Mjekrat e policëve dhe siguria e qytetarëve

Sep 24, 2022 | 10:45
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

PËLLUMB NAKO

Drejtori aktual i Policisë së Shtetit foli para disa ditëve lidhur me paraqitjen e jashtme të punonjësve të Policisë, duke vënë në dukje ndër të tjera faktin se ata nuk duhet të mbajnë mjekër. Ky detaj i diskutimit të tij u komentua dhe u mbikomentua shoqëruar me përqeshje dhe sarkazëm nga mjaft rrjete sociale. Në fakt, liria thuajse totale e të shprehurit nëpërmjet rrjeteve sociale, ka bërë që në to të mos mungojnë as keqkuptimet dhe as moskuptimet. Madje, e njëjta gjë vihet hera-herës re edhe te njerëz të medias kur komentet nuk bazohen mbi logjikën e ndërhyrjes së Drejtorit, por mjaftohen në interpretimet e një batutë. Në plan të parë, duket sikur diskutimi i kësaj tematike është mjaft periferik për nga rëndësia nisur nga problemet e rënda që ndoshta ka brenda radhëve të policisë, ndaj dhe nuk ia vlen të komentohet duke harxhuar kohë për të. Por jo! Edhe problematika edhe keqinterpretimi duhen sqaruar sepse janë më të rëndësishme nga ç’perceptohen nga komentuesit, por jo nga publiku i gjerë që kërkon sigurinë në përditshmëri duke e ndjerë atë edhe në formë perceptimi. Kemi të bëjmë, pra, me një kontekst ku duhet analizuar incivilitet në përgjithësi si burim presioni mbi sigurinë e qytetarit dhe po ashtu sjelljet incivile të punonjësve të Policisë që dyfishojnë dëmin.

Më konkretisht: dekada më parë dy sociologë amerikanë kanë bërë një eksperiment lidhur me këtë presion shkatërrimtar që ushtron mbi sigurinë e individit degradimi i ambientit urban ku ai jeton në përditshmëri, roli i madh që ka ai në ngjalljen e krimit. Sipas teorisë së tyre, të quajtur “xhami i thyer”, rezulton se ambienti urban ku jetojmë, nëse nuk mirëmbahet, por lejohet të degradojë nga mbeturina të hedhura vend e pa vend, nga mungesa e ndriçimit, nga karkasa makinash të braktisura anës rrugëve nëpër lagje, apo shkarravina nëpër fasada e të tjera si këto, pra, nga mungesa e sjelljes civile, interpretohet si mungesë interesi nga ana e autoriteteve kompetente që kanë detyrë mirëmbajtjen, si braktisje e banorëve nga pushteti lokal apo shteti.

Po ashtu, te banorët e prekur nga ky fenomen fillon e zë vend edhe ideja se ky degradim e ka burimin të lidhur edhe me mungesën e ndëshkimit ndaj autorëve të tyre. Madje, kjo mungesë ndëshkueshmërie përshkallëzohet me tej duke luajtur një rol jo pak të rëndësishëm në përhapjen e sjelljeve të tilla antisociale sepse u jep kurajë edhe personave të tjerë që nuk kanë manifestuar incivilitet. Në këto kushte, banorët e qendrave të banimit me këto parametra ndrydhen në vetvete nga frika e dhunës dhe humbasin rolin e krijimit të një komuniteti aktiv për të ndërtuar ambient të përshtatshëm për jetesë normale të sigurt. Pra, mungesa e sigurisë qytetare në përditshmëri përshkallëzohet frikshëm duke u ushqyer edhe nga fenomene që në pamje të parë duken të padëmshme dhe me rëndësi periferike.

Ndaj dhe duke u kthyer te vërejtja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë lidhur me paraqitjen e jashtme të punonjësit të Policisë, natyrshëm lind pyetja:

Nëse një ambient i degraduar nga sjellja incivile, i cili është provuar tashmë që krijon një presion të tillë mbi sigurinë në përditshmëri mbi njerëzit e zakonshëm, i bën ata të mos jenë të zhveshur nga frika, po degradimi i paraqitjes së jashtme të punonjësit të Policisë kur ai ushtron detyrën publikisht? Ka ai efekt mbi qytetarin dhe ndjenjën e tij të pasigurisë? Ekzakësisht të njëjtën gjë si në rastin e degradimit të ambientit. Përshtypja e parë që krijohet është ajo që organizata e Policisë nuk funksionon mirë dhe nuk ka asnjë pikë rëndësie për të se kush e ka përgjegjësinë. Ai nuk ndihet i sigurt. Në thelb, shqetësimi i Drejtorit të Përgjithshëm lidhur me paraqitjen e punonjësit të Policisë kur ai është në detyrë, nuk lidhet, pra, thjesht më komponentin estetik, por me perceptimin publik të sigurisë ose pasigurisë që ngjall paraqitja e punonjësit.

Nëse në mjaft komente organi i Policisë së Shtetit konsiderohet si institucion që i shërben publikut, edhe kur përdor forcën, kjo është normale sepse është pikërisht shërbimi ndaj publikut ai që legjitimon përdorimin e forcës policore. Por ky shërbim nuk mund të kryhet me cilësinë e duhur nëse punonjësi në fjalë nuk është korrekt në gjithë tërësinë e sjelljeve të tij në raport me atyre që u ofron shërbimin. Nuk bëhet fjalë, pra, thjesht për të pasur policë me mjekër apo pa mjekër, me mjekër të gjatë apo të shkurtër, me mustaqe spic apo të përdredhura vesh më vesh, me qafën e mbuluar nga flokët apo të qethur, por me një paraqitje që shkon në harmoni me uniformën e një punonjësi me pretendime ndaj vetes dhe profesionit në përgjigje të pritshmërisë publike për t’u ndier i sigurt. Pamja e jashtme, sjellja, komunikimi me persona që kërkojnë ndihmë dhe ata që shoqërohen apo edhe kontrollohen nga Policia, i japin asaj fytyrën e një institucioni të përbërë nga profesionistë që e kuptojnë mirë detyrën e tyre si shërbim. Pra, është komponenti subjektiv i punonjësit të Policisë ai që e preokupon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Komponent ky që nuk ka për fat të keq instrumente të saktë matjeje. Sjellja e mirë, korrekte e një punonjësi Policie në publik, nuk përbën një vlerë të shtuar për ta quajtur madje “burrë i mirë”, por është pjesë e rëndësishme e profesionit, sepse siç u tha, ai shërben dhe kur shërben nuk mund as të qëllosh me shpulla sipas dëshirës, as të degradosh personin që merr në pyetje, që e shoqëron apo që e arreston.

Madje, nisur nga fakti se policia është një institucion, i cili e ka të kufizuar dhe mjaft të kontrolluar forcën shtrënguese në kohë, por që nga ana tjetër ka një marzh shumë të gjerë në kryerjen e veprimeve, shqetësimi i Drejtorit të Përgjithshëm rezulton më i thellë. Kush i kontrollon veprimet e patrullës policore në terren ditën dhe natën? Kush e kontrollon punonjësin e Policisë se çfarë i kanë parë sytë dhe çfarë jo, çka do të thotë fillim i një çështjeje penale ose jo, vendosja e një gjobe ose jo? Gjithçka varet nga dyshimet dhe gjykimi i tij mbi to.

Po ashtu, nuk ka asnjë instrument të besueshëm për ta kontrolluar patrullën policore, (madje e pamundur) nëse ajo ka marrë vendimin e duhur për një individ dhe nuk ka bërë të njëjtën gjë me disa të tjerë. Dhe në të njëjtin kontekst, askush aktualisht nuk shqetësohet nëse shoqërimet që bëhen nga ana e Policisë kanë në bazë raportin e qytetarit me ligjin, apo bëhen thjesht sepse punonjësi i Policisë duhet të bëjë diçka, është acaruar, ka humbur gjakftohtësinë, ka ndjerë se autoriteti i tij nuk është respektuar dhe e shoqëron dikë në polici, pa motiv ligjor. Autoriteti i punonjësit të Policisë nuk është personi i tij, as uniforma që mban (siç përmendet rëndom), por vetëm shkelja e ligjit. Dhe për të pasur sjelljen e duhur në raste të tilla, duhen punonjës jo të keqtrajtuar, të shtypur, të rrënuar e degraduar, por policë me personalitet të kultivuar nga hierarkia. Ky është shqetësimi i Drejtorit, jo mjekra e as mustaqet e Çelos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura