Modeli ekonomik për zhvillim afatgjatë

May 24, 2018 | 10:10
SHPËRNDAJE

perparim-spahiu-1-c1200x600spahiu

PËRPARIM SPAHIU

Fondi Monetar Ndërkombëtar bën me dije së fundmi se qeveria nuk ka mundur të mbajë angazhimet për uljen e borxhit publik. Fondi parashikon që goditjet makrofiskale që vijnë nga rritja e ngadaltë, inflacioni i ulët, paqëndrueshmëria e normave të interesit dhe kushtet e tregtisë, mund ta çojnë detyrimin publik në 80 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, para vitit 2023.

Pra, siç shihet, ajo që qeveria, prej pesë vitesh, ka pasur si flamur të politikave të saj, uljen e borxhit në 60 %, sot duket e pamundur dhe e dështuar. Ulja e borxhit do të mundësohej nga:

– Rritje e mëtejshme e taksave dhe tatimeve, kërkesë kjo dhe e FMM (personalisht jam kundër, pasi vazhdojmë te jemi vend me evazion të lartë dhe çdo rritje do kishte efektin e kundërt, siç ndodhi me rritjen e tatimfitimit, si dhe uljen e mëtejshme të konkurrueshmërisë në rajon. Jemi vendi me barrën fiskale më të lartë).

– Uljen e shpenzimeve dhe investimeve direkte.

– Rritje ekonomike, rritje e shërbimeve dhe prodhimit në vend (PBB).

Unë nuk po ndalem në dy të parat, pasi janë dy çështje që në shumicën e rasteve trajtohen politikisht, në bazë të orientimeve të veçanta që parti të ndryshme politike synojnë të bindin elektoratet e tyre që të votohen. Besoj fort që vendi ynë ka kapacitet të pashfrytëzuar, sa i takon një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, afatmesëm, por dhe afatgjatë. Shqipëria e ka të bazuar ekonominë e saj tek aktivitetet e shërbimeve dhe të tregtisë. Pesha e sektorit pa një rritje të shpejtë, pas viteve 1990 dhe aktualisht, zë 52% të strukturës së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Mbi 85% e ndërmarrjeve operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe sektori ka të angazhuar 57% të fuqisë punëtore në vend. Linja e tregtisë dominon sektorin, ku tregtia e automjeteve dhe pasurive të paluajtshme kanë peshën më të madhe në PBB, me rreth 7% secila. Pavarësisht zhvillimit spontan të deritanishëm, vendi i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në rrugë të mbarë dhe të shfrytëzojë përparësitë krahasuese që i ka falur natyra (klimën, pasuritë natyrore, pozicionin gjeografik) dhe ato njerëzore (forcën e arsimuar dhe me njohje të gjuhëve të huaja).

Dobësitë strukturore, si eksportet e padiversifikuara dhe me vlerë të ulët të shtuar, mungesa e kompanive të sofistikuara, duhet të kthehen në avantazhe përmes vizionit afatgjatë. Shqipëria ka mundësi të zhvillojë eksportin e shërbimeve të teknologjisë së informacionit, shërbimet e të cilave janë më të paguarat. Vendet e rajonit po injektojnë në ekonomitë e tyre miliona euro nga zhvillimi i eksportit të shërbimeve të IT dhe industrisë automative, por Shqipëria ende mbetet e nënzhvilluar, edhe në këtë aspekt, për shkak të trupës së kufizuar të burimeve njerëzore që iu duhen gjigantëve botërorë të IT-së. Shërbimet sociale me fokus kujdesin për të moshuarit shihen me perspektivë për rritjen e vlerës së sektorit.

Në shërbimet mjekësore, Shqipëria shihet avantazhuese, për shkak se Universiteti i Mjekësisë nxjerr burime njerëzore konkurruese me vendet europiane. Bujqësia, dikur e lënë pas dore, është kthyer sërish në vëmendje të sipërmarrjeve dhe po tërheq investime të shumta, por ka nevojë për orientim dhe investime drejt ciklit të mbyllur, ku mbështetja e shtetit mbetet parësore. Industria e nxjerrjes së naftës dhe mineraleve ka dëshmuar deri tani të ketë qenë peng i kontratave koncesionare, të hartuara keq, që kanë sjellë pak vlerë të shtuar për vendin, që është i bekuar nga burime të shumta natyrore. Për më tepër, koniunktura e pafavorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare e zbehin më tej rolin e këtij sektori në ekonomi.

Teksa rajoni po amortizon luhatjet e çmimeve të naftës, duke u diversifikuar drejt industrisë, kryesisht asaj të automjeteve dhe produkteve mbështetëse të saj, Shqipëria, të paktën në afatin e mesëm, nuk e kap këtë ritëm për shkak të mungesës së burimeve njerëzore të përshtatshme. Më shumë shanse ka diversifikimi i Call Center-ave, përtej thjesht thirrjeve telefonike, por duke ofruar për të tretët, edhe shërbime profesionale me vlerë të shtuar më të lartë, si ato informatike apo financiare. Infrastruktura dhe energjia mbeten prioritete të përhershme strategjike, që mund ta kthejnë vendin në një nyje rajonale. Shanset për zhvillimin e turizmit janë zbehur pas masakrës në një pjesë të madhe të bregdetit, megjithatë ai vijon të mbetet prioritet, sidomos e kombinuar me turizmin ushqimor.

EKSPORTET

Në Shqipëri, shitja e produkteve natyrore ka dominuar. Ndonëse pesha e këtyre produkteve, që kryesisht janë pasuri natyrore, në eksporte është e lartë, kontributi i tyre në ekonomi është minimal, sidomos në drejtim të të ardhurave buxhetore. Bazë është renta minerare, ndërsa sa i takon tatimfitimit, ai është minimal pasi shumë kompani deklarohen me humbje ose fitime të pakta. Tekstilet dhe këpucët janë një tjetër grup i rëndësishëm, që siguron 40% të eksporteve në 2017, duke pasur si avantazh kryesor koston e lirë të punës.

Dukshëm kjo industri ka qenë e rëndësishme për punësimin e shtresave të varfra të shoqërisë. Në total, shitja e pasurive dhe krahut të lirë të fuqisë punëtore na siguron rreth 80% të eksporteve. Ajo që duhet bërë!

– Mbyllja e ciklit të plotë të prodhimit të këpucëve dhe veshjeve, gjë e cila do të krijonte hapësira të reja për biznes (vetëm prodhimi i këpucëve do të aktivizonte 50 linja të reja prodhimi aksesorësh për prodhimin e saj).

– Lobimi për tërheqjen e industrisë automative.

– Fokus mbi orientimin e shërbimeve nga vlera e shtuar si: shërbime IT, shërbime konsulence dhe ato shëndetësore.

BUJQËSIA

– Sektor potencial ai i fruta-perimeve. Përpunimi dhe gjithë zinxhiri i vlerës së shtuar i lidhur me sektorin.

– Paketë më e mirë ligjore mbi tokën bujqësore dhe ligjin mbi kooperativat ose shoqatat bujqësore.

Kjo do të rriste shumë ekonominë e shkallës në bujqësi e, si rrjedhojë, rritje më të madhe në ekonomi. Certifikimet ndërkombëtare dhe adaptimi i teknologjive bujqësore bashkëkohore. Financimi të adresohej më shumë në infrastrukturë si dhe krijimin e garancive për bankat në kreditimin e sektorit. Subvencionimi nuk ka pasur rezultatet e dëshiruara.

Në rajon edhe më gjerë, mund të hasim me plot modele të suksesshme ekonomike, në plan afatmesëm apo afatgjatë. Çelësi i suksesit të një programi ekonomik, mbetet padyshim vullneti politik. Në rastin e Shqipërisë, nuk mungojnë as idetë dhe as modelet inovative ekonomike. Thjesht, kemi një qeveri të paaftë për të adresuar vendin në një ekonomi jo vetëm me rritje, por dhe konkurruese në rajon e më gjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura