Mogherini bën bashkë Thaçin e Vuçiçin, çfarë ndodhi në takimin në Sofje

May 16, 2018 | 19:21
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se me të arritur në Sofje, për Samitin e Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.ttt_1526490352-2496797

Ka thënë se me Mogherinin ka biseduar për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit, si dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Thaçi ka thënë se me Mogherinin ka biseduar edhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Sa i përket takimit me Vuçiqin, Thaçi ka thënë se janë pajtuar që faza përfundimtare e dialogut të fillojë në një të ardhme të afërt.

Për këtë Thaçi ka thënë se “është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB”.

Takimin Thaçi e ka quajtur dëshmi të përkushtimi të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë.

Njoftimi i plotë i Thaçit:

Sapo kam arritur në Sofje, ku takimin e parë e kam zhvilluar me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.

Me të kemi biseduar për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin historik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe fqinjëve tanë.

Kemi folur për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur këtë vit të lirë në zonën Shengen.

Me zonjën Mogherini, po ashtu biseduam për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Me këtë rast, me iniciativën e zonjës Mogherini kam zhvilluar një takim të përbashkët me të dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

U pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë.

Prandaj, është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB.

Ky takim është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë, vetëm një ditë para fillimit të Samitit në Sofje. HTH 

Express

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura