Mjekja aktore Anisa Markarian: Historia e persekutimit të familjes sime armene

Oct 9, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ne faqen e saj “Facebookut”, aktorja mjeke Anisa Markarian nuk ka qenë ndonjëherë shumë aktive. E shumta, mund të duket aty për të ndarë me miqtë e bashkëkohësit, ndonjë kujtim që për shkak të jetesës në Francë i bëhet edhe më i fortë. Tërheqin vëmendjen fotografitë e herëpashershme që nisin që nga koha kur ka qenë studente Mjekësie në Tiranë e deri ato të mëvonshmet kur u gjend në grupet e Kinostudios.

Anisa Markarian
Anisa Markarian

Veç të tjerash, ajo që të bën të ndalesh më gjatë është një video e realizuar prej saj së fundmi. Për shqiptarët, ajo është një nga aktoret më të bukura të Kinostudios që ka interpretuar në filmat “Në çdo stinë”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Ngjyrat e moshës”…

Por portreti i saj kishte gjithnjë një tis melankolie, që ndoshta i kishte rrënjët diku thellë.. Pikërisht në këtë video ajo rrëfen për historinë e rrallë të familjes së saj. Vuajtjet që kanë nisur për gjyshërit në kohën e gjenocidit armen, peripecitë e të atit pas vdekjes së prindërve të tij në moshë fare të re, e gjithë ç’rrodhi më pas.

Ç’rastësi e solli babain e Anisës në Shqipëri të punonte si dentist e të themelonte laboratorin e parë për prodhimin e aparateve të dhëmbëve?! Ç’ngjarje i ndërroi timonin jetës së tij ku lindi e rriti dy fëmijët; një vajzë dhe një djalë që u vuri emrat e prindërve. Anisa i tregon të gjitha vetë, bashkë me disa kujtime që ka përfshirë në një libër të sajin.

RRËFIMI…
Im at lindi më 3 mars 1898, në një qytet të ish-Anadollisë perëndimore ku jetonte një komunitet armenësh. Gjyshi im ishte specialist në përzgjedhjen dhe shitblerjen e opiumit, që përfaqësonte në atë kohë për krahinën e Afon Karaisarit, veprimtarinë më të begatshme. Gjyshja ime, Anisa Markarian, ishte shtëpiake dhe luajti një rol thelbësor në rritjen dhe edukimin e pesë fëmijëve të saj me respektin e traditës dhe të kulturës armene.

Në prill të vitit 1915, që shënon fillimin historik të gjenocidit armen, im atë sapo kishte mbushur 17 vjeç. Së bashku me të gjithë familjen, si miliona armenë të tjerë, u dëbuan nga qeveria turke e asaj kohe dhe internuan në shkretëtirën siriane Dertzor. Gjyshërit e mi, fatkeqësisht vdiqën gjatë marshimit rraskapitës për në kampet e përqendrimit, në një moshë fare të re, respektivisht 39 dhe 35 vjeç, për shkak të epidemisë së tifos që preku pothuajse të gjithë karvanët e armenëve në internim.

Anisa studente në Fakultetin e Mjekësisë, diplomuar më 1985
Anisa studente në
Fakultetin e Mjekësisë,
diplomuar më 1985

I mbetur jetim, im atë që ishte më i madhi i të pestë fëmijëve, mori mbi shpatulla edhe përgjegjësinë e kryetarit të familjes, dhe për të ushqyer të vëllain dhe tre motrat, punoi si stallier për kuajt dhe devetë, pranë disa fiseve arabe në shkretëtirën siriane. Në vitin 1921, pas gjashtë vitesh internimi, mundi të arratisej nga Siria dhe u kthye në Turqi, në Kostandinopojën që është Stambolli i sotshëm, ku gjeti punë si shegert pranë një dentisti armen.

Në të njëjtën kohë filloi edhe studimet në shkollën e mesme dentare në Stamboll. Me pasionin për stomatologjinë, në vitin 1926, u largua në Francë ku u emërua pastaj kirurg dentist, pranë shkollës dentare të Marsejës, në shtator të vitit 1931. Ardhja e tim eti në Shqipëri është fryt i njërës prej atyre befasive sa të pabesueshme, aq edhe të papërfytyrueshme të fatit. Pasi u diplomua në Francë, im atë vendosi të ushtronte profesionin e tij në Etiopi dhe pikërisht në trenin që po e çonte atje takon një udhëtar shqiptar që fliste turqisht.

Në bisedë e sipër, udhëtari i tregon tim eti se në vendin e tij, në Shqipëri, kishte shumë pak dentistë të diplomuar dhe nëse do të kishte dëshirë të shkonte të punonte atje, do të kishte shumë pacientë dhe do të bënte karrierë shumë shpejt. Im atë nuk mendoi më dy herë. I joshur nga fjalët e shqiptarit, ndaloi në stacionin më të afërt dhe bleu një biletë treni për në Selanik. Pastaj nga Greqia hyri në Shqipëri, së pari në Korçë, ku punoi si dentist me Kryqin e Kuq shqiptar deri në mesin e vitit 1931.

anisaaaaaaa
Në shkurt të vitit 1932, im atë hapi klinikën e vet dentare në Tiranë ku punoi deri në vitet e para pas çlirimit. Në vitin 1948, në kuadër të shtetëzimeve të pronës private, klinika iu konfiskua nga qeveria shqiptare e asaj kohe dhe im atë u punësua si dentist në klinikën dentare shtetërore në Tiranë ku punoi deri sa doli në pension në moshën 75-vjeçare.

Pavarësisht nga pengesat absurde që i krijonte qeveria shqiptare tim eti, qoftë në jetën familjare, qoftë në atë profesionale, im atë u ishte shumë mirënjohës shqiptarëve për mikpritjen dhe dashamirësinë që e rrethuan që ditën e parë që erdhi në Shqipëri. Këtë mirënjohje, babai ua shprehu shqiptarëve në shumë mënyra, në radhë të parë me ndershmërinë e tij të pafund, e veçanërisht me kontributin që i dha stomatologjisë sepse im atë është themeluesi i ortodoncisë shqiptare.

Në vitin 1952 hapi laboratorin e parë në Shqipëri, ku filloi prodhimin e aparateve për drejtimin e dhëmbëve dhe pastaj me shumë kënaqësi, këtë përvojë ua përcolli brezave të tërë të stomatologëve të rinj që patën fatin të diplomoheshin në vitet kur im atë punonte akoma në klinikën dentare qendrore në Tiranë. Fakti që jemi trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të një dëshmitari të gjenocidit armen dhe mbajmë emrat e gjyshërve tanë, Anisa dhe Markan Markarian, përfaqëson për mua dhe tim vëlla një pasuri të paçmuar në jetën tonë, është një trashëgimi morale, shpirtërore, historike, kulturore, dhe në të njëjtën kohë një përgjegjësi të veçantë.

Përgjegjësinë, tani që jemi vetë prindër, përpiqemi t’ua transmetojmë fëmijëve tanë këtë trashëgimi të paçmuar, në mënyrë që t’i ndërgjegjësojmë për origjinën e tyre armene. Në mbyllje të kësaj bisede, më lejoni t’ju lexoj një paragraf të shkurtër nga tregimi autobiografik që i jep titullin librit tim “Sënduku i kujtimeve”.

“Kujtimet e mia me Serafin Fankon”
Serafini kishte fisnikërinë, urtësinë, dhe hijeshinë e një princi të qëmotshëm. E, në vend të diademës, një kurorë misteri… Kur më njoftuan që kishte pranuar të interpretonte rolin e profesorit në filmin “Pranvera s’erdhi vetëm”, natyrshëm më kaploi dëshira t’i puthja dorën në shenjë falënderimi.

anisssaa
Angazhimet teatrore e patën penguar të vinte në Kinostudio për fazën përgatitore. E takova “për së vërteti”, (në ëndërr, tashmë, e hasja pothuaj çdo natë), vetëm pak minuta përpara se të xhironim skenën tonë të parë. Nuk i putha dorën, siç kisha menduar… Iu hodha në qafë!

Më ftoi t’i ulesha pranë tek po e grimonin; nxori nga xhepi tri faqe të skenarit, (të nënvizuara, të plotësuara, të komentuara rresht pas rreshti), e m’i dha t’i lexoja.

– Si po mendon, oj burrneshë?
– Jam dakord profesor – iu përgjigja, sy më sy.

Ishim gjetur përpara se të njiheshim; ishim sinkronizuar në të njëjtat gjatësi valësh; kishim komunikuar në gjuhën që flasin (ose më saktë, nuk flasin, sepse u është e tepërt) ata që mirëkuptohen artistikisht kur përbashkojnë shkëndijëzat e frymëzimit, kuturisjet e penës, hazdisjet e fantazisë, përpëlitjet dhe mëdyshjet, improvizimet përpara kamerës, thjeshtësinë e interpretimit…

Thjeshtësia gjer në madhështi ! Fliste pak e rrëfehej edhe më rrallë. Për t’ua lënë vendin gjesteve, veprimeve, mimikës. Dy trokitje të lehta mbi sup, për të më kujtuar që nuk duhej t’i mëshoja germës “sh”, (sepse gërvishtja ajrin, sikur po fishkëlleja); një vezullim i syve, si një kërcitje çak-u, për të më dhënë sinjalin e fillimit të dialogut; një puthje në ballë pas dublit të fundit, për të më hequr lodhjen e ditës; zhubrosja mospërfillëse e vetullave zeshkane sa herë që e këshilloja të pakësonte duhanin; dora që kridhej në flokët e dendur e rrëzonte përdhe grimca  xixëlluese… (Po shkërmoqej diadema e mistershme?!)

Anisa Markaian dhe Serafin Fanko
Anisa Markaian dhe Serafin Fanko

Serafini sekret, me bërthamën të padepërtueshme. Zanafillën e talentit në një burim të pazbuluar; lëndinat e frymëzimit ende të parrahura; hovet krijuese të pazbërthyer. Gjer ditën fatbardhë kur do të shkelja në Shkodër për premierën e filmit. Në Shkodrën e tij. Aty ku më mirëpritën Fadili (Kraja), Barleti, Mjeda, Fishta, Koliqi, Prennushi, Migjeni, Gurakuqi…

Në Shkodrën e kulturës gjithëkohore, që më besoi kodin e fshehtë për të deshifruar ARTISTIN. Po përse, përse nuk e kisha njohur më parë?! (Sa herë ia kam bërë këtë pyetje vetes pas përfundimit të filmit.) Sepse do ta kisha ndërtuar ndryshe rolin e profesorit po ta kisha parandier që do ta interpretonte ai. Do t’i kisha vënë në gojë fjalë më poetike, në përputhje me lirizmin e shpirtit; do t’i kisha shtruar livadhe pauzash për t’i nxënë qetësinë e mendimit; do të kisha sajuar një përmasë të katërt për t’i karakterizuar eklektizmin.

Serafini ëndërrimtar, me sytë miklues drejt pafundësisë së qiellit, duke gjurmuar shtegun që do t’i lejonte udhëtimin e amshuar. Aq sa nuk ngurroi më asnjë çast, kur e pikasi.(Ç’ishte gjithë ky ngut, Profesor?!). Shpalosi krahët ngjyrë argjendi e mori fluturimin, dy vjet, ditë më ditë, përpara sime meje. Ja përse në çdo 29 shtator ndez dy qirinj mbi varrin e saj. Edhe sot…

Brenga e tim eti
Në shtëpinë tonë, secili kishte sëndukun e tij të kujtimeve. Sënduku i tim eti, me tri brava, ishte më i rëndësishmi, ne e quanim bauli i madh. Çdo herë që pështesja faqen mbi kapakun e tij të drunjtë, parafytyroja tim atë me sëndukun në krah që endej nga njëri shtet në tjetrin, i dëbuar me forcë nga shtëpia e tij, shtëpi që do ta kërkonte, do ta ëndërronte e do të na e përshkruante gjithë jetën me mall të përvëluar.

Prindërit i humba rrugëve të internimit, i kishin faqet ende të kuqe kur i varrosën, qante im atë. I groposëm në varre të përbashkët se vdisnin me dhjetëra, me qindra çdo ditë. “I kishin faqet të kuqe! Mos i kam varrosur të gjallë!”. Kjo brengë do t’ia brente zemrën e shpirtin gjer në fund të jetës.

Vite më vonë, kur do të studioja në Mjekësi, do të mësoja se të sëmurët nga ethet tiroide vazhdojnë t’i kenë faqet e kuqe dhe trupin të ngrohtë edhe për shumë orë pasi kanë vdekur. Por nuk bëra në kohë t’ia thosha. Iku përgjithnjë me brengën të pashlyer.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura