Mjekët e familjes, jo punësim në spitalet private

Jan 5, 2016 | 11:30
SHPËRNDAJE

Mjekët e familjes nuk do të lejohen të ushtrojnë profesionin e tyre edhe në spitalet private. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka miratuar kontratat e reja për vitin 2016, ku përcaktohet se mjekët e qendrave shëndetësore e kanë të ndaluar të punojnë në shërbimin jopublik. Një gjë e tillë ishte bërë e ditur me herët për shefat e shërbimeve, por me sa duket dypunësimi do të jetë i ndaluar edhe për mjekët e familjes.

mjeket

“Një tjetër pikë e rëndësishme që i takon mbulimit të shërbimit te porta e parë e sistemit, pra te mjeku i familjes, është përcaktimi për herë të parë në kontratë i ndalimit të dypunësimit të mjekëve. Kështu, nëse një mjek që punon në një qendër shëndetësore, ushtron aktivitet të plotë ose të pjesshëm në një spital privat, ai do duhet të zgjedhë mes shtetit dhe privatit. Aktiviteti në qendrën shëndetësore do të mund të ushtrohet vetëm me kohë të plotë dhe nuk do të lejohet dypunësimi i mjekëve”, bëhet e ditur nga Fondi.

Po ashtu, mjekët e familjes do të kenë detyrimin që për individët që e kanë të pamundur të paraqiten pranë Qendrës Shëndetësore, t’u ofrojnë atyre shërbimin e nevojshëm në shtëpi.

“Bëhet fjalë për të sëmurët tetraplegjikë, paraplegjikë, të verbër, invalidë të përhershëm dhe të tjerë, të cilëve gjendja shëndetësore nuk u mundëson paraqitjen në institucionin shëndetësor. Në kontratën e re është parashikuar rritja e penaliteteve për mjekët që nuk zbatojnë detyrimin për t’u ofruar shërbimin në shtëpi këtyre personave”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura