Mjeshtri i fotografisë rrëfen jetën e tij mes arritjeve e peripecive, Kumi: Mungon një muze i fotografisë bashkëkohore

Oct 21, 2019 | 11:40
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Një aparat i thjeshtë i bie në dorë e me të do të zbulonte dalëngadalë një botë tjetër, atë të fotografisë.

Petrit Kumi
Petrit Kumi

 

Petrit Kumi nuk e nisi karrierën prej ndonjë tradite të trashëguar, madje, në fillimet e hershme, ndërsa fotografonte për t’u zbavitur shokët e shoqet e klasës e tek-tuk ndonjë imazh që e tërhiqte, as që e mendonte se një ditë do të bëhej fotograf profesionist. Por, prej asaj kohe, kur studionte në Shkollën e Punës së Elbasanit, diçka ka mbetur e pandryshuar edhe sot. “Gjithnjë kam dashur të fotografoj njerëz të buzëqeshur. Edhe shumica e njerëzve në fotot e mia kështu janë”, tregon ai.

Në një gjysmë shekulli fotografi, sipas kritikëve, imazhet e tij nuk kanë vetëm vlerë historike, por edhe artistike. Sekretet e zanatit do t’i përvetësonte gjatë afrimit me Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe leksionet e pikturës që do të merrte në liceun “Jordan Misja” do të qenë për të një ndihmesë e madhe. Po ashtu, në formimin e tij do të ndikonin mjeshtrit e imazhit, si Sulejman Kelmendi, Jani Ristani, Vasil Ristani, Refik Veseli, Mehmet Kallfa, Kostandin Leka etj., të cilët i kujton me mirënjohje. Njëherazi, ai do të angazhohej edhe si fotoreporter në revistën “Ylli” (me një bagazh të fituar në revistën “Miqësia” në vitet ‘50) e kështu do të kishte gjetur një mënyrë më të drejtpërdrejtë komunikimi me publikun. Imazhet që fiksoi për më shumë se 5 dekada i rrëfen se i ka ruajtur me kujdes. “I kam dixhitalizuar në mënyrën time, tani bëhen më të perfeksionuara, i rrisin rezolucionin e ndërhyrjeve të tjera.

Megjithatë, origjinalet sikur kanë një forcë tjetër”, tregon fotografi për “Panoramën”. Ndër shqetësimet e tij, për 50 vjet të historisë së fokusuar në imazh, është edhe mungesa e një muzeu të fotografisë bashkëkohore shqiptare. “E kam këtë merak. Se i thonë nga ’44-ta në ’90-tën, ku janë këto foto? Fotografia shqiptare gjatë këtyre viteve dëshmon historinë, e mirë, e keqe, ashtu siç ka qenë”.

Dëshmi, siç janë edhe fotot e mjeshtrit të shkrepura në diktaturë, të cilat, edhe pse nuk mund t’u binin ndesh dogmave, nuk shndërrohen në të tilla. “Askush, në asnjë fushë, nuk do të mund të kundërshtonte sistemin apo të refuzonte kërkesa të veçanta të tyre, përndryshe dihej fundi”, thotë fotografi. Mirëpo, pavarësisht vështirësive, mjeshtri mundi që përmes “Maces së zezë” të çojë Shqipërinë në një nga konkurset ndërkombëtare më prestigjioze në ’61-shin, siç është “World Press Photo”, duke u vlerësuar me “Medalje Nderi”. Për shkak të vështirësive për të kapërcyer kufirin, çmimin për fotografinë sportive asokohe do ta tërhiqte konsulli i Shqipërisë në Rusi.

“Aty ka fotografi të një niveli të papërfytyrueshëm”, thotë ai, duke sjellë në vëmendje foton tronditëse të Eddie Adams, shkrepur gjatë Luftës në Vietnam (1968, gjenerali qëllon një të burgosur, është konsideruar fotoja më e fuqishme e ndonjë lufte). Një tjetër foto e famshme e vlerësuar në këtë konkurs, që fotografi përmend, është “Puthja” (1945, “Time Square” festohet fundi i Luftës së Dytë Botërore).“Është një foto fenomenale, pasi edhe është bërë pa ndonjë përgatitje paraprake, edhe përçon një mesazh të fortë”, shprehet Kumi. Një tjetër çmim të rëndësishëm në karrierën e tij ai e pati rrëmbyer me “Brigjeve të Adriatikut”, në një konkurs për talentet e reja në Beograd, në një kohë kur fotografia shqiptare ishte ende në moshë të hershme (1959).

“Fotografia më sjell një kënaqësi të jashtëzakonshme” 

Është në prag të 90-ve dhe ndërsa endet në rrugët e kryeqytetit, ndodh që ta ndalojnë e t’i kujtojnë momentin kur i ka fotografuar. “Kushedi sa njerëz kam njohur, mes figurave që kam fotografuar. Fotografia më ka sjellë gjithmonë një kënaqësi të jashtëzakonshme”, thotë. Me kalimin e viteve, teknologjia ka bërë të vetën, edhe pse sipas Kumit, “fotografinë nuk e bën aparati, por mendimi, koncepti”. Një koncept që ai e shikon të ndryshuar te brezi i ri, e si shembull përmend të bijën, Betin, e cila ka trashëguar pasionin e të atit. Vazhdon edhe sot e kësaj dite të eksperimentojë, pasi e ka të pamundur të shkëputet nga bota e fotografisë. Është ende në kërkim për të përjetësuar çaste, buzëqeshje njerëzore…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura