Modeli i liderëve të rinj, trajnime te “Luarasi”. Bushati: Të rinjtë ekselentë, aset për Shqipërinë e së nesërmes

Jan 21, 2020 | 9:38
SHPËRNDAJE

Në universitetin “Luarasi” nuk zhvillohen vetëm leksione e seminare, por edhe trajnime të veçanta për të formuar përveçse profesionistë të aftë, edhe liderë të së ardhmes.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati

Përmes një prej partnerëve të saj, “McCain Institute”, të rinjtë e “Luarasit” janë bërë pjesë e një sesioni trajnimesh me temë “Lidershipi në politikë”, ku politikanë nga kahe të ndryshme politike shpalosin eksperiencat personale, pa u ndalur në platforma politike apo partitë ku aderojnë.

Përgjatë dy javëve të fundit, në auditorët e “Luarasit” referuan Ditmir Bushati, ishministër i Jashtëm i Shqipërisë, i dërguari special i vendit tonë në OSBE aktualisht, si dhe Belind Këlliçi, kreu i forumit rinor të Partisë Demokratike dhe anëtar i Kryesisë së PD-së.

Anëtari i “McCain Institute”, Dervishi me kreun e FRPD, Këlliçi, gjatë leksionit me studentët e “Luarasit”
Anëtari i “McCain Institute”, Dervishi me kreun e FRPD,
Këlliçi, gjatë leksionit me studentët e “Luarasit”

Dael Dervishi, anëtari i “McCain Institute”, që ka iniciuar “Lidershipi në politikë”, shpjegon se përse iu shërben ky cikël leksionesh të rinjve që sapo kanë nisur një prej rrugëtimeve më të rëndësishme në jetë. “Ky program trajton me shumë kujdes mënyrën se si ngrihet lideri, vlerat e rëndësishme që ai duhet të ketë, me qëllim që të fitojë besimin e njerëzve”.

TRAJNIMET

Ashtu si në gjithë botën, teknologjia do të shndërrojë shumëçka edhe në vendin tonë, që nga mënyra se si të rinjtë do të mësojnë gjërat, tregu i punës, që i pret në të nesërmen e afërt e deri te klima politike. Pikërisht kjo, për të deleguarin e vendit tonë në OSBE, Ditmir Bushati, do të jetë sfida kryesore për brezin e ri.

“Sfidat janë nga më të ndryshmet. Sot jetojmë në një botë që është e ndryshme, për shkak edhe të ndërlidhshmërisë së zhvillimeve teknologjike. Kjo e fundit do të ketë një ndikim shumë të madh, për sa i përket tregut të punës dhe do të arrijë ta ridimensionojë atë. Nevojitet një brez të rinjsh të shkolluar dhe të përgatitur për sfidat me të cilat shoqëria përballet. Një pjesë e këtyre zhvillimeve ndikojnë drejtpërdrejt edhe në klimën politike. Ndikojnë gjithashtu edhe në tregun e punës”, thotë ish-ministri i Jashtëm, duke shtuar se e vetmja rrugë për t’u përballur me dinjitet e fituar betejën me teknologjinë që po ecën me hapa galopantë, janë të rinjtë me rezultate të shkëlqyera, të cilët i sheh si një aset për vendin. Si përfaqësues i forumit më të madh të të rinjve të djathtë, Belind Këllçi, në fjalën e tij para studentëve, u ndal te modeli i ri i liderit që i nevojitet Shqipërisë. Për të, nuk ka rëndësi nga vjen ai. Mjafton të bazohet mbi disa vlera, të cilat i përmbledh në një fjali. “Është shumë e nevojshme që të rinjtë të adaptojnë sot modelet më të mira të lidershipeve, qoftë europiane, qoftë botërore, për të bërë të mundur që të rikthejmë një model ndryshe në Shqipëri, ku gjithçka bazohet mbi vlerat, mbi suksesin, mbi parimet themelore, mbi më të mirët, mbi kompeticionin, mbi garën, mbi dijen”.

Në hapësirën e diskutimit me studentët e “Luarasit”, Këlliçi apeloi të rinjtë të jenë kurajozë, të ngrenë zërin, si dhe të luftojnë për të drejtat dhe të ardhmen e tyre. Cikli i leksioneve në kuadër të këtij programi nuk mbyllet me kaq. E ftuara e radhës do të jetë ishministrja e Integrimit, ishdeputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura