Mitrovica vs. Presheva

Aug 9, 2018 | 11:54
SHPËRNDAJE

REDI SHEHUredi shehu

Jo larg, por dhjetë vjet më parë, në një ditë të ftohtë dimri, mijëra vetë mbushnin sheshet e Prishtinës dhe të gjitha qyteteve kosovare, duke festuar të ekzaltuar për shpalljen e pavarësisë së një cope Shqipërie të persekutuar për gati një shekull nën një aparteid serb krejt tipik në llojit e vet. Avulli që dilte nga gojët e shqyera prej gëzimi të atyre turmave njerëzore, jepte përshtypjen e një makinerie gjigante njerëzore prej avulli e vënë në lëvizje nga një shkak i jashtëzakonshëm. Asokohe, sheshet ishin mbushur me ngjyrën kuqezi të flamurit kombëtar shqiptar dhe as që mendohej e as që imagjinohej që pak vite më vonë, një copëz blu, me një hartë të verdhë administrative të Kosovës, do të përbënte atë flamurin anemik politik të saj, i cili do të shërbente si alibia e korrektesës dhe ndershmërisë së politikanëve kosovarë në raport me atë që ata fort pëlqejnë ta përmendin: dhuruesit e pavarësisë së Kosovës!

Prej asaj dite të ftohtë, shumë gjëra kanë ndodhur dhe pranvera kosovare, në kuptimin politik, po ngelet gjithmonë e më shumë një stinë me pak lule të çelura. E përmbledhur në pak fjalë, ajo që ka ndodhur me bisedimet apo negociatat që politika kosovare ka bërë në Bruksel me serbët, apo edhe me vetë Bashkimin Europian, ka qenë të pranuarit me plot gojë të të negociuarit të persekutimit, vuajtjes dhe aparteidit me shkaktarin e saj. Në përgjithësi, zakonisht, bisedimet janë një proces që angazhon dy palë, të cilat negociojnë asetet e veta për të arritur në një marrëveshje dypalëshe. Kosova ka qenë prezente në këto bisedime, duke vënë në tryezë asetin e vetëm që kishte, atë të të qenurit viktimë e padrejtësisë dhe vrasjeve historike ndaj saj. Ky aset, për shkak se gëzon atribute morale të njohura ndërkombëtarisht, është i panegociueshëm. Nuk mundet askush të negociojë mbi gjakun, pronën, territorin apo edhe moralin e një kombi. Këto janë vlera të pacenueshme dhe të panegociueshme nga askush.

Gabimi me politikën kosovare ishte pikërisht ky, që lejoi dhe pranoi të vinte në tryezën e pazareve politike ndërkombëtare asetin e panegociueshëm të saj. Që me pranimin e fusnotës e deri te marrëveshjet diskriminuese ndaj saj, politika kosovare i ka hequr statusin moral të pacenueshmërisë dhe paprekshmërisë së vlerave të veta morale kombëtare.

Nëse Kosova nuk do të pranonte të ulej në negociata, të cilat preknin sadopak këtë aset, ajo sot do të ishte më e avancuar në bisedime, të cilat do të mbronin më shumë interesin e saj si shtet i ri dhe modern.

Tani, aq bajate janë bërë të luajturit me gjërat e panegociueshme dhe të pacenueshme, sa ajo harta e verdhë e territorit të Kosovës në një sfond blu të flamurit politik kosovar, duket se nuk do ta ketë jetën e gjatë. E ku është problemi?, – mund të thotë dikush. Ne jemi akoma në botën e eksperimentit dhe epruvetës politike, ndaj çdo gjë është e lejuar. Pas dhjetë vitesh ekzaltime popullore dhe lëpirje të pështira të elitave politike kosovare, rezultatet të çojnë drejt një pesimizmi, i cili sa vjen e bëhet më progresiv lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me Kosovën. Sot, pas dhjetë vitesh, në një hipnozë pavarësie, diskutohet nëse do të ndahet Kosova apo jo. Dikush me një entuziazëm adoleshentësh bërtet se mund të marrim Luginën e Preshevës në këmbim të Mitrovicës së Veriut ! Uaaauuu! Po paprekshmëria dhe pacenueshmëria? Po statusi moral i të qënurit meritor për të gëzuar atë që të është privuar? Ku vajtën? Kush i harroi?

Vjen një pikë dhe gjërat pas shumë absurditetesh kalojnë në statusin e tyre qesharak. Kishte jo pak, por më shumë se dhjetë vite që na thuhej se për të bërë gjënë e natyrshme, bashkimin me Shqipërinë, ishte jo vetëm e parealizueshme, por edhe e pamendueshme. Kjo, se na zemërohen aleatët. Sot, pas gjithë kësaj periudhe, përballesh me një mundësi, e cila për çudi duket krejt e lehtë: lëshimi i Mitrovicës së Veriut dhe këmbimi me Luginën e Preshevës. Pra, nëse harta anon nga bashkimi dhe zgjerimi i faktorit gjithëshqiptar, kjo është e pamendueshme, por ama nëse anon nga tkurrja dhe deformimi, kjo na qenka diçka krejt e lehtë. Në situatën në të cilën ndodhet sot Kosova, është më e lehtë qërimi nga harta i Mitrovicës së Veriut, sesa shtimi me Luginën e Preshevës. Ky është një hesap i lehtë për t’u bërë. Deklaratat e Presidentit te Kosovës, z. Thaçi, nuk duket se janë origjinale të vetat, sepse është pak e çuditshme që nga një sjellje politike tërësisht vasaliteti, të kalohet në një deklaratë të tillë pa mendimin dhe aprovimin e partnerëve. Gjithashtu, z. Thaçi duhet të na sqarojë se çfarë do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por do të këtë shtim të territorit të saj me Luginën e Preshevës. Nëse me këtë i referohet një dëshire të paparë serbe për integrim në BE, saqë të jenë në gjendje të na e falin Preshevën, kjo as që nuk futet në kategorinë “arsyetim normal”. Nëse me këtë do të na tregojë se do bashkohet me Shqipërinë dhe me Preshevën në të njëjtën kohë, kjo do të ishte një aventurë që Europa dhe historia moderne e saj na ka mësuar se është në limitet e fantazisë. Atëherë, çfarë do të thotë “nuk do humbim territore, po do marrim Preshevën” dhe këtë me referendum popullor? Çështja e Mitrovicës së Veriut, së pari nuk është “çështje”; së dyti, nuk ka asnjë lidhje paralelizuese me Luginën e Preshevës. Këto janë çështje të ndara. E vetmja gjë që i bashkon është se futen brenda kategorisë “çështje shqiptare”. Nëse duam që të zgjidhim çështjen shqiptare duke sakrifikuar një çështje shqiptare, kjo nuk ka të bëjë me ndonjë zgjidhje, por me pazare tipike historike ndërkombëtare në kurriz tonin.

Gjëja tjetër që të lë me gojëhapur është përshkrimi në tërë këtë histori të Serbisë, e cila me tabaka në dorë është e gatshme të na japë Luginën e Preshevës. Serbia, edhe kur e pati humbur luftën në kulmin e disfatës pati bërë me dije se kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova; imagjinoni tani se çfarë do të bënte me Luginën e Preshevës. Por, edhe nëse do të ndodhte një shkëmbim i tillë, kjo do të legjitimonte çdo përpjekje shqiptare pastaj për të bashkuar kufirin artificial shtetëror me atë natyral kombëtar dhe kështu, Ballkani do të duhej të kthehej në një qendër gjigante tregtare, ku aktiviteti kryesor i saj do të ishte “real estate” me këmbim pronash. A do të ishte e gatshme BE-ja për një gjë të tillë?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura