Mjekë e infermierë shqiptarë në Itali, Spiropali i përgjigjet kritikëve: Pyka të tillë historia i ka qeshur dhe koha i ka flakur

Mar 29, 2020 | 16:30
SHPËRNDAJE

Mbërritja e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali për të luftuar kundër Covid-19, ka zënë sot faqet kryesore të mediave përtej Adriatikut dhe ka shkaktuar një reagim entuziast në të gjitha nivelet e shoqërisë italiane.

elisa spiropali

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një postim në rrjetet sociale duke e komentuar pasqyrimin e gjerë në Itali të këtij gjesti, thotë se “ne nuk harrojmë, do t’ju gjendemi miqve tanë sot në këtë ditë të zezë, dhe kurdoherë që fati do të na sfidojë”.

Ndërsa ka dhe një përgjigje për kritikët: “Ka pasur gjithmonë Shqipëria pyka të tilla që historia i ka qeshur dhe koha i ka flakur”.

POSTIMI I ELISA SPIROPALI

Mbërritja e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali për të luftuar kundër Covid-19, ka zënë sot faqet kryesore të mediave përtej Adriatikut dhe ka shkaktuar një reagim entuziast në të gjitha nivelet e shoqërisë italiane.

Conte dhe Di Maio kanë përcjellë fjalën e Kryeministrit Rama, dhjetra politikanë, kryetarë bashkish e autoritete të tjera, i jane bashkuar falenderimit, mjekë, gazetarë, mijëra italianë të zakonshëm që i ka zënë hall i madh në luftën me armikun e pabesë, kanë shprehur mirënjohjen e tyre me fjalë nga më të zgjedhurat.

Ky akt i autoriteve shqiptare dhe ky gjest human i mjekëve tanë, na përbashkon, shqiptarë dhe italianë, në një ndjenjë mallëngjyese solidariteti mes dy vendeve dhe dy popujve që ndajnë shumë histori nga më të dhimbshmet. Italianët na janë gjendur si askush tjetër në kohët më të vështira, kur shqiptarët kërkonin strehë larg pushtimit, poshtërimit apo varfërisë, por edhe sot kur duam t’i bashkohemi institucionalisht Evropës së bashkuar.

Ne nuk harrojmë, do ju gjendemi miqve tanë sot në këtë ditë të zezë, dhe kurdoherë që fati do të na sfidojë.

Në kontrast me këtë shpërthim reagimesh humane andej, capak faqezinj këtej, po sulmojnë ideatorin, kryeministrin, qeverinë, dhe këtë vendim që i ka dhënë krenari shqiptarëve kudo ku ndodhen. S’ka problem. Ka patur gjithmonë Shqipëria pyka të tilla që historia i ka qeshur dhe koha i ka flakur.

Krenare për Shqipërinë !

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura