Miti i rrëzuar i shkollës dhe forca e dijes

Sep 17, 2018 | 12:14
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI/ baci agimI dashur Amar,

Ti sot hedh një hap tjetër, në një tjetër cikël shkollor, që mund të të çojë një hap larg asaj që mund të quhet profesioni yt i ardhshëm. Përpara se të them se sa e rëndësishme është të ndjekësh ëndrrën tënde për dituri, u ndala të kujtoj për një emision ku hetohej për mënyrën se si merreshin titujt shkencorë, se si pseudo-revista shkencore botonin pa asnjë verifikim artikuj që ishin copëza të mbledhura aty-këtu dhe me emra “autorësh” që as do t’u kishte shkuar kurrë ndërmend se do t’u dilte emri në revistë, e aq më pak në një revistë shkencore. Kjo, të them të drejtën, ma vështirëson detyrën time të të theksoj se sa e rëndësishme mbetet dija sot e në të ardhmen, pavarësisht se do të ketë sharlatanë që e përdorin dijen për t’u hedhur hi syve të tjerëve. Mundet që të tillë sharlatanë të përfitojnë për një farë kohe para dhe punë të mira. Por të sugjeroj të ndjekësh këshillën që Presidenti i famshëm amerikan, Abraham Lincoln, i jepte të birit, se është më e ndershme të dështosh sesa të mashtrosh, sepse nëse do të mashtrosh për atë që di apo për atë që do, kurrë nuk do të arrish të shohësh as vetveten në sy.

Biri im, ne, prindërit e tu, e dimë se shkolla sot e ka humbur rëndësinë e dikurshme dhe se sakrifica për diturinë shpesh vihet keqazi në lojë nga ata që adhurojnë vetëm paranë. Por kjo, biri im, sado që të zgjasë nuk do ta mundë kurrë fuqinë që ka dituria dhe mrekullinë që buron nga krenaria se zotëron shumë mirë punën tënde. Kjo do të bëjë të mësosh atë që filozofi Fernando Savater e quan “vesin e të jetuarit mirë” – që do të thotë të besosh tek ëndrrat e tua dhe të besosh tek ato edhe pasi ke humbur një apo më shumë herë. Kjo do të të mësojë të dish të thuash “po” dhe “jo” atëherë kur beson ti se duhet ashtu, e jo kur këtë ta kërkojnë të tjerët.

Shumë persona në jetë justifikohen për gabimet e tyre se “s’mund të bënin ndryshe”, se “të gjithë bënin ashtu”, “se ashtu ishte koha”. Por ta dish se kjo është vetëm një justifikim për mungesën tënde të lirvijon nga faqja 1 isë për të qenë burrë, për të vendosur. E di që nuk është e lehtë. Por nuk duhet të harrosh se të heshtësh përballë së keqes do të thotë se i ke dhënë jetë ligësisë, pa besuar se një ditë ajo ligësi do të kthehet edhe ndaj teje. Ndaj, merr një profesion dhe lexo, që të mos kesh thjesht një punë për të marrë para, por një jetë ku të vendosësh për vetveten, për atë që beson se është e mirë për ty, pa kërkuar kurrë t’i marrësh atë që i takon dikujt tjetër.

Biri im, kemi folur shpesh bashkë se sa e rëndësishme është të shmangësh në jetë destinacionet e “Askundit” dhe “Hiçit”, të cilat shpesh janë pjellë e mungesës së mirësisë dhe guximit. Mund të ketë njerëz që mund të qeshin me këshillat e mia dhe me idetë e tua për të lënë mënjanë pak nga argëtimet e moshës e për të mësuar, për të marrë një profesion. Shumë mund ta konsiderojnë të padobishme edhe këshillën për të guxuar të jesh vetvetja edhe në humbje, edhe kur përlotesh. Por ta dish se nuk ia vlen kurrë të marrësh këshilla nga ata që nuk i kushtojnë rëndësi gjësë më të rëndësishme – jetës!

Por unë, biri im, të këshilloj të besosh te vetja jote. Të këshilloj t’i hapësh dyert besimit e jo dyshimit, sepse dyshimi nuk sjell asgjë të mirë edhe nëse vjen me fitore. Të këshilloj të besosh edhe atëherë kur do të ndeshësh në jetë njerëz që duan shumë gjëra, por që më pas nuk bëjnë asgjë, ose që bëjnë krejt të kundërtën e asaj që thonë. Duhet të besosh edhe atëherë kur do të ndeshësh njerëz që nuk kanë as më të voglën kureshtje që të kuptojnë se çfarë mund t’u bëjë mirë atyre. Sepse shumë prej tyre do të harxhojnë më vonë pafundësisht para apo energji për të marrë atë që humbën si qenie njerëzore, atë që humbën me miqtë, me familjet e tyre, me vetveten.

Unë, biri im, do të jem duke udhëtuar me ty, teksa pyesim se si ia vlen të jetojmë. E nëse gabon, ta dish se në gabimet e tua kam edhe unë pjesën time, se ndoshta nuk kam ditur të t’i them gjërat e duhura. Për këtë ia vlen të lexosh, t’i kapërcesh këshillat e mia modeste dhe të kuptosh se dituria e besimi nuk do të lërë kurrë pa përgjigje…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura