Mjekja kardiologe, Lutfije Muka: “Ime më vuante nga zemra, prandaj zgjodha kardiologjinë”

May 14, 2015 | 14:57
SHPËRNDAJE

Mjekësia nuk është punë e të gjithëve, qofshin këta edhe të diplomuar në këtë degë. Duhet të studiosh vazhdimisht, sepse rruga nuk ka krye. Ekokardiografja Lutfije Muka, sot në prag pensioni, ka lënë gjithçka, edhe jetën e saj private, për të studiuar e punuar në mënyrë që studentëve të saj të mos u mungonte literatura që ajo nuk kishte dikur.

Me fizikën është luftë e kotë; i jep shenjat që në fillim. O do ta duash, o do të jesh përherë në përpjekje për të nxënë diçka por, në fund, do të dalësh, sidoqoftë, i humbur. Mjekja kardiologe, Lutfije Muka, e specializuar në fushën e ekokardiografisë, e ka dashur fizikën me shikim të parë. Madje, e ka dashur edhe përpara se ta njihte e më vonë, studionte. Kur shoqet e saj, në fëmijëri, qepnin fustane për kukullat, Lutfija, shihte ëndrra me ultra tinguj. Qysh në shkollë e thërrisnin doktoreshë. E nëse të gjithë kemi dashur të bëhemi 101 profesione gjatë asaj periudhe të parë formuese të jetës, Muka nuk u gjend asnjëherë në dilemë: do të bëhej mjeke dhe pikë!
U forcua edhe më kjo bindje kur e ëma e saj kishte nevojë për ndihmë mjekësore për shkak të një sëmundjeje në zemër. “Kardiologjinë e kam zgjedhur për dy arsye, e para sepse ime më ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë në zemër dhe dëshira për ta ndihmuar, më çoi drejt këtij specialiteti. Mirëpo nuk arrita, ajo u nda nga jeta pikërisht në kohën që unë u emërova në klinikën e kardiologjisë. Arsyeja e dytë ka qenë pasioni që kam pasur gjithnjë për fizikën dhe kiminë. Ligjet e fizikës, për ata që mund të kenë pak informacion, gjejnë aplikim të plotë në kardiologji, veçanërisht në ekokardiografi”, tregon doktoresha për kohët e para, atëherë kur nuk u luhat asnjëherë mes një zgjedhjeje a një tjetre. Disa vite pas diplomimit, ka qenë mësuese në shkollën e mesme mjekësore ndërsa më vonë, pedagoge e mjekëve të rinj që shpejt do të punonin bashkë me të. Por, as ajo vetë nuk e mbylli asnjëherë me studimet. Ishte vazhdimisht në kërkim për përmbushjen e saj profesionale. Pikërisht kjo këmbëngulje, e bëri që për një kohë jo të gjatë, të merrte titullin “Doktore e shkencave”, duke u kthyer kështu në një nga femrat e para në mjekësinë shqiptare, që fitonte këtë titull në specialitetin e saj. “E kam fituar këtë titull pas një pune vërtet të vështirë sepse në atë kohë, kam qenë e para që kam aplikuar një metodë të tillë në ekokardiografi, në fushën e sëmundjeve të lindura të zemrës. Ka qenë e vështirë jo vetëm nga ana teorike, por edhe nga ajo praktike, pasi literatura kardiologjike dhe ekokardiografike në Shqipëri ishte e vështirë të gjendej”. Megjithatë, siç shpesh ndodh në të tilla raste, gjendet gjithnjë dikush që është i gatshëm për të të ndihmuar. Për doktoreshë Lutfijen, ka qenë gjithnjë përkrahës prof. dr. Ylli Popa, prej të cilit siguroi edhe literaturën e udhëzimet që i duheshin. “Në Shqipëri, ekzaminimi ekokardiografik, ku përdoren ultratingujt, filloi në vitin 1981 me ekokardiografinë njëpërmasore. Por, fusha e kufizuar e pamjes dhe mungesa e ngjashmërisë së pasqyrimit të strukturave në të, me formën e saj anatomike si dhe orientimin hapësinor të tyre, u shmang nëpërmjet përdorimit të ekografisë dypërmasore. Kjo bën të mundur përcaktimin e formës anatomike dhe orientimin hapësinor, duke e zgjeruar shumë informacionin diagnostik. Bota, sigurisht që është përpara nesh”.

Falë studimeve të njëpasnjëshme, Lutfije Muka ka botuar edhe një monografi të titulluar “Ekokardiografia me kontrast në sëmundjet e lindura të zemrës”. Ka qenë kjo një dëshirë e saj për të lënë gjurmë, por mbi të gjitha për t’u shërbyer pasardhësve, studentëve të saj, mjekëve të rinj kardiologë. Ndryshe nga ajo vetë, që dikur haste shpesh vështirësi për shkak të mungesës së literaturës, për të rinjtë, sot gjërat bëhen më të thjeshta. Por, të gjitha këto kërkime, punë e vazhdueshme, orë e pa orë mbi libra, e kanë bërë doktoreshën të mos ketë kohë për asgjë tjetër në jetën ë saj, as edhe për të krijuar një familje. “Përkushtimi ndaj punës dhe kualifikimit profesional ka koston e tij. Nuk kanë qenë të pakta vitet e muajt kur unë kryeja punë me orare të zgjatura në laborator apo në Bibliotekë Kombëtare duke studiuar për mbrojtjen e temave shkencore”. Megjithatë, në këtë aspekt është ndier shpesh e shpërblyer dhe një nga kënaqësitë më të mëdha ka qenë pikërisht kur ka fituar titullin “Mjeshtre kërkimore”. Librat profesionalë nuk i ndau kurrë, as gjatë fundjavave, as gjatë orëve të lira. Deri sot, që është në prag të pensionit.  

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura