Modernizimi i shtetit përmes inovacionit

May 16, 2015 | 12:44
SHPËRNDAJE

MILENA HARITO

   Nisma jonë për organizimin e Javës së Inovacionit këtë vit të dytë kanalizoi shumë energji, shumë më tepër sesa e mendonim ne në fillim dhe, për këtë arsye, hapja zyrtare u parapri në fundjavën e kaluar nga disa aktivitete të organizuara, pavarësisht nesh. Në kuadër të kësaj jave, nga komunitete dhe grupe të ndryshme interesi, si Forumi i Ekonomisë Kreative në Durrës, Konferenca e Komunitetit Open Source, e cila mblodhi në Tiranë mbi 500 të rinj nga Shqipëria dhe nga rajoni si modeli më i mirë i bashkëpunimit rajonal pa kufi, si dhe TEDx Tirana me temë “Youth and Innovation” mbrëmë, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të z. Roberto Saviano, ku morën përsëri pjesë me qindra vetë, shumë prej tyre të rinj, dinamikë, entuziastë dhe të hapur. Rini, që ka fytyrën e së ardhmes dhe që duhet të tërheqë me vete drejt progresit gjithë shoqërinë, pa u dekurajuar nga pengesat e pashmangshme që do t’i dalin rrugës.
Ndërkaq Panairi “High Tech Show”, i cili me guxim u organizua për herë të parë, mblodhi në të njëjtin vend nismat më të mira inovative të sektorit publik dhe privat.
Në mbylljen e Javës së Inovacionit 2014, angazhimi im ishte që këtë vit do të bënim bilancin krahasues midis projekteve dhe dëshirave tona të shpallura para një viti dhe atyre që kemi arritur të bëjmë realitet. Dhe ky është momenti për të parë se çfarë është realizuar nga qeveria në këto 18 muaj, jo vetëm me përkushtim dhe vullnet, që është i domosdoshëm, por edhe duke i dhënë një prioritet real inovacionit. Për këtë më lejoni të kujtoj katër shtyllat në të cilat mbështetet vizioni ynë për modernizimin nëpërmjet teknologjisë dhe ku jemi sot me secilën prej tyre.
Për ne, modernizimi i shoqërisë mbështetet në radhë të parë në modernizimin e shtetit dhe të qeverisjes, që duhet të luajë rolin e vet si lokomotivë për gjithë shoqërinë; në rritjen e aksesibilitetit për gjithë shoqërinë, që do të thotë një mbështetje reale e sektorit të telekomunikacionit dhe ndodhet këtu me ne kryetari i Entit Rregullator të Komunikimeve Elektronike; në rritjen e kapaciteteve të të rinjve nëpërmjet arsimit dhe më tej në fuqizimin e të gjitha kapaciteteve të shoqërisë për të sjellë punësim dhe zhvillim në këtë sektor, që është sektori i së ardhmes për rininë.
Në fushën e teknologjisë dhe informacionit në qeverisje dhe në sistemet shtetërore do të flas me shifra. Burimet njerëzore janë më shumë se trefishuar. Pra, burimet që qeveria ka vendosur në agjencitë e inovacionit janë më tepër se trefishuar dhe investimet publike më tepër se dyfishuar për këtë vit. Kemi krijuar një fond të përqendruar të centralizuar, por edhe konkurrues në të cilin të gjitha institucionet shtetërore vijnë dhe paraqesin projektet e tyre, për të orientuar investimet e tyre aty ku janë më të nevojshme, por edhe atje ku ka më shumë përkushtim dhe dëshirë për realizimin e tyre dhe është diçka që po funksionon shumë mirë, me shumë sukses.
Në shtyllën e dytë që është përmirësimi i aksesibilitetit dhe mbështetja e sektorit të komunikimeve elektronike mund të themi që po kalojmë nga interneti 3G, në 4G dhe sapo janë dhënë licencat e para, duke marrë me këtë rast mbi 20 milionë euro për buxhetin e shtetit dhe shpresojmë që përmes një procesi, që është mjaft i ndërlikuar, të vijojmë më tej me këtë teknologji shumë të kërkuar nga operatorët e telekomunikacionit.
Për teknologjinë e informacionit në arsim, e cila është shtylla e tretë, pra rritja e kapaciteteve të rinisë, po vëmë në jetë zotimin tonë që është pajisja e nxënësve të shkollave të mesme me tablet dhe me kurrikula për të mësuar me E-learning dhe projekti ka filluar në 16 shkolla dhe do të zgjerohet më tej. Kemi ndërmarrë dhe një nismë shumë interesante, të cilën mund ta përshkruajmë më pas në stendat për krijimin e Wikipedia-s nga vetë nxënësit e shkollave të mesme. Ka nisur në qarkun e Kukësit dhe do të shtrihet në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Është diçka që i tejkaloi parashikimet tona, sepse vetë nxënësit kanë krijuar një sasi informacioni të jashtëzakonshëm për qarkun e tyre dhe mësuan ta hedhin atë vetë në Wikipedia.
Dhe shtylla e katërt, që është ndoshta dhe më e komplikuara, nxitja e inovacionit dhe e teknologjisë në sektorin privat, sepse gjithë ekonomia jonë dhe gjithë shoqëria jonë kanë shumë nevojë për modernizim dhe rritje të produktivitetit, sepse rinia ka nevojë të orientohet dhe të punësohet aty ku është e ardhmja. Sapo kemi krijuar një HUB, që quhet edhe godina e inovacionit, ose do të doja ta quaja edhe Smart Albania, të cilën sapo ta kemi riformatuar, shumë shpejt, brenda pak muajsh do t’ju ftojmë ta vizitoni.
Një sërë komunitetesh aktive janë organizuar në Shqipëri dhe në hapësirat shqipfolëse edhe në rajon, të cilat po përpiqemi t’i ndërlidhim, t’i fuqizojmë për të krijuar punësim për rininë dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë Javës së Inovacionit 2015, për këtë arsye, një vend të veçantë zunë aktivitetet për të rinjtë e talentuar në fushën e teknologjisë dhe kishim jo më pak se tre të tilla: Konkursin Challenging Europe, ICT Awards, që është tashmë një traditë e mirë dhe këtë vit patëm dhe disa çmime të veçanta dhe Start UP Live Tirana.
Ndërkohë, edhe sektorë të tjerë të ekonomisë, sepse siç e thashë gjithë sektorët e ekonomisë, pavarësisht sektorit shtetëror duhet të vazhdojnë të inovojnë në mënyrë të vazhdueshme, kanë aktivitetet e tyre të dedikuara. Për këtë, me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë organizuam një konferencë për inovacionin në sektorin bankar dhe shërbimet e reja në sektorin bankar dhe sidomos diçka që ne e kishim shumë për zemër, që janë pagesat me celular për atë pjesë të popullsisë që nuk ka llogari bankare. Është një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm për të futur në ekonominë formale dhe në ekonominë moderne të gjithë ata që nuk ishin akoma pjesë e saj dhe kjo është diçka që ka mundësinë të ndryshojë faqen e disa zonave më pak të zhvilluara ekonomikisht. Ndërsa ditën e shtunë, një tjetër takim që e kemi quajtur “Smart Cities” në Lezhë, për shërbimet në nivel lokal dhe rolin shumë të rëndësishëm të tyre në zbatimin me sukses të reformës territoriale.
Pra, në këta 18 muaj, inovacioni ka qenë një ndër kryefjalët e përpjekjes sonë për modernizimin e shtetit; së pari, si një mjet për të rritur efikasitetin në punë të të gjithë administratës, duke futur sistemet e dixhitalizuara për të lehtësuar proceset e punës, për të kontrolluar dhe monitoruar rezultatet dhe këtu do të keni plot shembuj për këtë gjë dhe për të luftuar sigurisht korrupsionin, që mbetet një gangrenë e shoqërisë sonë, por edhe në përgjithësi e shoqërive në zhvillim.
Këto që kemi bërë ne në një vit, mund të duken shumë, por po të shohim ritmin me të cilin ecën bota, mua personalisht sidoqoftë më duken pak. Bashkimi Europian, në stadin e zhvillimit ku ndodhet aktualisht, e ka një ndër katër prioritetet e veta tregun unik dixhital dhe gjithë projektet e lidhura me të. Gati 1 milion vende vakante do të jenë në teknologjinë e informacionit në Bashkimin Europian në 5 vitet që vijnë dhe këtu universitetet tona duhet të bëjnë një punë shumë më të madhe që të përgatisin rininë për të qenë pjesë e këtij tregu.
Ato që quhen Big Data, ose të dhënat masive, që shkojnë që nga të dhënat që mblidhen nga telefonat tanë, nga kartat tona bankare, nga vozitjet tona në internet, të gjitha këto të dhëna janë një pasuri shumë e madhe që po përdoret sot nga sektori privat në të gjithë botën dhe, në këtë pikë, bizneset tona private duhet të vijnë me më tepër propozime për modernizimin e sektorit shtetëror, por edhe sektorit privat. Kjo është e ardhmja dhe fati ynë është që ta përqafojmë teknologjinë në variantin e saj të fundit, pra të ecim me hapa më të shpejtë.
*Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura