“Mjeshtër Ndrenika na prij, Majko, zbrit nga teatri banal i politikës”

Mar 22, 2018 | 15:00
SHPËRNDAJE

XHOVALIN DELIA/ Teatri Kombëtar mund të jetë teknikisht i papërshtatshëm, por jo i padenjë. Të padenjë janë ata që nuk njohin e nuk respektojnë dinjitetin e këtij tempulli! Të shembet apo të qëndrojë Teatri Kombëtar?! Kjo është çështja, të dashur shqiptarë! Shqipëria është vend i çudirave dhe Edi Rama çudia më e madhe. Bash ai që i restauroi vetë, që i ktheu në identitet dhe u dha dinjitet ndërtesave më të bukura arkitektonike në Shqipëri, lindur në erën fashiste e mbijetuar në komunizëm, ka vendosur të shembë njërën prej tyre, më pak të bukurën, por më të rëndësishmen, Teatrin Kombëtar(?!?)

xhovalin delia

Është njësoj sikur një djalë i mbarë e mjek i dhembshur, pasi ka mjekuar e kuruar babanë e moshuar lindur në feudalizëm, rritur e pjekur në Luftën e Dytë Botërore, e mbijetuar në komunizmin barbar, papritur, (o për një grusht parà), i shkrep në mendje ideja makabre ta shembë përtokë me vare kresë, teksa gjyshi i moçëm, ndonëse shëndetlig nga mosha e varfëria, gëzon e zbavitet me artistë e spektatorë, në shtëpinë e tij, bash në Teatrin Kombëtar. Prite Zot! Vetëm një dorë e papërgjegjshme e komanduar nga një mendje e sëmurë patologjike o e korruptuar kriminale, mund të guxojë të shembë një thesar të tillë, ndaj kjo dorë e mbrapshtë do ndaluar me çdo mjet demokratik.

“…Këtu merr fund mbledhja 20-vjeçare”, ua preu shkurt artistëve, specialistëve e intelektualëve, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë pasi prezantoi projektin e teatrit të ri. Tema e kësaj melodrame të stërzgjatur është Teatri Kombëtar. Drama e saj është: shembja e teatrit të vjetër Kombëtar dhe ngritja e të riut në themelet e tij. Motivi i stërzgjatjes është nyja dramatike e saj: Të shembet o të qëndrojë Teatri Kombëtar? Ideatori, regjisori e aktori është një dhe i njëjti, Edi Rama.

Akti i parë i këtij teatri absurd është vënë në skenë njëzet vjet më parë, po nga Edi Rama, i cili, si sot edhe atëherë luante rolin kryesor, shkruar si për vete, “heroi pozitiv, artist rilindës reformator, artist, piktor e bir skulptori, revolucionar antiqeveritar”, realisht një ambicioz matrapaz me sëpatë e vare në dorë, i vendosur për të shembur tempullin e artit dramatik, Teatrin Kombëtar. Përballë tij ishte Pandeli Majko, konceptuar po nga Edi, si “antagonisti i artistit vizionar, personazh negativ, nëpunës kaps punist, aso kohe kryeministër”, realisht një djalosh poetik, artdashës, diplomuar inxhinier mekanik, bir ushtaraku, idealist komunist rozë, i pjekur, i arsyeshëm dhe i vendosur në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Çuditërisht, ndonëse edhe atëherë “posta in gioco” për këtë aferë ishte shumë e lartë, falë maturisë, pjekurisë e përgjegjshmërisë së Kryeministrit Majko, akti i parë i kësaj marrëzie u mbyll me “happy end”. Duelin e ashpër midis pasionit të verbër për parà dhe maturisë së përgjegjshme në mbrojtje të vlerave, përfundoi me fitoren e arsyes. Falë Pandeli Majkos, Teatri Kombëtar është akoma në këmbë, por më në rrezik se kurrë. Ideatori i shembjes, humbësi i djeshëm, sot është i plotfuqishëm kryeministër, i gatshëm për të festuar fitoren e betejës së gjatë 20-vjeçare(ose i kënaqur me shamatën bosh që po krijon rreth vetes).

Ndryshe nga njëzet vjet më parë, kur Kryeministri( Majko), ndonëse me pak pushtet ishte në anën e mbarë, në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, Kryeministri aktual është për shembjen e tij. Por, për fatin e Teatrit Kombëtar, të politikës, të PS-së e të qeverisë, Pandeli Majko, shpëtimtari i parë i Teatrit Kombëtar, është dëshmitar i gjallë dhe luan një rol të rëndësishëm në politikë e në opinionin publik shqiptar. Uroj të jetë akoma artdashës i arsyeshëm e qytetar i mbarë! “Artistët nuk dinë ç’kërkojnë”, lau duart para opinionit publik Kryeministri artist.

Një frazë e tillë vërtetë lë shteg për ta interpretuar si të papërgjegjshme, nënvleftësuese e arrogante, por kur dëgjon edhe kambanën tjetër, konfuzionin kakofonik të aktorëve të Teatrit Kombëtar, ku ca qajnë teatrin e vjetër e të tjerë shajnë të riun, të krijohet përshtypja se artistët vërtetë nuk dine ç’kërkojnë. Të fitosh kauzën nuk mjafton të kesh të drejtë, ta humbësh atë mjafton të mos njohësh të drejtën tënde e të mos dish ta mbrosh atë.

Kjo është një ndër arsyet që në mes të qorrave mbretëron ai me një sy. Ndaj, miq të dashur: së pari duhet të dimë mirë çfarë po kërkojmë? A është e drejta jonë? A është në kompetencën tonë? A është e realizueshme? Mbasi kemi gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, të bindur se jemi në të drejtën tonë e në drejtim të mbarë, duhet të jemi të vendosur deri në përmbushjen e saj. “Më pëlqeu projekti i teatrit të ri”, tha artisti Robert Ndrenika, kur doli nga zyra ‘Lalit’ të Bashkisë. Zotërinj të nderuar, mos u hutoni nga lodrat e xhonglerëve 99-sha! TË SHEMBET O TË QËNDROJË TEATRI KOMBËTAR! Kjo është çështja! “Teatri i vjetër Kombëtar nuk është i denjë dhe do shembur”, e hodhi një gurë në lumë, edhe “Bëlldum Kulla”.

Të më ndjejë fjalëshkruesi, por teknikisht i papërshtatshëm është një gjë e i pa denjë është një tjetër. Teatri Kombëtar mund të jetë teknikisht i papërshtatshëm, por jo i padenjë. Të padenjë janë ata që nuk njohin e respektojnë dinjitetin e këtij tempulli! Por edhe sikur i padenjë dhe teknikisht i papërshtatshëm të jetë ndërtesa e Teatrit Kombëtar, mund të konsiderohen si dy arsye më shumë për të ndërtuar një teatër të ri, por janë të pamjaftueshme për ta shembur historinë e teatrit shqiptar. Që Kryeministri, do të ndërtojë një teatër të ri, Zoti e bekoftë!

Për këtë besoj se jemi të gjithë dakord, të lumtur e mirënjohës kryerilindësit tonë largpamës e bujar. Ajo që na e ka prishë gjumin është fati i ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Jo se “kështu mendojmë ne”, por sepse ajo dreq binaje ka hyrë në memorien kolektive shqiptare si pjesë e shenjtë dhe e denjë e kulturës dhe e historisë sonë. Pyetja që shtrohet sot në shërbim të ZGJIDHJES së çështjes në fjalë është kjo që vijon: që të kemi një teatër të ri modern “me standarde euroamerikane”, me doemos duhet të shembim të vjetrin?

Nëse po, na e shkoqisni mirë motivin? Nëse ka një motiv, sa i dobishëm është ai në raport me dëmin? Në princip, jam kundra shembjeve, por jam i vetëdijshëm se nuk mund të ruajmë çdo gjë të vjetër, pasi edhe shoqëria ka një logjikë zhvillimi e evoluimi të ngjashëm me atë të natyrës që vazhdon duke transformuar, dialektikë të cilën nuk mund ta ndalojmë me lot, emocione e sentimente e nuk mund ta kundërshtojmë as në këshillin artistik të teatrit e as në kuvend e as me mosbindje civile. E përkthyer në metaforë: lindja natyrale e një fëmije nuk kushtëzon domosdoshmërisht vdekjen automatike të gjyshit e aq me pak të babait, por nëse ata do të kushtëzonin vërtetë jetën e foshnjës, vdekja e tyre, ndonëse e dhimbshme, duhet pranuar si pragmatikë praktike, sakrificë në shërbim të jetës së foshnjës së sapoardhur apo që do të vijë.

Ndaj, çështja në fjalë, para se të imponohet me forcën e pushtetit nga lart apo të paragjykohet moralisht nga poshtë, duhet t’i nënshtrohet një analize shkencore transparente pragmatike. Askush nuk ishte kundra ndërtimit të stadiumit të ri, por shumica ishin kundër shembjes se të vjetrit. Fitorja e shembësit i dedikohet natyrisht prepotencës se pushtetit e parasë së dyshimtë, por edhe mungesës së argumenteve bindëse dhe e strategjisë së mbrojtësve të stadiumit të vjetër.

Personalisht, më shumë se kundër shembjes së stadiumit të vjetër, kam qenë kundër ndërtimit të të riut, po aty, në qendër të Tiranës, i cili, mund e duhej të ndërtohej në periferi të Tiranës, siç e ka edhe Juventusi, skuadra e zemrës së kryeartistit sportist. Me pak fjalë, rilindësi ynë, si me stadiumin ashtu edhe me teatrin, bën dy dëme njëherësh, shemb të shkuarën dhe projekton keq e pa vend të ardhmen. Ndaj, me këtë kredibilitet nën zero që Kryeministri aktual gëzon sot, edhe sikur shëndet të na thotë, plaç do na duket. Aq më tepër kur sindroma e shembjes është kthyer në metodologji e strategji politike e në fobi për shqiptarët.

Nganjëherë bëjnë sikur i shembin për të testuar reagimin e opinionit publik, nganjëherë për të mbuluar skandalet e tyre, por kur bëhet fjalë për parà në xhepin e tyre, shembin vërtet. Prijësi aktual nuk është i pari i këtyre marifeteve, por ky vuan vërtet nga sindroma e shembjes. Ndoshta ngaqë dy të tretat e karrierës së tij si politikan e administrator i ka vetëm shembje!?! Rama është bërë aq specialist në shembje, sa ka humbur sensin e masës. Si kirurgu matrapaz, që pas operacioneve të shumta fitimprurëse, sterilizohet nga njerëzorja e transformohet në një kasap robot.

Çerek shekulli në llumokracinë shqiptare, karakteri i tij bipolar, autostima për atë çka ka arritur dhe pushteti absolut që ushtron, e bëjnë Kryeministrin aktual të ndihet superior në atë që mendon, më egoist në ato që lakmon e për rrjedhojë të mbyllur, të paarsyeshëm, prepotent e arrogant. Megjithatë, edhe pse në princip kundër shembjes, duke mos qenë ekspert dhe pa informacionin e nevojshëm, nëse arsyet e shëndetshme të argumentuara nga ekspertët për ta shembur Teatrin Kombëtar janë një më shumë se ato për ta ruajtur, ndonëse me dhimbje, unë i nënshtrohem pragmatizmit praktik, në dobi të shumicës.

Por nëse bëhet fjalë për matrapazllëqe, të përkthyera në “arsye” të disa individëve, mos guxoni ta prekni Teatrin Kombëtar! Nuk e di nëse e di kryeartistarkitekthistoriani ynë, se Benito Mussolini, në erën e të cilit është ndërtuar ngrehina që ai do ta shembë, ndryshe nga Hitleri, Stalini e Enveri ynë, i vetëdijshëm se nuk ishte artist, as arkitekt, as historian artin ua la ta bënin artistët, arkitekturën arkitektëve e historinë, historianëve. Miq të dashur, pa hyrë në meritat e çështjes, rezistenca në mbrojtje të Teatrit Kombëtar është e shenjtë dhe e denjë.

Është respekt për emocionet e sentimentet e një populli që ka qeshur e ka qarë në atë ndërtesë, është homazh për yjet që kanë sosur jetën në atë skenë, është respekt për kombin tonë, pjese e të cilit është Teatri Kombëtar, është rezistencë në mbrojtje të një ndërtese me vulë arkitektonike e me një histori shekullore, është rezistencë në mbrojtje të kulturës, të historisë së artit dramatik e të historisë së teatrit shqiptar. I nderuar mjeshtër Ndrenika, “to be or not to be”, kjo është çështja! Teatri Kombëtar të ka thirrur në skenë për një rol të vështirë, por fisnik. Nuk është rol si qindra role që ke luajtur në skenë e në ekran.

Është rol unik njerëzor artistik, patriotik, politik e kombëtar. Më i madhi e më i rëndësishmi rol që ke luajtur deri më sot para publikut shqiptar. Ndaj, na prij e ne do të të ndjekim për të vënë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen më spektakolare që shqiptarët ndonjëherë kanë parë. “Mos e prek he t’shitoft zana”! Aty, do ta shkruajmë, inskenojmë, aty do ta luajmë, në kohë reale, aktorë, regjisorë, intelektualë, gazetarë e gjithë spektatorët e apasionuar shqiptarë. Me ne do të jetë edhe Pandeli Majko, si politikan e si artdashës qytetar, si hero shpëtimtar i aktit të parë. Le ta mbyllim me “happy end” këtë marrëzi të paparë! Hajde Pandi, hajde, dil nga teatri banal politik e luaj një rol të hajrit në teatrin absurd shqiptar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura