Mjeku reumatolog jep këshillat e rëndësishme: Tri mënyrat e kurimit të osteoporoza

Apr 7, 2018 | 16:51
SHPËRNDAJE

Janë plot 18 armiq të kockave, që çojnë drejt asaj, e cila që në fillim është etiketuar si sëmundja e heshtur, osteoporoza. Njohja e shkaktarëve dhe modifikimi në kohë i atyre që mund të ndryshohen, është sfida për të moshuarit dhe gratë pas menopauze kryesisht, kockat e të cilëve janë më të dobëta se kurrë.

Gjithë çfarë duhet të dijë një i prekur ose i predispozuar për osteoporozë, e sqaron mjeku reumatolog, Ervin Rrapushi. Për të përcaktuar diagnozën, bëhen disa lloj ekzaminimesh, ndërkohë, edhe mënyrat e trajtimit, të cilat sa vijnë e sofistikohen.

mjekuRrapushi apelon një monitorim të veçantë, sidomos te kategoritë që janë më të rriskuara. Vetë sëmundja, sipas tij, nuk çon në fatalitet, por patologji të tjera kronike të kombinuara me frakturat kockore si shkak i osteoporozës mund të çojnë deri në vdekje. Rëndësi të madhe ka një dietë e mirë ushqimore e pasur me kalcium dhe vitaminë D, si dhe shmangia e jetës sedentare.

PËRKUFIZIMI I SËMUNDJES

Për herë të parë, osteoporoza (kockë poroze) si term është përdorur në Francë dhe Gjermani. Ajo që dihej asokohe është se konsiderohej sëmundje e heshtur, që ishte pjesë e procesit normal të plakjes. Ndërsa sot, me evoluimin e shkencës, osteoporoza mund të përkufizohet si një sëmundje metabolike e kockës, e karakterizuar nga: ulje e masës kockore; dëmtim i mikroarkitekturës kockore (madhësi e kristaleve te hidroxyapatite/ drejtimi i vendosjes së kristaleve/ raporti midis kristaleve të formuara dhe masës amorfe të pakristalizuar ende/ madhësia dhe orientimi i fibrave të kolagjenit); raport i ruajtur midis përmbajtjes minerale dhe matriksit të kolagjenit, ndryshe nga osteomalacia dhe rakiti dhe rritje të rrezikut për fraktura.

Osteoporoza fillon si humbje e masës kockore dhe pasohet nga ndryshime të rëndë- sishme në mikroarkitekturën kockore. Një pjesë e studiuesve përfshijnë në sindromën klinike të osteoporozës edhe osteopeninë si stadin asimptomatik të sëmundjes, gjatë së cilës nuk shfaqen fraktura. Në 1994, OBSH e përkufizoi osteoporozën bazuar në të dhënat e densitetit kockor. Në gjuhën mjekësore, osteoporoza e sigurt përkufizohet si T score < (-2,5) + prania e një frakture.

ETIOLOGJIA

Vetë sëmundja ndahet në osteoporozë primare, e cila vjen me kalimin e moshës dhe te gratë pas kalimit të menopauzës, si dhe osteoporozë sekondare, e cila nuk është gjë tjetër, veçse patologji endokrine që vjen nga përdorimi i tepërt i glukokortikoideve, hipertiroza, hipogonadizmi, përfshi atë nga prolactinoma dhe anorexia, hiperparatiroidizmi).

Preken nga osteoporoza edhe ata që kanë patologji të palcës së kockës (mieloma multiple, leucemia, gaucher’s disease, mastocitoza sistemike);imobilizim ; patologji gastrointestinale (gastrectomy, cirozë biliare primare, celiaki); insuficencë renale; patologji respiratore kronike; patologji të trashëguara të indit lidhor (osteogenesis imperfecta, homocysteinuria, sindromi Ehlers – Danlos); artriti Reumatoid, LES, Morbus Bechterieë si dhe ata që përdorin medikamente të tilla si: antikonvulsantë, heparin, methotrexate, cyclophosphamide, litium, tamoxifen, inhibitorë të aromatazës. SIMPTOMAT Osteoporoza nuk ka shenja klinike të mirëfillta. Shfaqja e frakturave kompresive të vertebrave osteoporotike shoqërohet me: Radikulopati dhe ajo që ne e quajmë Kifozë torakale dhe lordozë lumbare kompesatore.

Në raste të avancuara, kifoza mund të shoqërohet edhe me çrregullime funksionale kardiopulmonare. Po ashtu, shoqërohet dhe me reduktim të gjatësisë trupore mbi 4 centimetra (spondylarthrosis rrallë jep shkurtim më shumë se 4 cm). Ndërsa kemi të bëjmë me raste të avancuara, kur reduktimi i gjatësisë trupore arrin rreth 35 centimetra dhe statika e individit karakterizohet nga: Hiperlordozë të qafës (kur koka nuk qëndron dot në pozicion drejt) dhe artikulacionet koksofemorale dhe gjunjët janë në pozicion fleksioni.

SHKAKTARËT Mund të përmendim një sërë faktorësh që çojnë në osteoporozë. Faktorë risku primarë ose shkaqet kryesore përmenden: frakturat kockore përpara moshës 30- vjeçare, faktori gjenetik (anamnezë familjare për frakturë koksofemorali, duhanpirja, pesha trupore më e vogël se norma individuale si dhe densiteti kockor i ulët. Përveç shkaktarëve kryesorë, një sërë faktorësh të dorës së dytë çojnë në osteoporozë. Bëhet fjalë për moshën e avancuar, shëndetin jo të mirë, demencën dhe raca e bardhë, e cila është më e predispozuar.

Faktorët e më- sipërm janë të pamodifikueshëm. Por ka dhe të tjerë që shërbejnë si risk, por mund të modifikohen. Këtu mund të përmendim: sasinë e ulët të kalciumit, një dietë jo e mirë ushqimore apo çrregullim ushqyerjeje, nivel i ulët i testosteronit (për meshkujt, deficit estrogjeni (amenore > 1 vit ose menopauzë më herët se 45 vjeç), konsum i tepërt i alkoolit, mungesë ekspozimi në rrezatim ultravioletë, jeta sedentare, dëmtim i shikimit si dhe patologji neurologjike.

DIAGNOZA

Për të diagnostikuar osteopeninë /osteoporozën te një pacient, ekzaminimet ndahen në dy grupe. Së pari bëhen ekzaminimet që zbulojnë dhe dokumentojnë humbjet kockore. Këtu futen ekzaminimet imazherike (RÖ-grafi konvencionale, DEXA qendrore/periferike, Ultrasonografia kuantitative, CT, MRI etj,) dhe ekzaminimet laboratorike, e cila s’është gjë tjetër, veçse matja në serum dhe në gjak e markuesve të qarkullimit kockor.

Po ashtu, bëhen ekzaminime që diagnostikojnë ose përjashtojnë një shkak sekondar si të dyshuar për këtë humbje kockore të pabalancuar, të dokumentuar nga grupi i parë i ekzaminimeve. Një tjetër lloj për të përcaktuar diagnozën është dhe DEXA. Ajo është teknikë pa rrezatim dhe e përshtatshme për të monitoruar ndryshimet e densitetit kockor në kohë. Me anë të saj mund të ndjekësh në kohë përgjigjen ndaj mjekimit me antiosteoporotik. Teknika e përdorur në praktikë sot është dual-energy-x-ray absorptiometri(DEXA).

Vlerat e ndryshimit të absorbimit të rrezeve X konvertohen në përmbajtje minerale kockore (BMC) në gram dhe projektohen ne bidimensional (BA) në cm². Pra, merret një densitet mineral kockor g/cm² “areal” sepse thellësia e kockës nuk merret në konsideratë gjatë projeksionit PA, një e metë e këtij ekzaminimi. Mbi të gjitha, ky lloj ekzaminimi është i sigurt dhe me një nivel të ulët radiacioni, me një marzhë gabimi 0.6-1.5% si dhe përdoret për të detektuar ndryshimet e vogla në kohë.

TRAJTIMI

Qëllimi i terapisë së osteoporozës është reduktimi i rezorbimit kockor dhe përmirë- simi i formimit kockor. Për ta trajtuar sëmundjen, ka tri lloje terapish. Së pari: Terapia jo farmakologjike, e cila realizohet me anë të marrjes së suplementeve kalcium dhe vitaminë D, parandalimin e rrëzimeve dhe ushtrimeve fizike. Së dyti është terapia anabolike, e cila konsiston në administrimin e hormonit të paratiroides. Së fundmi kemi terapinë antirezorptive, e cila është më e ndërlikuar dhe konsiston në: Bisphosphonate, (alendronate, risendronate, ibandronate, tri preparate të miratuara nga FDA për parandalimin dhe trajtimin e OP); SERM : raloxifene ; Calcitoninë dhe Terapi zëvendësuese hormonale. Para fillimit të terapisë rekomandohet bërja e screening me: hemogramë totale me eritrosendimetacion, niveli serik i kalcemisë totale dhe të jonizuar, azotemia, creatinemia, urina komplet dhe fosfataza alkaline. Ky bilanc përsëritet çdo 6 muaj për të parë kompliancën ndaj mjekimit. DXA për vlerësimin e terapisë osteoporotike rekomandohet të bëhet çdo vit.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura