Misteri i tragjedisë në Bullgari/ Prokuroria: Një person i mbijetuar është zhdukur, po hetojmë

Nov 25, 2021 | 14:22
SHPËRNDAJE

Prokuroria bullgare bëri me dije këtë të enjte se pas aksidentit tragjik të autobusit, janë gjetur të pajetë 44 trupa ndërsa po hetohet nëse një i mbijetuar është zhdukur.

Zëdhënësja e kryeprokurorit të Bullgarisë, Siika Mileva në një konferencë për mediat tha se është takuar në spitalin “Pirogov” me një nga shtatë të mbijetuarit, i cili i ka treguar se si kishte thyer xhamin e pasmë të autobusit dhe se si kanë shpëtuar 8 persona.

Por Mileva tha se në autobus janë gjetur 44 trupa, ndërsa të mbijetuar në spital gjenden shtatë persona.

“Kështu është matematika e thjeshtë që kemi të dhëna se në autobus ishin 52 pasagjerë. Ne gjetëm 44 kufoma, 7 persona, 4 burra dhe 3 gra u shtruan në spital. Enigma e madhe mbetet – ku është personi i tetë? Ne punojmë në këtë version, nuk duam të ngatërrojmë publikun. Mund të jetë edhe një deklaratë e papërshtatshme nga një dëshmitar okular”, tha Mileva.

Siç shpjegoi ajo, një nga të mbijetuarit deklaroi kategorikisht se 8 persona u shpëtuan.

Kryehetuesi Sarafov e interpreton këtë dukuri si mundësi që njëri nga pasagjerët e autobusit të ketë kaluar në njërin nga tre autobusët e tjerë që ishin me atë të djegur.

“Për momentin është një enigmë për ne, por do të jetë objekt hetimi”, tha Sarafov.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura