“Mjaft u qave në TV”, Cungu fal Rexhinaldon. Drejtori Nexhipi ul “gjakrat”

Oct 11, 2018 | 14:11
SHPËRNDAJE

Dy humbjet ndaj Skënderbeut e Partizanit, por sidomos kjo e fundit, kanë sjellë tension në radhët e Kukësit. Kjo gjë u reflektua te deklaratat dhe kundërdeklaratat mes Armando Cungut me Arturo Rexhinaldos. Sulmuesi nuk i duroi dot kritikat e transmetuara nga mediat prej trajnerit të tij dhe ndaj nuk ngurroi që të shpërthente në një prononcim për “Panorama Sport”.

cungu

Polemikat midis të dyve kanë shqetësuar jo pak ambientin e brendshëm në ekip, e megjithatë ka qenë vetë tekniku shkodran ai që ka bërë “pas”. Për shkak të detyrës, moshës e eksperiencës së tij, ai ka menduar që ta falë lojtarin. Palët nuk janë takuar drejtpërdrejt, por nëpërmjet drejtueseve të tjerë, Armando Cungu ka menduar që ta tolerojë sjelljen e afrikanit, por me një kusht: që të mos përsëritet më.

Kukësi kërkon rikthimin te fitorja dhe një situatë e tillë nuk i bën mirë askujt, ndaj këtë gjë e kanë kuptuar mirë në klub, duke filluar nga i pari e deri tek i fundit. Presidenti Safet Gjici pret që të zgjidhet ngërçi, ndaj ka dhënë “urdhër” që të gjithë t’i rikthehen punës dhe t’u japin fund mosmarrëveshjeve apo konflikteve të vogla mes palëve, para se vendimet të shkojnë tek ai, sepse në të kundërt masat do jenë drastike. Ndaj, kreu i verilindorëve ka kërkuar relacion për çdo lojtar, duke filluar nga stërvitjet e vazhdueshme e deri te rezultatet.

Ndërmjetësia – Nderim Nexhipi, i autorizuar nga vetë presidenti, mori në dorë situatën. Gazeta mëson prapaskenën sesi veproi drejtori për të zgjidhur këtë çështje. Fillimisht, ai takoi trajnerin, të cilit i kërkoi që çdo gjë që të mbyllet brenda familjes duke shmangur deklaratat në media, qoftë edhe kur kritikohen lojtarët. Edhe pse në parim ai i dha të drejtë Armando Cungut, me mirëkuptim i kërkoi që për hatër të ekipit të falet lojtari dhe “zbutej” tensioni.

E kështu është rënë dakord. Hapi i dytë ka qenë takimi me Arturo Rexhinaldon. Para se sulmuesi të largohej drejt Mozambikut (ku është grumbulluar nga kombëtarja), drejtori e ka takuar. Futbollisti i ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me trajnerin, por Nderim Nexhipi jo vetëm që ka kritikuar për këtë reagim, por edhe e ka “kërcënuar” me gjobë. Më tej, drejtori e ka sqaruar dhe bindur, që gjithçka të shuhej aty për aty. Kushti është që mos të përsëritët më si rast, në të kundërt masat do jenë të rënda. Dhe sulmuesi i ka shprehur se deklarata ka qenë emocionale dhe se nuk do ketë më zënka të tilla.

S. Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura