Misioni narcist dhe i pamundur i Ramës…

Sep 2, 2015 | 12:16
SHPËRNDAJE

Kastriot IslamiKASTRIOT ISLAMI

Marrëdhëniet dy e shumëpalëshe Shqipëri-Serbi s’janë neglizhuar nga asnjë forcë politike kryesore, pavarësisht problemeve e deri tensioneve që janë shkaktuar kryesisht për shkak të zbërthimit të ish-Jugosllavisë e zhvillimeve pasuese në Serbi, ngjarjeve lidhur me rënien e regjimit të Millosheviçit të pasuara me masakrën në Kosovë dhe më tej, për shkak të pozicioneve diametralisht të kundërta, dikur e aktualisht, për sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Natyrisht, deri në momentin që në pushtet ishte Millosheviçi, marrëdhëniet Shqipëri-Serbi ishin të munguara dhe s’mund të ishin veçse shumë të tensionuara, duke arritur kulmin e tensionimit në vitin 1999, kur makina e Millosheviçit kreu masakrën më të madhe mbi popullsinë e Kosovës e zhyti rajonin në krizën humanitare më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore. Më tej Shqipëria, pavarësisht qëndrimeve kaotike të Beogradit, është përpjekur të nxisë pozitivisht këto marrëdhënie, duke mos hequr dorë asnjëherë nga çështja e pavarësisë së Kosovës, të cilën pala serbe ose e ka refuzuar ta bisedojë, ose e ka përjashtuar.   

1. Shqipëria, vazhdimisht rol konstruktiv në rajon…
Shqipëria është përpjekur maksimalisht të japë një kontribut pozitiv për sa u përket marrëdhënieve rajonale dhe të luajë një rol konstruktiv, që është vlerësuar dhe përshëndetur nga të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare. Vizita dhe/ose takime të niveleve shumë të larta, President, Kryeministër, ministër i Jashtëm e tjerë, mes Shqipërisë e Serbisë janë zhvilluar pas rënies së regjimit të Millosheviçit, si në planin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të aktiviteteve shumëpalëshe.

Përveç përplasjeve deklarative për çështjen e Kosovës, takimet mes palëve kanë qenë përgjithësisht normale, duke tentuar që të rriten, kryesisht bashkëpunimi e shkëmbimet ekonomike mes palëve, por jo vetëm. Mund të thuhet se përplasjet më të “mëdha” (ndonëse në dukje teatrale) pas rënies së regjimit të Millosheviçit kanë qenë ato për ndeshjen e fundit të futbollit Serbi-Shqipëri dhe gjatë vizitës së Ramës në Beograd, kryesisht të lidhura me mungesën e maturisë së dy kryeministrave, të cilët kërkonin të nxirrnin kapital politik personal për ta shitur më vonë “qetësimin” e situatës si sukses të angazhimit të tyre. Aq sa të dy u përpoqën maksimalisht ta klasifikonin “historik” takimin e tyre të parë, pas shumë vitesh, në Beograd, më shumë përmes “sherrit”, sesa “maturisë e konstruktivitetit”.

2. Rama, pa ndonjë vizion të veçantë për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi…
Të gjitha këto të thëna, s’besoj se ka ndonjë forcë politike në Shqipëri që do të ishte kundër zhvillimit të marrëdhënieve normale, dy dhe shumëpalëshe me Serbinë, dhe në këtë aspekt s’dalloj ndonjë vizion të veçantë të Ramës, për të mos thënë që nuk dalloj fare vizion, i cili nga njëra anë u përpoq në mënyrë narciste të krijonte idenë se në Beograd ishte “nacionalisti” më i madh që ia plasi në fytyrë Vuçiçit “pavarësinë e Kosovës” (qëndrim që s’ka asnjë politikan shqiptar që s’e ka mbajtur) dhe nga ana tjetër, përpiqet të hiqet si ideatori i shndërrimit të marrëdhënieve në Ballkan të ngjashme me ato mes Francës e Gjermanisë.

Ky lloj narcizmi dhe arrogance vjen nga fakti se në Shqipëri, por edhe gjetiu në Ballkan, mbretërojnë “oligarkia, banditizmi e krimi”, i cili është i mirënjohur në kancelaritë kryesore europiane, ndërkohë që çmontimi i tyre po gjykohet me kosto sa më të ulët për sigurinë e stabilitetin, por edhe për të mos krijuar vakume që do të mund të mbusheshin nga “forca të treta”…

3. Rama e Vuçiç, një dialog me shumë narcizëm e spekulime…
Në debatin e fundit Rama-Vuçiç, Rama, pa u menduar shumë gjatë dhe me një retorikë spekulative, deklaron se “Shqipëria dhe Serbia, por edhe shqiptarët dhe serbët në tërësi mund të bëjnë për Ballkanin atë që francezët dhe gjermanët bënë për Europën pas Luftës së Dytë Botërore”. Në fakt dhe po të flasim me saktësi, mes Shqipërisë dhe Serbisë s’ka pasur asnjëherë “kufi” siç ka pasur mes Gjermanisë e Francës.

Kufiri mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë ka qenë në realitet një “kufi” mes Kosovës dhe Shqipërisë, aktualisht një “kufi ndërkombëtar” ende i papranuar si i tillë nga Serbia. Po ashtu, duhet të kemi parasysh, në konceptin europian dhe amerikan, Kosova është “shtet i pavarur e sovran” dhe mbi këtë bazë, nëse do të ishim striktë në përcaktime, do të mund të lejohej të flitej vetëm për krijimin e një perspektive marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë të ngjashme me ato mes Gjermanisë e Francës.

Është jo vetëm e padrejtë, por madje edhe e gabuar, të pretendojë qoftë edhe Shqipëria, me një koncept paternalist, të transformojë marrëdhëniet Serbi-Kosovë apo kufirin Serbi-Kosovë të ngjashëm me marrëdhëniet/kufirin Francë-Gjermani, minimalisht pa prezencën e Kosovës, ndërkohë që këtë dialog duhet ta zhvillonte së paku Kosova, si një shtet i pavarur e sovran, një problem ndërkombëtar në prag të zgjidhjes.

Një mundësi tjetër interpretimi do të ishte të trajtohet ky “kufi” si një “kufi” mes Shqipërisë së Madhe dhe Serbisë së Madhe, koncepte të përjashtuara tashmë po nga vetë Vuçiç e Rama, pavarësisht tezës provokative të Ramës për “bashkim të Shqipërisë me Kosovën brenda apo jashtë BE”; por edhe sikur Vuçiç e Rama të pranonin, qoftë edhe në mënyrë implicite këto përkufizime, ata nuk do të mund të kishin mandatin për një bisedim të tillë, duke qenë thjesht e vetëm të mandatuar përkatësisht si kryeministra të Serbisë dhe Shqipërisë.

Interpretimi më i “rrezikshëm”, së paku për Kosovën në këto momente, por edhe për Shqipërinë, lidhur me “shndërrimin e kufirit Serbi-Shqipëri njëlloj si ai Francë-Gjermani” do të ishte ai i ngulitur në subkoshiencën e politikës serbe dhe tashmë i artikuluar në sytë e Ramës nga Vuçiç: Kosova është pjesë e Serbisë. Në këtë mënyrë, qoftë dhe heshturazi, apo në trajtë implicite, dialogu për kufirin Serbi-Shqipëri do të mund të thoshte pranim i tezës serbe se Kosova është pjesë e Serbisë dhe “kufiri” Kosovë-Shqipëri do të nënkuptohej si “kufi” mes Serbisë  dhe Shqipërisë.

Pra, në të gjitha planet, dialogu Serbi-Shqipëri, përveç krijimit të një klime pozitive marrëdhëniesh rajonale, dy dhe shumëpalëshe, të cilat promovohen prej kohësh dhe mund të thuhet se Shqipëria është vlerësuar për rolin e saj konstruktiv e të moderuar, s’do të kishte asnjë vlerë të shtuar, madje mund edhe të keqpërdorej nga Serbia. Pretendimi “narcist” për ta kthyer “kufirin” (që nuk ekziston) mes Serbisë dhe Shqipërisë të ngjashëm me atë mes Francës dhe Gjermanisë do të ishte jo produktiv, madje keqkuptimet mund të minonin edhe vetë marrëdhëniet dy dhe shumëpalëshe serbo-shqiptare, por mbi të gjitha mund të vononin pavarësimin e Kosovës.

Shqipëria duhet të japë kontributin e saj maksimal, duke rezonuar me faktorët e rëndësishëm globalë (amerikanë, europianë e të tjerë) për të realizuar me prioritet implementimin e pavarësisë së Kosovës, sepse vetëm përmbyllja e kësaj çështjeje me anëtarësimin e Kosovës në institucionet globale dhe ndërtimin e një axhende për anëtarësimin e saj në NATO e BE, do të ishte aktualisht kontributi më i madh për rajonin.

Nëse përmes dialogut Shqipëri-Serbi do të zgjidhej e vetmja çështje që do të mund të kthente njërin prej kufijve të Ballkanit (sepse Ballkani ka shumë kufij problematikë që do të ishte mirë të ktheheshin në të ngjashëm me atë mes Francës e Gjermanisë), atë mes Kosovës e Serbisë në një “kufi” të ngjashëm me kufirin Francë-Gjermani, angazhimi Vuçiç-Rama do të kishte vlerë; por kjo varet nga Vuçiç dhe politika serbe, “nëse pranojnë pavarësinë e Kosovës”.

4. Debati Rama-Vuçiç: asgjë e re në substancë, prapë spektakël i parafabrikuar…
Prej kohësh, forcat politike në Shqipëri shprehen për marrëdhënie, dy dhe shumëpalëshe Serbi-Shqipëri, konstruktive dhe me interes reciprok, si dhe në funksion të stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit rajonal. Madje, në të gjitha raportet ndërkombëtare të OKB-së, NATO-s, BE-së e tjerë, vlerësohet maksimalisht dhe përshëndetet roli konstruktiv rajonal i Shqipërisë.

Në këtë kuptim, Rama dhe Vuçiç veçse po ndjekin atë që është arritur, veçanërisht Rama s’ka asgjë të re për të shtuar, ndërkohë që nga periudha e Millosheviçit e deri më sot, Serbisë i është dashur të moderojë gradualisht qëndrimet e saj dhe të modulohet me qëndrimet demokratike perëndimore, natyrisht duke qenë ende larg, përderisa mbetet në pozicionet e vjetra për sa i përket çështjes së pavarësisë së Kosovës. Spekulimet apo synimet narciste për t’u dhënë takimeve, jo rrallë edhe teatrale, mes Ramës e Vuçiç, më shumë vlerë seç meritojnë, nuk do të arrijnë të prodhojnë asgjë të re, përderisa Vuçiç të pranojë “pavarësinë” e Kosovës, temë që në fakt Vuçiç dhe politika serbe nuk duket se ka ndërmend ta debatojë, dialogojë apo përfundojë me Shqipërinë, dhe aq më pak me Ramën.

Vuçiç dhe politika serbe do të arrinin në një kompromis për “pavarësinë” e Kosovës vetëm me ato faktorë me të cilët Serbia ka interes të maksimalizojë sukseset për vendin dhe qytetarët e saj, pra me SHBA-të e BE-në, natyrisht në “konsultim/këshillim” me aleatët e saj tradicionalë. Rama hyn e del në këtë reaksion pa asnjë rol, duke tentuar të nxjerrë vetëm përfitime personale pushtetmbajtëse, por të dallueshme për të gjithë aktorët e brendshëm e të jashtëm.

Aq më tepër që Rama është një përfaqësues i interesave të oligarkisë, korrupsionit dhe krimit në politikën e brendshme shqiptare, e ka të pamundur t’u hedhë hi syve aktorëve globalë, që natyrisht ndjekin me vëmendje, por të ftohtë, pa shumë pasion dhe të qartë takimet e shfaqjet teatrale të Ramës në Beograd, Berlin dhe Vjenë, si dhe kërcënimet e tij “në formën e nacionalizmit aguridh” ndaj aktorëve rajonalë (Greqi, Maqedoni, Serbi), apo “në formën e tezave të qarqeve ekstremiste europiane” ndaj BE-së, si dhe “servilizmin e tij tipik” ndaj Merkel apo dikujt tjetër.

5. Tallje dhe ironi: Rama lider global, kurse Vuçiç lider lokal…
Atë që s’arriti të merrte Rama nga Merkel në Tiranë, arriti t’ia japë Vuçiç në këtë “debat” të parapërgatitur në Vjenë. Vuçiç, i qetë dhe cinik, lëshoi ironinë që në thelb ledhatonte ambicien e Ramës, kur deklaroi se “unë jam lider lokal, kurse Rama është global”… Ndërkohë që Rama, i “kënaqur”, iu përgjigj se “sa herë unë kritikoj BE-në, kur mbaroj, Vuçiç më thotë: Bravo Edi! I kemi ndarë rolet…”. Pra Vuçiç i parapërgatitur, i tregoi publikut serb se kudo ku ndodhet është në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Serbisë, por edhe serbëve të tjerë, kudo që ndodhen në rajon.

Kurse për Ramën tha se i kemi caktuar si mision, krahas argëtimit që na bën me barcaleta gjatë darkave të bollshme, të merret me çështje globale. Thënë ndryshe, Ramën e konsiderojnë jo vetëm si gallataxhiun, por edhe sherrxhiun që i) kërcënon BE-në me tezat e ekstremistëve të djathtë e të majtë europianë, apo të euroskeptikëve; ii) bën vlerësime se “Europa është më shumë taktike sesa strategjike”; iii) apo akoma më keq, “urdhëron” që “Europa duhet të pushojë së qeni një federatë egoizmash kombëtare”, iv) madje shkon aq larg, sa të vendosë edhe nota vlerësuese duke thënë se “Serbia i pret emigrantët më mirë se BE”, për të mos folur për vi) kërcënimet që u bën vendeve fqinje ballkanike.

6. Në vend të përfundimit…
Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi janë nga më të rëndësishmet në rajon. Të gjitha forcat kryesore politike në Shqipëri kanë qenë dhe mbeten të angazhuara për intensifikimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë. Një nga çështjet që dy vendet kanë qëndrime diametralisht të kundërta është ajo e pavarësisë së Kosovës. Shqipëria i përmbahet parimit se pavarësia e Kosovës është një çështje tashmë e mbyllur dhe njohja e pavarësisë së saj nga Serbia do të ndikonte në rritjen e sigurisë e stabilitetit të rajonit dhe përshpejtimin e perspektivës së tij europiane.

Në këtë kontekst, Rama as mundet dhe as ka sjellë ndonjë vizion të ri, por veçse ka vijuar, në kushtet e reja, të zhvillojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Madje, në ndonjë rast, siç është ai i ndeshjes Serbi-Shqipëri apo i retorikës prej “nacionalisti aguridh” gjatë vizitës në Beograd, aspekti teatral ka dëmtuar së koti ecurinë e këtyre marrëdhënieve. Tezat e Ramës për “bashkim brenda ose jashtë BE-së” mes Shqipërisë e Kosovës, jo vetëm janë demagogjike e të gënjeshtërta, por edhe kundërproduktive.

Kufijtë në Ballkan, dhe konkretisht “kufiri” mes Kosovës e Serbisë do të mund të “shndërrohej” (siç pretendon Rama) sipas modelit franko-gjerman vetëm nëse do të plotësoheshin disa kushte, por në radhë të parë i) nëse vendet e Ballkanit do të çrrënjosin Oligarkinë, Banditizmin dhe Krimin nga qeverisjet e tyre dhe ii) Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës. Prandaj, Misioni Narcist i Ramës edhe në këtë rast është një Mision i Pamundur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura