“Misto”, një dramë absurde shqipe për diktaturën në Teatrin Kombëtar

Oct 13, 2017 | 9:37
SHPËRNDAJE

Në diktaturë njerëzit nuk kanë emra. Ata janë numra. Ata duhet të mendojnë njëlloj, të vishen njëlloj…

misto

I ngjajnë një ushtrie kokë- qethur, ku askush nuk duhet të nxjerrë këmbën më shumë nga rreshti. Të gjithë i mbajnë sytë te diktatori, i cili në sisteme diktatoriale nuk vdes kurrë. Ai është aty, edhe kur nuk është i gjallë.

Mentaliteti që ai lë pas kalon nga brezi në brez. Një dramë absurde shqipe mbi sistemin komunist, mbi dhunimin e lirisë së njeriut, vjen sot në Teatrin Kombëtar. Bëhet fjalë për veprën “Misto”, me autor dhe regjisor Naun Shundin dhe interpretuar nga aktorët Bujar Asqeriu, Helidon Fino, Adelina Muça, Erion Kame, Niada Saliasi, Genti Deçka.

Është një vepër që ka dalë prej Netëve të Leximit të Dramës Shqipe, një iniciativë private e mbështetur nga TK dhe nga Bashkia e Tiranës. Është një vepër e shkruar tre vjet më parë dhe për autorin dhe regjisorin Shundi është një ëndërr vënia e kësaj vepre në skenën e Teatrit Kombëtar.

misto1

“Një artist i skenës, në radhë të parë duhet t’i vërë synim vetes të përcjellë mesazhe te publiku, atë që atij i luan përbrenda. Dhe s’ka fat më të madh që atë që mendon ta komunikosh çdo ditë me 500 njerëz. Nga suksesi i veprës kupton nëse munda apo jo të komunikoj. Unë shpresoj t’ia arrij, por edhe nëse jo, prapë mirë është, se mëson nga dështimi yt”, thotë Shundi. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një vepër tradicionale dramatike dhe si e tillë e ka riskun brenda.

“Është e shkruar në një frymë ndryshe. Një vepër tipike e teatrit absurd. Kemi parë shumë filma e drama që flasin për periudhën komuniste në Shqipëri dhe janë trajtuar duke ruajtur traditën e të shkruarit klasik. Nuk e di pse nuk munda ta shkruaja në mënyrën klasike. E shoh atë periudhë si absurd, çmenduri, kemi jetuar në një sistem ku mungesa e lirisë i ka detyruar njerëzit të bëjnë marrëzira të mëdha. Diktatura i ka gjymtuar psikologjikisht dhe shumë herë edhe fizikisht.

Dhe pikërisht këtë ndjesi jam përpjekur që të përcjell”, thotë autori. Është e vështirë të thuash se personazhet pa emër janë mbështetur në këtë apo atë figurë, apo te vetë autori, por shumëkush që do ta shohë atë pjesë mund ta gjejë veten në rrethana të caktuara dhe në mënyrën se si perceptohen problemet njerëzore.

Aktori Helidon Fino e konsideron një vepër të vështirë, por që u përket të gjitha kohëve. Sipas tij, të gjitha sistemet krijojnë rrethet e tyre vicioze që shkaktojnë ndrydhjen dhe deprimimin e njerëzve. Sipas tij, mesazhi i autorit është shumë i qartë, një thirrje për të mos dhunuar lirinë e njeriut.

Aktori Bujar Asqeriu thotë se kjo është një dramë që i jep mundësi aktorit të zbulojë elementë të rinj interpretativë te vetja. Thotë se e ka tërhequr kjo vepër që kur e lexoi në Netët e Leximit dhe donte të ishte pjesë e saj. Për më të rinjtë e trupës, edhe pse nuk mund të quhen më aktorë të rinj, realitetet e sjella përmes veprës janë thjesht të dëgjuara.

Ata nuk e kanë përjetuar periudhën e diktaturës, por kanë marrë informacion për të. “Gjithë sa shkruheshin në vepër i kemi dëgjuar prej familjeve tona. Kur i lexon fillimisht të duken qesharake, por në skenë ato marrin një pamje shumë të trishtë”, thotë aktorja Adelina Muça, e cila interpreton një ndër personazhet pa emër, të tmerruar nga Mistoja, që nuk dihet në është gjallë apo i vdekur. Ajo thotë se fatkeqësisht Mistoja është kudo, edhe sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura