Miti i librarëve italianë te “Luarasi”: Universitet prestigjioz

Nov 17, 2018 | 9:48
SHPËRNDAJE

Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Luarasi” u njohën dje me teknikat bashkëkohore të menaxhimit dhe marketimit të librit.

Romano Montroni, dje në leksionin e hapur me studentët e “Luarasi”
Romano Montroni, dje në leksionin e hapur me studentët e “Luarasi”

Nuk ishte përfaqësuesi i një shtëpie botuese e as një librar ai që lektroi para studentëve, por truri i rrjetit të librave “Feltrinelli”, Romano Montroni, i njohur gjerësisht si miti i librarëve italianë. Përreth një orë në bisedë me të rinjtë e “Luarasit”, Montroni foli për librin dhe veprimet e marketimit që duhet të ndërmerren për ta shitur atë.

Këtë e ilustroi me pjesë nga vepra e sapoardhur në Shqipëri nën logon e “Toenës”, “Të shesësh shpirtinzanati i librashitësit”, ku vë në pah rolin e jashtëzakonshëm që ka libri për formimin arsimor kulturor të një kombi. Të pranishëm në leksionin e hapur ishin drejtues, pedagogë e studentë të Universitetit “Luarasi”, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Alessandra Malgarini, si dhe drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”.

VLERËSIMI

Kanë mjaftuar vetëm pak orë qëndrimi dhe kontakt me të rinjtë dhe stafin akademik të “Luarasit”, që një personalitet i shquar i shtetit fqinj si Romano Montroni të shprehë vlerësimet më të larta për “Luarasin”. Sipas tij, cilësia e studentëve dhe stafit akademik të “Luarasit” janë një vlerë e madhe për këtë universitet.

lua

“Më bëri shumë përshtypje cilësia e studentëve të Universitetit “Luarasi” e kjo është një vlerë për institucionin. Përshtypjet më pozitive vijnë edhe për stafin akademik e mendoj se profesorët janë në lartësinë e duhur në këtë ambient kaq prestigjioz si Universiteti ‘Luarasi'”, nënvizoi Montroni duke njoftuar bashkëpunime të frytshme në të ardhmen midis “Feltrinelli-t” dhe Universitetit “Luarasi”. “Mund të them se kemi ndërmarrë disa hapa, duke vendosur disa baza që i kemi diskutuar me stafin për të lidhur bashkëpunime me Universitetin “Luarasi”. Në të njëjtën vijë mendimi ishte dhe drejtoresha e shtëpisë botuese, e cila ka mundësuar në shqip librin e gjigantit italian.

“Unë besoj që u hodhën themelet për një bashkëpunim të ardhshëm mes universiteteve italiane dhe atij “Luarasi”, me synim që ky universitet privat i rëndësishëm, i akredituar si një nga universitetet më të mira në Shqipëri, të mund të shkëmbejë studentët e tij me universitete të tjera në Itali”, deklaroi Irena Toçi. BASHKËPUNIMI Universiteti “Luarasi” është një tjetër urë bashkëpunimi të hershëm midis Shqipërisë e Italisë, në fushën arsimore. Sipas rektorit të “Luarasit”, prof.dr. Ethem Ruka, dje sapo është hedhur hapi i parë i një bashkëpunimi të frytshëm, të cilin e lajmëroi ai vetë.

“Ne ramë dakord që kur të kemi një vizitë të rektorëve të universiteteve italiane, të organizojmë një ditë një takim këtu në Universitetin “Luarasi” për të parë pikat e takimit dhe bashkëpunimit me to, për të shtuar gamën e bashkëpunimeve dhe veçanërisht për të arritur atë që ne kemi dëshirë, shkëmbim përvojash në nivel universitar”. Zv.rektorja e universitetit, prof.dr Luljeta Minxhozi, vuri në dukje përfitimet reale që kanë studentët e “Luarasit” nga leksioni i një dite më parë e të tjera të këtij niveli që zhvillon vetëm ky institucion i arsimit të lartë.

“Është një eksperiencë e veçantë për studentët tanë. Libri i prezantuar nga ky personalitet i shquar është shumë i dobishëm për studentët e menaxhimit sepse iu ofron një qasje tjetër. Ai iu tregon studentëve se në këtë botë që jetojmë ne, çdo gjë mund të jetë e përdorshme në mënyrë eficiente, në mënyrë që atë që ke ti, ta përdorin edhe të tjerët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura