaj. Jam përpjekur të gjej një punë por këtu nuk kemi asnjë mundësi. Ju kërkoj ndihmë që unë të paktën të vazhdoj shkollën”- shprehet Kreshniku.

Sidrit Bejleri dhe bashkëshortja Meri kanë vizituar personalisht familjen Shametaj dhe së bashku shkojnë dhe futen në apartamentin e ri dhuratë e donatorëve. “Faleminderit shumë gjithë shqiptarëve që ndryshuan jetën e dy fëmijëve të mi, fjalët nuk mbarojnë duke iu falënderuar”,-tha Edlira. “Shkollën e keni afër, na jepni fjalën që do mësoni, do justifikoni gjithë interesin që treguan shqiptarët për ju”,-u tha dy vëllezërve Sidriti.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura