“Moçal” kuqezi, Islanda na bën qull

Oct 13, 2012 | 13:51
SHPËRNDAJE
Nga ndeshja e mbremshme Shqiperi-Islande 1-2

Shqipëria humbet në “Qemal Stafa”, gafa të mbrojtësve te goli i parë.

Terreni i rënduar i shkoi për shtat ekipit të Lagerbakut.

Islanda na bën “qull” në shtëpi, teksa mposht Kombëtaren shqiptare me rezultatin 1-2, në një ndeshje ku kuqezinjtë e De Biazit iu kthyen gafave amatore në mbrojtje.  Shiu që nuk pushoi gjatë gjithë sfidës në stadiumin “Qemal Stafa” u shkoi më shumë për shtat nordikëve. Edhe pse Shqipëria kërkoi me të gjitha mënyrat për të fituar takimin, madje duke kaluar edhe në aventurë (me tre sulmues të mirëfilltë në fushë), në fund u ndëshkua nga një goditje standarde, ku ndoshta të gjithë në stadium prisnin një reagim më të mirë të portierit Ujkani. Dje skuadra e De Biazit nuk arriti të bëjë të madhen ndaj të ashtuquajturave ekipe të vogla (trajneri kishte thënë përpara ndeshjes se ekipi i tij duhet të sillet si i madh kundër Islandës) dhe kësisoj u dorëzua në një takim ku edhe fatin nuk e kishte me vete. Dy humbje radhazi dhe vetëm një fitore është bilanci i tri ndeshjeve të para, por kur mposhtesh në shtëpi nga një ekip si Islanda, sigurisht që djeg shumë. Trajneri De Biazi i druhej Islandës dhe këtë e kishte paralajmëruar, por të besuarit e tij u ndëshkuan pikërisht nga një aksion, për të cilin kishin punuar në stërvitje gjatë gjithë javës për të ndalur kundërshtarin. Nga ana tjetër, ekipi i trajnerit Lars Lagerbak, edhe pse ndoshta do të ishte i kënaqur me një barazim, arriti të sfidonte Shqipërinë për mënyrën e vendosjes në fushë dhe anën fizike gjatë gjithë 90 minutave.
Pjesa e parë
Shqipëria nuk i bën një nisje të mirë takimit, teksa has në rezistencën e islandezëve, të cilët bllokojnë mesfushën dhe mundohen të fitojnë terren me kalimin e minutave. Disa lëvizje të Mehës janë pak për të parë një skuadër bindëse dhe që shkon drejt sulmit me një rrjedhë logjike. Nordikët duken më të qartë dhe arrijnë të shfrytëzojë pikën më të fortë që kanë: goditjet standarde. Kapiteni Gunarson ka si specialitet rivëniet anësore, pasi e fut topin në zonë thuajse në formë krosimi. Këtë e bën më së miri në minutën e 18-të, duke gjetur në gjumë mbrojtjen kuqezi. Canaj dhe Mavraj ia “ngecin” topin njëri-tjetrit, por sikur të mos mjaftojë kjo, edhe Ujkani shfaqet i pasigurt. Islanda kalon në avantazh pas insistimit të Bjarnason në zonë. Shqipëria duket apatike në fushë, duke mos funksionuar nga krahët. Gjithsesi, De Biazi këshillon Gilman Likën të ndryshojë krahun, ndërsa Meha dhe dy mesfushorët shkatërrues, Bulku e Kukeli, sikur bëhen më kërkues. Goli i barazimit nuk vonon dhe ka për protagonist Mehën, që pason tokazi për Çanin dhe sulmuesi nuk fal. Edhe pse me përkrahjen e madhe të tifozëve, kuqezinjtë e kanë të vështirë për të bërë përmbysjen. Gjithçka mbyllet 1-1.
Pjesa e dytë
Kuqezinjtë e rinisin takimin me një zëvendësim. De Biazi aktivizon Roshin dhe largon Mehën, duke synuar forcimin e lojës nga krahët. Për thuajse 30 minuta në këtë fraksion Shqipëria bëhet dominuese në lojë, ndërsa Islanda mendon më shumë për mbrojtjen. Sadiku dhe Çani lëvizin mirë në sulm, mirëpo këtë herë kuqezinjtë nuk kanë as fat. Portieri Halldarson bën mrekullinë në një gjuajtje të Sadikut, ndërsa Roshi humbet një rast të artë për të kaluar ekipin në avantazh. De Biazi kërkon me ngulm fitoren dhe e bën Shqipërinë super-sulmuese, duke aktivizuar edhe Salihin. Më pas në fushë hedh edhe Bogdanin, por golin e shënon… Islanda. Kjo shokon kuqezinjtë, të cilët nuk kanë forcë reagimi për të shkuar të paktën te një barazim. As tri minutat shtesë nuk sjellin ndryshime. Në stadium ka vetëm zhgënjim.

Shqipëri    1
Islandë    2
Golat: Çani 29’/ Bjarnason 18’, G.Sigurdson 81’
Gjyqtarë: Toni Asuma, Mati Heininen, Marko Haeninen (Finlandë)
Kartonë të verdhë: Kukeli 58’, Çani 72’, Mavraj 90’/ Arnason 51’, Gunarson 54’, Finbogason 61’, Steinson 77’, G.Sigurdson 81’
Shqipëria: Ujkani, Dallku, Cana, Mavraj, Lila, G.Lika (Salihi 75’), Bulku, Kukeli, Meha (Roshi 46’), Sadiku, Çani (Bogdani 85’). Trajner: Xhani De Biazi
Islanda: Halldorson, Steinson, Sigurdson, Arnason, Gislason (Saevarson 69’), Bjarnason (Gudmundson 85’), G.Sigurdson, Gunarson, Finbogason (Jonson 90’), Hallfredson, Skulason. Trajner: Lars Lagerbak

Grupi E/ Kalendari
Islandë-Norvegji            2-0
Shqipëri-Qipro            3-1
Slloveni-Zvicër            0-2
Qipro-Islandë            1-0
Norvegji-Slloveni            2-1
Zvicër-Shqipëri            2-0
DJE
Shqipëri-Islandë            1-2
Slloveni-Qipro            2-1
Zvicër-Norvegji            1-1
16.10.2012
Qipro-Norvegji
Islandë-Zvicër
Shqipëri-Slloveni
22.03.2013
Slloveni-Islandë
Zvicër-Qipro
Norvegji-Shqipëri
07.06.2013
Shqipëri-Norvegji
Qipro-Zvicër
Islandë-Slloveni
06.09.2013
Zvicër-Islandë
Norvegji-Qipro
Slloveni-Shqipëri
10.09.2013
Islandë-Shqipëri
Norvegji-Zvicër
Qipro-Slloveni
11.10.2013
Slloveni-Norvegji
Islandë-Qipro
Shqipëri-Zvicër
15.10.2013
Norvegji-Islandë
Qipro-Shqipëri
Zvicër-Slloveni

Renditja
Ekipi    ND    F    B    H    Gola    P
Zvicra    3    2    1    0    5-1    7
Islanda    3    2    0    1    4-2    6
Norvegjia    3    1    1    1    3-4    4
Shqipëria    3    1    0    2    4-5    3
Qipro    3    1    0    2    3-5    3
Slloveni    3    1    0    2    3-5    3

Shiu e UEFA rrezikuan “Qemal Stafën”
U kërkua heqja e rrethimit në hyrje të stadiumit para se të niste ndeshja  
Takimi i mbrëmjes së djeshme u rrezikua seriozisht që të mos vazhdonte, për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që nisi të binte pikërisht në momentin e ndeshjes. Vetëm pak minuta pasi arbitri vërshëlleu fillimin e sfidës, në Tiranë filloi një stuhi shiu, e cila e vështirësoi jashtëzakonisht shumë jo vetëm lojën e të dyja skuadrave, por më së shumti terrenin. Në pushim të ndeshjes, delegati i FIFA-s pasi pa disa herë fushën, vendosi që ta shtynte atë për 20 minuta. Sakaq, në punë u vunë punëtorët e fushës, të cilët me mjete realisht primitive tentuan që të largonin sadopak ujin nga fusha. Përveç kësaj, përballja u rrezikua edhe para startit nga UEFA, pasi i dërguari i kësaj të fundit kërkoi me ngulm që të hiqej rrethimi para sheshit të hyrjes së stadiumit. Siç dihet, prej disa muajsh një kompani, me idenë e bërjes së një parkingu nëntokësor, mbylli sheshin duke krijuar kështu një përplasje mes FSHF-së, FIFA-s e UEFA-s. Inspektori i kësaj të fundit kërkoi që të largoheshin llamarinat, pasi në të kundërt ai do të kërkonte spostimin e sfidës. U desh heqja e disa llamarinave në hyrje dhe futja në shesh e shumë makinave, më së shumti e autobusëve të të dyja skuadrave, por edhe ndërhyrja e drejtuesve të FSHF-së, që inspektori i UEFA-s të bindej në një farë mënyre dhe të lejonte që takimi të luhej sipas programit.

Gafa me flamurin islandez
Gafë e organizatorëve të ndeshjes Shqipëri-Islandë, që në këtë rast është institucioni i futbollit shqiptar. Pak para fillimit të ndeshjes, në momentin kur do të këndoheshin himnet e të dyja përfaqësueseve, në fushë nuk ishte flamuri i Islandës, por ai i Sllovenisë. Për fat të mirë, ky gabim u kap në kohë, dhe me shpejtësi zyrtarët e FSHF-së ndërruan flamurin përpara se të niste himni i Islandës. Megjithatë, flamuri slloven qëndroi në fushë për rreth 5 minuta, ndërkohë që kjo habiti jo pak islandezët, të cilët dhanë edhe sinjalin se diçka nuk shkonte. Kujtojmë që katër ditë më pas Shqipëria luan ndaj Sllovenisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura