Mjekët, 36 për qind të paaftë, rrezikojnë vendin e punës

Feb 25, 2015 | 8:50
SHPËRNDAJE

Rreth 36% e mjekëve në të gjithë vendin, nuk janë vlerësuar pozitivisht në programin e edukimit në vazhdim. Në harkun e pesë viteve, pra nga viti 2010 deri tani, ata nuk kanë marrë kreditet e mjaftueshme, që u japin të drejtën e ushtrimit të profesionit, duke rrezikuar në këtë mënyrë vendin e punës për shkak të paaftësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Beqaj

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, 1800 mjekët që nuk arritën të certifikohen, do të kenë edhe 6 muaj afat. Ata do t’i nënshtrohen një provimi që do të jetë edhe mundësia e fundit, pasi nëse nuk do të arrijnë të jenë kalues do të konsiderohen si të paaftë për të mbajtur veshur bluzën e bardhë. Mësohet se listat emërore do të bëhen publike brenda mesit të muajit prill.

“Që në krye të herës është vendosur që këta njerëz do të duhet t’u jepet një mundësi prej 6 muajsh, që të hyjnë në një provim ricertifikimi. Do ta shpallim më 15 prill listën nominale. Pastaj, me një rregullore të caktuar, gjithsecili do të ketë datën kur duhet të japë një provim ricertifikimi. Pas atij 6-muajshi, nuk mund të marrë përsipër që ai të mund të ushtrojë më profesionin. S’pati mundësinë për 150 kredite, por nuk pati mundësinë as për programin”, tha Beqaj.

Këto deklarata, kreu i shëndetësisë i bëri në QSUT, ku mori pjesë në analizën vjetore të departamenteve të kardiokirurgjisë. Programi i edukimit në vazhdim përcakton që në 5 vite, një mjek duhet të grumbullojë në total 150 kredite. Këto llogariten nga pjesëmarrja në konferenca, seminare, trajnime etj. Këto aktivitete shënohen në portofolin profesional të çdo mjeku. Kreditet janë dëshmi për të faktuar që një mjek, në mënyrë të vazhdueshme ka studiuar është njohur me të rejat e fundit nga mjekësia, dhe është në koherencë me to.

DENTISTËT E FARMACISTËT
Edhe më rëndë paraqitet situata me dentistët. Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, 52% e tyre apo thënë ndryshe 1096 dentistë, që ofrojnë shërbim shtetëror dhe privat, nuk kanë dëshmuar në fund të ciklit 5 vjeçar, se janë të aftë për të vijuar me mbajtjen e vendit të punës. Ata janë vlerësuar me më pak se 100 kredite. Ndërsa sa i takon farmacistëve, janë 28% ata të cilët kanë marrë vlerësim negativ. Provimi do të nisë në datën 15 prill, dhe do të shtrihet në 6 muaj. Pra, deri në tetor do të hartohet kalendari i datave të provimit për mjekët, farmacistët dhe dentistët. Pas tetorit, ata që nuk do të jenë kalues në këtë provim do të përballen me shkresën, në të cilën u njoftohet largimi nga vendi i punës.

TESTIMI
Ministri i Shëndetësisë, Beqaj, u ndal edhe në protestën e mjekëve dhe infermierëve, të cilët kanë kundërshtuar nismën për testimin e tyre. Beqaj ka garantuar se nuk do të aplikohen penalitete nga rezultatet e këtij testimi. Nga procesi i testimit, nuk cenohen 3 gjëra që janë shumë të rëndësishme: kontrata e punës, paga dhe e drejta e ushtrimit të profesionit. Pas testimit, asnjëra nga këto të tria nuk cenohet”, ritheksoi ministri. Në datën 28 shkurt dhe 1 mars është përcaktuar testimi i infermierëve të QSUT.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura