Mohimi i krimeve të komunizmit në Shqipëri

Mar 31, 2018 | 12:09
SHPËRNDAJE

ENRIKETA PANDELEJMONI

Shkak i këtij shkrimi u bë emisioni i djeshëm (dt. 28.3.2018) “Arena” në kanalin televiziv “ORA News”, i cili kishte si tematikë problemin e objektivitetit historik ndaj periudhës së komunizmit. Gjatë emisionit, disa herë historiani medievist Xhufi me një cinizëm e sarkazëm therëse ndaj krimeve të komunizmit hodhi disa argumente, të cilat për 2018- ën tingëllojnë befasuese.

krimet e komunizmit

Së pari, cinizmi ka të bëjë me ofezën që u bëhet atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që vdiqën, u humbën eshtrat dhe kaluan disa vite të jetëve të tyre në burgun e Tepelenës (1949-1953), duke pohuar se është e tmerrshme dhe banalizim krahasimi i Kampit të Tepelenës me Shoah. Së dyti, cinizmi dhe kuraja e Xhufit për të pohuar se, dhe Enver Hoxha ka vrarë shqiptarët, njësoj si De Gaulle ka vrarë 2000 francezë…

Cinizmi, sarkazma ndaj viktimave të komunizmit shqiptar, por dhe ksenofobia e treguar në emërtimin “çifut” ndaj popullit hebre, tregojnë që megjithëse jemi më 2018-ën, pra, në 27 vjet post-komunizëm, ende ka studiues të tillë, që e ndiejnë veten të lirë të shfaqin hapur ndjenjat e tyre raciste dhe ksenofobe pa pasur frikën e ndëshkimit. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh, pasi në Shqipëri nuk është hartuar një ligj për dekomunistizimin e shoqërisë dhe sidomos të institucioneve publike politike dhe atyre akademike nga ish-funksionarë dhe individë, që kanë pasur teserën e PPSH-së. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar më 12.5. 2006, Rezolutën “Për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri”, duke parashikuar në të dhe hartimin e një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri.

Si dhe nxiste fillimin e një fushate për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste, duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një ditë kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeve, përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialëve në nderim të shqiptarëve, që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

Por jemi sot në 2018-ën dhe përballemi me cinizma dhe mohim të së kaluarës kriminale dhe diktatoriale të Shqipërisë komuniste. Të pohosh dhe të përpiqesh të argumentosh me ironi, se kushtet në kampin e Tepelenës “nuk ishin dhe aq të këqija” në krahasim me kampe të tjera, si ai i Maliqit, e konsideroj tejet absurde, por dhe kriminale.

Ç”kuptohet me kushte “jo të këqija”? A ekziston një etalon matës i së keqes për vuajtjet dhe dhunën e ushtruar në kampet e punës, kampet e internimit në Shqipërinë komuniste? Kampi i Tepelenës, nga çfarë ka shkruar Kastriot Dervishi në librin e tij mbi kampet dhe burgjet në Shqipërinë Komuniste apo nga dëshmitë e ish- të internuarve të publikuara nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, te kolana “Zërat e Kujtesës” u sajua si kamp në vitin 1949, në 6 ish-kazermat e ushtrisë italiane, në të cilat të internuarit flinin në kapanone deri në 100 – 200 veta, në dërrasa të vendosura në tokë dhe pa kushtet minimale të higjienës dhe veshur si mos më keq me ca rrecka mbi trup dhe me vetëm 500 gramë bukë në ditë, të detyruar të mblidhnin dru nëpër katundet e Tepelenës.

Ku konsiston e tmerrshmja dhe deri absurdi i krahasimit të këtij kampi me kampin e Aushchwitzit? A mund të krahasohet dhuna në përpjesëtim me numrin e të zhdukurve dhe shumëllojshmërisë së torturave të ushtruara mbi të internuarit e një kampi nga ai i një kampi tjetër? Për shumë dëshmitarë që kanë kaluar vite të jetës së tyre në kampin e Tepelenës, ai kamp dallonte me Auschwitz-in vetëm se në të mungonin dhomat e gazit! Pse janë të tmerrshme përpjekjet për ta krahasuar qoftë dhe simbolikisht kampin e Tepelenës me Auschwitz-in?

Kë ofendojmë në një krahasim të tillë? Pse qenka absurde kthimi i këtij kampi në një muze apo ngritja aty e një memoriali në kujtim të viktimave, ku një pjesë e madhe janë foshnja e fëmijë? Sot, në 27 vjet post-komunizmi, në Shqipëri vihet re një revansh ndaj ish-të përndjekurve dhe viktimave të komunizmit, për të mohuar apo lënë në harresë krimet dhe dhunën e ushtruar gjatë 1944- 1990. Në këto 27 vjet, njerëzit që kanë qenë adultë e dinë ç’ka qenë ai regjim.

Por brezi i të lindurve në fund të viteve ’80-të dhe atyre pas 1991, dinë shumë pak apo kanë informacion tejet të përciptë. Shqetësimi që unë kam është se po kalojmë në amnezi mbi periudhën komuniste dhe po shkojmë drejt harresës kolektive. Duke e lidhur komunizmin thjesht me një memorie turistike, përmes ngritjes së disa muzeve përkujtimorë në Tiranë me efekte promovimin e turizmit mbi të kaluarën komuniste, por që mbetet një njohuri turistike, tejet e cunguar dhe pa objektivitet dhe reflektime shkencore.

Sot shoh një dashje dhe një instrumentalizim të së shkuarës komuniste dhe një justifikim të krimeve, me ironira të tipit “ashtu ka qenë koha”. Përzgjidhen ceremoni publike për të legjitimuar ende narrativat e krijuara gjatë komunizmit, të mbushura me mite e sajesa eventesh historike të krijuara kasten për të justifikuar e glorifikuar atë periudhë dhe atë narrativë historike. Por mbi të gjitha, mendoj se sot nevojitet një reagim më i fortë i atyre institucioneve që janë garantë të Kushtetutës dhe të atyre ligjeve për dënimin e krimeve të komunizmit, si dhe i atyre institucioneve që merren me studimin e krimeve të komunizmit.

Duhet hartuar ligji i dekomunistizimit total i njerëzve që kanë shërbyer në institucionet publike gjatë diktaturës, duke filluar nga anëtari/ anëtarja e thjeshte e PPSH-së deri tek instancat më të larta publike dhe akademike. Këtë e shoh si primare dhe që fatkeqësisht, nuk është bërë. “Mea Culpat” e atyre që kanë bërë krimet apo i justifikojnë ende ato, është e kotë. Sot kemi nevojë për të çuar në gjykatë autorët e krimeve dhe të mos tolerohet asnjë deklaratë justifikuese e periudhës komuniste.

*Pedagoge në Universitetin e Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura