Mjekët larg vendbanimit, 100 mijë lekë shtesë në muaj

Jul 31, 2015 | 11:27
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare duket se ka gjetur zgjidhjen për mungesat e mjekëve specialistë kryesisht në zonat rurale. Kështu, ata që janë të gatshëm të punojnë në zonat larg vendbanimit të tyre do të kenë një stimul prej 100 mijë lekësh shtesë, përveç pagës së përmuajshme.

Këtë parashikon vendimi i bërë publik një ditë më parë nga numri një i qeverisë, Edi Rama, gjatë fjalimit për 300 ditët e ardhshme. “Qeveria vendos të ofrojë një shpërblim shtesë për çdo mjek që vendos të ushtrojë profesionin e tij larg vendbanimit, sepse kemi një problem të madh, të mungesës së mjekëve në shumë zona, madje edhe në spitale rajonale ku ka mungesë specialistësh.

mjeket-proteste

Për të gjithë ata që do të jenë të gatshëm të marrin përsipër detyrën larg vendbanimit të tyre, çdo muaj nga 100 mijë lekë shtesë, jo të vjetra”. Efektet financiare të këtij vendimi, sipas kreut të Ekzekutivit, janë pjesë e buxhetit të miratuar për spitalet për vitin 2015.

VENDIMI

Jo të gjithë mjekët që dëshirojnë mund të punojnë larg vendbanimit në këmbim të pagës së majme. Ministria e Shëndetësisë sqaron se bëhet fjalë për jo më shumë se 200 mjekë në vit, të cilët mund të përfitojnë duke shërbyer në spitale ku ka nevojë për specialistë. Vendimi do të zbatohet pasi të botohet në Fletoren Zyrtare, ndërsa Ministria e Shëndetësisë thekson se ky stimul do të jetë në fuqi vetëm për një periudhë të caktuar kohe. Aktualisht një mjek paguhet mesatarisht 45-55 mijë lekë në muaj.

Me vendimin e ri, pagesa për ata që pranojnë të udhëtojnë me orë çdo ditë për në punë mund të përllogaritet mesatarisht 150 mijë, bashkë me bonusin e lartpërmendur. Qeveria është detyruar të marrë një vendim të tillë pas shqetësimeve të shprehura prej kohësh për mungesën e mjekëve specialistë në spitalet rajonale apo qendrat shëndetësore në zona të thella të vendit. Ministria e Shëndetë- sisë ka përshëndetur qëndrimin, duke u shprehur se kjo do të nxisë bluzat e bardha drejt spitaleve ku ka realisht mangësi.

ARRITJET

Në kryefjalën e 300-ditëshit të ardhshëm, kreu i Ekzekutivit bëri publik disa nga arritjet në fushën e shëndetësisë, si telemjekësia, ekzaminime falas, si dhe eficiencën e skemës së re të barnave me rimbursim.

“Qytetarët sot paguajnë 30% më pak për barnat dhe u kemi kursyer 70 milionë dollarë xhepave të qytetarëve, duke shtuar 85 barna të rimbursueshme, nga të cilat përfitojnë 150 mijë qytetarë dhe më shumë. Sot, çdo shqiptar i grupmoshës 40-65 vjeç përfiton edhe kontrollin mjekësor falas”, vuri në dukje Kryeministri, duke shtuar se ka ende shumë për të bërë.

Rama ftoi qytetarët të monitorojnë qendrat shëndetësore, spitalet rajonale dhe ato universitare ku, sipas tij, ofrohet shërbim 24 orë nga mjekë e infermierë.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura