Misteri i dibranëve, familjari: Kërkim në burgun e Korfuzit

Mar 10, 2016 | 8:25
SHPËRNDAJE

Në përvjetorin e 20- të të zhdukjes së 32 klandestinëve nga Maqellara e Dibrës, për gazetën, Remzi Istrefi tregon detaje mbi ngjarjen e rëndë.

Remzi Istrefi, familjar i tre prej të zhdukurve
Remzi Istrefi, familjar i tre prej të zhdukurve

Ai ka humbur në vitin 1996 vëllanë dhe dy kushërinj, fatin e të cilëve nuk e di. Në marsin e vitit 1996, ai ishte 19 vjeç dhe e kujton mjaft mirë ikjen e djemve të kësaj zone drejt Italisë e Greqisë. Shprehet se ishin kushtet e rënda ekonomike që i detyruan djemtë dhe burrat e Maqellarës të emigronin jashtë vendit.

Istrefi shton se familjarët e 29 të zhdukurve prej 9 marsit 1996 janë ankuar pranë autoriteteve të vendit dhe nuk kanë marrë një përgjigje të qartë për fatin e tyre. Ai dhe bashkëfshatarët e tij urojnë që djemtë e Dibrës të jenë gjallë e sa më shpejt t’u bashkohen familjeve, prindërve, fëmijëve, të afërmve.

Kur u nisën njerëzit tuaj të afërm drejt Italisë, me kë udhëtuan, kush i priste në Vlorë, sa lekë paguan dhe a u njoftuat në momentin e nisjes drejt Italisë?

Dibranet e zhdukur
Dibranet e zhdukur

29 banorë të Maqellarës, kryesisht të rinj në moshë, janë nisur nga qendra e Maqellarës më datë 8 mars, në orët e para të mëngjesit. Shoqëroheshin nga dy persona të krahinës. Kanë paguar nga 500 mijë lekë të vjetra për person. Nuk jemi informuar se kur mbërritën në Vlorë dhe kush i priste pasi atëherë nuk kishte ndërlidhje telefonike.

Kur u njoftuat se djemtë e Maqellarës u zhdukën në det dhe kush ju njoftoi?

Më 11 mars 1996 kemi dëgjuar nga të afërmit se gomonia me 32 persona është zhdukur në det. 29 ishin banorë të Maqellarës dhe 3 persona posedonin mjetin lundrues. Sapo kemi dëgjuar lajmin tragjik, i jemi drejtuar Postë- Telegrafës Maqellarë. Dhjetëra njerëz ishin grumbulluar aty dhe u telefononim njerëzve tanë të afërm në Itali e Greqi. Me zemër të ngrirë pyesnim për fatin e njerëzve që kishin humbur çdo kontakt me familjarët. Punonjëset e Postës na thanë se në brigjet e Italisë është gjetur një kufomë. U tha se ajo ishte e S.Çokut. Kur kjo kufomë mbërriti në Maqellarë, as familjarët dhe as të afërmit nuk e identifikuan se i përkiste atij. Askush nuk u interesua të kryente analizat për të faktuar të vërtetën e asaj kufome.

Cilat ishin përpjekjet e familjarëve të të zhdukurve për të zbuluar të vërtetën? Pasi mësuam lajmin e keq nga punonjëset e Postës, iu drejtuam Komisariatit të Policisë Peshkopi dhe vumë në dijeni zyrtarët e asaj kohe. Personat që kishin kontaktuar të fundit me emigrantët na qetësonin duke u shprehur se ata kanë përfunduar në Greqi. Që asokohe na është thënë se djemtë ndodhen në burgun e Korfuzit. Ata që përhapën këtë lajm e lidhnin me thyerjen e burgut dhe largimin prej aty të 30 të dënuarve. Madje na kanë thënë se aty ndodhej edhe Zani Çaushi. Prej atëherë qarkullon lajmi se djemtë e Maqellarës janë izoluar aty, për të zëvendësuar të larguarit nga qelitë e këtij burgu të sigurisë së lartë.

Ku jeni interesuar për zbardhjen e së vërtetës dhe çfarë përgjigjeje keni marrë? Gojëdhënave nuk u kemi besuar shumë. Duke parë se e vërteta nuk po zbardhej, u jemi drejtuar të gjitha autoriteteve të vendit, që nga ish-Presidenti Sali Berisha dhe gjithë zyrtarëve të lartë që kishin mundësi të faktonin ngjarjen. Sa herë kemi trokitur në Presidencë, Kryeministri a Parlament, Berisha e Meksi mjaftoheshin duke na nxjerrë në takim me ne deputetë të zonës sonë. Kemi takuar këtu në Dibër ishkryeministrat Sali Berisha dhe Fatos Nano, kur ata vinin për të kërkuar vota. Janë betuar se do ta zbardhin ngjarjen, por asnjëherë nuk dhanë një përgjigje.

Tani, kur kanë kaluar 20 vjet, çfarë mendoni, cili është fati i dibranëve të zhdukur?

E kemi thënë disa herë dhe e kërkojmë përsëri. Ministria jonë e Brendshme duhet të bashkëpunojë me Ministrinë e Brendshme të Greqisë për verifikimin e personave të arratisur ato ditë nga burgjet greke. A janë arrestuar ata persona që u larguan nga burgu, apo janë zëvendësuar me djemtë tanë? Vërtet kanë kaluar 20 vjet, por dhimbja bëhet gjithnjë e më e madhe. Shpresojmë të jenë gjallë, shpresojmë të gjenden sa më shpejt.

HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura