Mjekra krihet, katundi digjet

Aug 4, 2020 | 9:53
SHPËRNDAJE

ndue dedaj

NDUE DEDAJ

I nisëm këto radhë thjesht si ca shënime vere argëtuese, me pak humor rreth mjekrës së tjetrit, kur ajo bëhet “shqetësimi” ynë, por na e ndryshuan rrjedhën e tyre të lirë lajmet e ditës, për zjarre gjithandej në vend, duke na bërë të ndërthurnim gjëra krejt pa lidhje në dukje me njëra-tjetrën, si mjekrën e njeriut me flakët e pyllit, por duke e moderuar, për etikë, atë fjalën e urtë: “Mjekra krihet, fshati digjet”…

1 “Pse e ke lënë mjekrën?”… është një pyetje, me të cilën, pas gjithë gjasave, janë përballur të gjithë ata që këto kohët e fundit kanë lënë mjekër, Kryeministri Rama, ipeshkvi i Rrëshnit, Imzot Meta, analistë të njohur si Lubonja, Haxhiu, Shkullaku dhe plot të tjerë. “Je burrë i mirë, gjithmonë kam pasur respekt për ty, po me këtë mjekrën, kështu, si të të them?!…”, i drejtohej një punonjëse në pension ish-shefit të saj kryebashkiak.

Asgjë e re. Njerëzit gjithmonë kanë pasur “hall” me u marrë me “Mustaqet e Çelos”, pra, me gjëra koti, teksa përballë kishin vërtet probleme që donin rrahur mes tyre. Duket se nuk ka lidhje, por është bash ajo mendësia e dikurshme e favoriteve (borsetave) të gjata si shfaqje e huaj, në vitet ’70, që pasohej gjer me fletërrufe. Personalisht, kur isha fëmijë, më ka pas bërë përshtypje mjekra e Ho Shi Min-it, udhëheqësit të Vietnamit, por jo si “shfaqje e huaj”. Aq më pak mjekrat e klasikëve të marksizmit: Marksit, Engëlsit e Leninit dhe mustaqet e Stalinit, pasi çdo gjë të tyre asokohe e quanim legjitime. Meqë jemi jashtë me shembujt ilustrues, zor se ndokujt i bën përshtypje mjekra e mjaft artistëve të Hollivudit, përkundrazi, mbase ajo i bën më tërheqës e interesantë. Fundja, është gjë krejt personale nëse dikush mban qime në fytyrë ose jo dhe dikush tjetër i rruan ato.

Problemi nuk janë ata, por ne që nuk shohim asnjëherë punën tonë, por “qimen” te tjetri, duke e trashur e bërë tra. (Ah, nëse në rrethanat e krijuara nga pandemia, “stili i mbajtjes së mustaqeve dhe mjekrës së gjatë nuk rekomandohet, sepse nuk janë të përshtatshme kur përdoret maska”, siç thuhet në rrjetet sociale, kjo prapë iu takon atyre ta gjykojnë).

Me apo pa mjekër, njerëzit kanë bërë mrekullira dhe marrëzira ndër kohëra. Filozofë, poetë dhe dramaturgë të mëdhenj të antikitetit greko-romak as s’i ka penguar, as s’i ka ndihmuar mjekra të ishin ata që janë. Me mjekër ishte Viktor Hygoi kur shkroi romani “Shën Mëria e Parisit”. Fan Noli ynë me mjekër bëri revolucionin demokratik të paarrirë në 1924-ën dhe një vepër letrare, historike, akademike të nivelit europian.

Thënë ndryshe, puna vlen për këdo, herët e vonë e jo (mos) duku, apo “guna”, siç thotë populli…

2 Sot, njerëz të rëndësishëm të vendit, për rastësi me mjekër, por pa pushtet, bëjnë thirrje të shpëtohen pyjet dhe pemëtoret nga zjarret e përhapura në të gjithë vendin, ndërkohë që njerëz me mjekër dhe me pushtet nuk i ngrënë helikopterët e shtetit për shuarjen e tyre, pa shkuar shkresat zyrtare nga prefekturat, a thua se zjarret e këtij gushti të nxehtë presin letrat e burokracisë që të fikën?!… Për të sjellë një rast emergjent, po bëhen dy javë që nuk po shuhen flakët në pyjet e lisit të Molungut dhe Katundit të Vjetër në zonën e Rubikut, një fshat turistik nga më të lakmuarit e Veriut, me disa resorte dhe kulla-bujtina, i frekuentuar dhe nga Tirana e Kosova, ku rrezikohet dhe një pyll shekullor gështenjash. Flakët kanë përshkuar dhe malet e Kakarriqit e Torovicës në rrethin e Lezhës, pyjet e Kukësit, Tropojës, Semanit e Gjirokastrës etj., siç thuhet, një “zakon” i keq i blegtorëve për të liruar kullotat, që ne nuk kemi qenë të zot t’i ndalim. Pa pushkë e pa topa, gjithë këto vite, zjarrvënësit tanë i kanë shkaktuar dëme vendit sa një ushtri pushtuese.

Ndoshta ca gjëra s’i ka ujdisur mirë as natyra, që stinës së verës i ka “dhënë” dhe plazhet e freskëta buzë detit dhe zjarret shpërthyese në male. Zyrtarët, me pushime, e kanë të vështirë t’i kthejnë kryet nga kreshtat malore ku del tym, teksa janë duke u shullâ në diell. Është e drejta e tyre që të pushojnë edhe ata si gjithë të tjerët, por shteti nuk “mbyllet” asnjëherë, ai ka njerëz që paguhen për emergjencat civile, verë e dimër, si ata kufitarët që ndërrohen me turne, por nuk e lënë asnjëherë në mëshirë të fatit piramidën që iu është besuar. T’u thuash pushtetarëve se dikur ka pasur edhe vrojtues pyjorë zjarresh që paguheshin, kjo duket sikur atyre po u tregon epokën e gurit. Apo t’u thuash tjetrën, se Kanadaja në flamurin kombëtar ka si simbol një gjethe panje. Ana tjetër, përballemi me zjarret, por jo me parandalimin e tyre nga zjarrvënësit e qëllimshëm, çka do të thotë se përgjegjësia është dhe e vetë komunitetit.

Mund të shtyheshim edhe më thellë kësisoj, jo vetëm në flakët që duken, në pyjet që digjen, pasi fundja ato, një herë do të shuhen, o nga zjarrfikësit e banorët vullnetarë, o nga shirat e mundshëm. Thelbi i gjësë janë “flakët” e padukshme, të përhershme të 30 viteve tranzicion. Ndaj, kush, mjekra e dikujt, apo tenderët e gabuar, janë problemi? Mjekra e qeveritarëve apo korrupsioni që ka paralizuar çdo “qelizë” të jetës?… Mjekra e ca udhëheqësve të maxhorancës, bashkë me atë të ca deputetëve të “konvertuar” në të tillë, apo ndryshimet kushtetuese pa opozitën reale?… Mjekra e njerëzve të drejtësisë apo dhënia udhë dosjes “339”?…

Mjekra prej vërteti (pa metaforë) është çështje vetëm për disa “shakaxhinj” dhe aspak për ata mijëra vetë që presin shtëpitë e “tërmetit” në Durrës, Thumanë, Laç etj., për të hyrë brenda në dimër…

Lë pastaj, për të hyrë të gjithë së bashku, me, apo pa mjekra, në Europë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura