“Misionet tona sekrete në Shqipëri nga Italia e Jugosllavia, ishin të miratuara prej …”/ Dëshmia e 109 vjeçarit, ish- diversantit parashutist

Aug 3, 2020 | 14:51
SHPËRNDAJE

Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Ndue Mëlyshit me origjinë nga Mirdita, ku i ati i tij, Gjoni ishte bajraktar i Kthellës, ndërsa i vëllai, Nikolla gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarak në Gardën Mbretërore, kurse djali i xhaxhait të tyre, Frroku, në armën e Xhandarmërisë.

Ndue-Melyshi

Si u ndanë përkohësisht rrugët në mes dy kushërinjve gjatë periudhës së pushtimit të vendit, pasi Frroku luftoi kundër forcave partizane në Jug të Shqipërisë dhe në përfundim të Luftës, u bashkua me Gjon Marka Gjonin në qytetin e Shkodrës, duke marrë hakun për vrasjen e nënkolonel Adem Boletinit (të birit të Isa Boletinit), nga komunistët, kurse Nikolla doli partizan, duke u inkuadruar me Brigadën e VII-të Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani, duke luftuar deri në Vishegrad të Jugosllavisë.

Dëshmia e rrallë e Ndue Mëlyshit se si u detyrua ai të dilte në arrati në vitin 1947 së bashku me vëllanë e tij kapiten Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, (personazhi kryesor i filmit “Operacioni Zjarri”) pasi komunistët iu dogjën kullat e tyre dhe u internuan të gjithë familjen me gra dhe fëmijë në kampet e Krujës, Beratit, Tepelenës etj.

Ndueja-2-1

Si qëndroi Nduja nëpër malet e Mirditës në përpjekje me Forcat e Ndjekjes deri në ’49-ën kur u detyrua të arratisej në Jugosllavi së bashku me 53 pjestarë të rezistencës antikomuniste, pas vrasjes së Bardhok Bibës, pasi i pushkatuan vëllanë Lleshin dhe djalin e xhaxhait, Frrokun, kufomën e të cilit e dogjën me vajguri për të terrorizuar popullin e asaj krahine.

Zbarkimi i Ndues me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë dhe endja nëpër malet e Mirditës e Pukës deri në 1952-in, kur u largua përfundimisht nga Shqipëria për në Itali, Gjermani dhe SHBA-ës, ku ai jetoi deri në vitin 1992, kur u rikthye fillimisht në atdhe pranë familjes së tij (duke jetuar në qytetin e Shkodrës pranë së bijës së tij, Bardha Mëlyshi, pa u kthyer më në SHBA-ës nga viti 2014) deri sa ndërroi jetë më 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe u përcoll dje për në banesën e fundit.

IMG-20200801-WA0006

“Bardhok Biba ka qenë i dënuar me vdekje nga organizata jonë dhe më vjen keq, që nuk kam pas mundësi me e vra me dorën time, pasi ai ka qenë këlysh i Stalinit dhe jo shqiptar”. Pas asaj përgjigjie që i dha Mark Jak Bajraktari, majori UDB-së Çarkiç, nuk e vazhdoi më procesin e pyetjeve ndaj grupit tonë të shqiptarëve dhe e mbylli fare atë. Kjo gjë bëri që pak ditë më vonë, aty nga muaji qershor, në kampin e Nishit ku ishim ne erdhi majori i UDB-së, Çedo Mihjoviç dhe thirri Ndue Pjetër Gjonmarkun, Ndue Bajraktarin, mua (Ndue Mëlyshin), Mark Dodë Lleshjan, Marka Jak Bajraktarin dhe Pjetër Kol Preçin.

desant53

Ai pasi na thirri në zyrë, na tha se gjatë asaj periudhe që ne ndodheshin nëpër kampe dhe burgje, kishim kaluar vështirësi, pasi sipas tij, gjëndja në Jugosllavi ishte ende e turbullt, por ne nuk duhet të mërziteshim shumë, pasi kryesorja ishte fakti që ishim gjallë, sepse jo në pak raste na ishte rrezikur jeta. Pas kësaj hyrje që bëri, ai kaloi direkt në temë, duke na thënë se ai personalisht kishte ndërhyrë për çështjen tonë dhe kishte biseduar me Ministrinë e Brendëshme, që të na lironte nga burgu, me kusht, që ne të formonim gjashtë grupe të vogla me nga tre persona dhe të hynim me msione sekrete në Shqipëri”.

Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është Ndue Mëlyshi me origjinë nga Kthella e Mirditës, ish-pjestar i forcave të rezistencës antikomuniste, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1949 dhe i hedhur me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë.

baba-and-me-1

I kthyer në fillimisht në Shqipëri në vitin 1992 pas katër dekadash emigrimi, Ndue Mëlyshi, nga viti 2014 jetoi në qytetin e Shkodrës me të bijën e tij, Bardha Mëlyshi, deri sa ndërroi jetë më datën 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe dje më 1 gusht u përcoll për në banesën e fundit.

Edhe pse mbante mbi supe më shumë se një shekull e një dekadë të jetës së tij, madje me privacione dhe peripeci të pafundme, duke kaluar gati gjysëm shekulli larg familjes së tij, bashkëshortes dhe tre vajzave që i la fare të vogla dhe i gjeti me fëmijë, kujtesa dhe memoria nuk e tradhëtuan asnjëherë deri në minutat e fundit kur ai u shua para tre ditësh, (më 31 korrik, 2020) i ulur në kolltukun e tij duke shfletuar gazetat e ditës.

Para pak kohësh, Memorie.al, arriti t’i marrë një intervistë të gjatë z. Ndue Mëlyshi, (duke e regjistruar me video) me qëllim për ta publikuar më 7 gusht, me rastin e ngjarjes së bujshme të vrasjes së Bardhok Bibës, ngjarje që terrorizoi Mirditën dhe solli edhe largimin e tij dhe 53 pjestarëve të rezistencës antikomuniste nga Shqipëria.

Gjatë bisedës, kujtësës së tij të jashtëzakonëshme si një “dosje e gjallë”, hera herës i vinin “në ndihmë” dhe fletoret e shënimeve ku ai prej vitesh në mënyrë kronologjike ka hedhur copza e momente nga jeta e tij e trazuar, apo dhe libri “Jeta e malit”, që ka botuar disa dekada më parë kur ishte në azil politik në SHBA-ës.

Duke i përcjellë famijes Mëlyshi ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre të dashur, në këtë shkrim po publikojmë të plotë intervistën e zbardhur që i morrëm para pak kohësh, (me ndihmën e pakursyer të së bijës. znj. Bardha Mëlyshi), duke e plotësuar edhe me disa prej shënimeve të tij.

Zoti Ndue, cili ishte qëllimi i atij misioni sekret që u sugjeroi majori UDB-së për të kryer në Shqipëri?
Sipas tij, qëllimi i misionit sekret që ne do të kryenim në Shqipëri, ishte për të parë nga afër situatën e brendshme që mbizotëronte aty dhe ne do të ktheheshim përsëri për një kohë fare të shkurtër në Jugosllavi. Pas kësaj, ai shtoi se të gjithë shokët e tjerë të grupit tonë, pa asnjë përjashtim, ishte marrë vendimi dhe do t’i dërgonin në punë të ndryshme dhe me rrogë të mirë, duke pasur të gjitha të drejtat dhe liritë njëlloj siç i gëzonin të gjithë shtetasit jugosllavë.

Çfarë përgjigjie i dhatë oficerit jugosllav të UDB-së?

desant-54-1
Pas propozimit që na bëri, ai na la vetëm për një kohë që ne të bisedonim me njëri- tjetrin të qetë dhe pa praninë e tij, e më pas t’i jepnim një përgjigjie.

Çfarë biseduat ju dhe si vendosët?
Ne biseduam me njëri tjetrin dhe ramë të gjithë në një mëndje se: nisur nga situata tepër e vështirë ku ndodheshin shokët tanë në burgun e Nishit, (ku edhe pse kishte disa kushte, ai përsëri burg mbetej), si dhe duke pasur gjithnjë mëndjen tek familjet tona dhe njerzit që na kishin mbajtur me bukë e strehuar gjatë jetës sonë të malit në Shqipëri, pra për të ditur fatin e tyre, si dhe duke pasur gjithashtu një shpresë se shtetet Perendimore po interesoheshin për ne dhe idealet antikomuniste për të cilat po luftonim, vendosëm që t’i thonim po, propozimit që na bëri majori Çedo Mihjoviç.

David-Smajli

Çfarë bëtë pasi iu përgjigjët pozitivisht “ofertës” së tij?
Pas kësaj së bashku me të, pasi u hartuan listat e grupeve me nga tre persona, ai u nis për në Beograd për të marrë miratimin e shefave të tij, duke na lënë ne në pritje kur të kthehej që të na takonte përsëri.

Kur u kthye ai dhe çfarë u tha?
Majori Çedo Mihjoviç u kthye më datën 10 qershor dhe na tregoi se ishte miratuar plani i tij, por që ishte bërë një ndryshim në ato që ai na kishte parashtruar.

Çfarë ndryshimi?
Nuk do ishin gjashtë grupe me nga tre persona sikur na tha në fillim, por vetëm një grup me tre persona. Nga këta dy veta do ishin shoqërues, kurse i treti do ishte kryetar i grupit dhe vetëm ai do të dinte gjithçka për misionin që do kryhej.

Dhe kush u zgjodhën për të ardhur me mision në Shqipëri?
Në prani të Çedo Mihjoviçit, u zgjodha unë me Mark Jak Bajraktarin dhe Pjetër Çup Qafën. Pas kësaj, sipas fjalës që na kishte dhënë, po atë ditë, majori Mihjoviç i liroi nga burgu të gjithë shokët tanë dhe me kamiona i nis për në Ovskar Banja (Serbi), ku ata do të punonin si punëtor me rrogë pranë një Centrali Elektrik që po ndërtohej mbi lumin Ibar.

Ç’ndodhi më pas me ju, ku u dërguan?
Pas dhjetë ditësh, ne na erdhi dhe na morri një oficer dhe na dërgoi në Prishtinë, ku na priste majori Çedo Mihjoviç dhe pas kërkesës sonë, ai na lejoi që të shkonim dhe të bënim një vizitë tek shtëpia e Pjetër Çupit në Vuçiternë, ku ne qëndruam vetëm një natë. Të nesërmen na morrën dhe na dërguan në qytetin e Gjakovës, ku na sistemuan në një shtëpi që ishte disi e larguar nga zona e banuar dhe aty vinte vetëm një oficer që na sillte ushqimin.

Sa kohë qëndruat në atë shtëpi?
Aty ne qëndruam rreth dy javë dhe gjatë atyre ditëve ne na shërbente një zonjë komuniste, e cila na bënte shërbimet dhe ne e morëm disi veten nga vuajtjet që kishim kaluar gjatë periudhës që ndënjëm në burgun e Nishit. Një ditë para se të largoheshim nga ajo shtëpi për t’u nisur me mision sekret për në Shqipëri, ne erdhi dhe na vizitoi përsëri majori Çedo Mihjoviç, i cili na tha se çfarë kërkesash kishim, para se të niseshim për të kaluar kufirin. Më pas ne na përgatitën me armatime dhe pajisjet e tjera të nevojshme që do të na duheshin për zbarkimin tonë në Shqipëri dhe më datën 7 korrik të vitit 1950, major Çedo Mihjoviç, na takoi me Arif Selmanin dhe Rustem Thaçin, të cilët ishin dy njerëzit që do të na udhëhiqnin në itinerarin e rrugës së gjatë që do të përshkonim ne për të hyrë ilegalisht brenda territorit shqiptar.

Nga ishin Arifi me Rustem Thaçin dhe pse ndodheshin në Jugosllavi?
Arifi me Rustemin ishin të dy pukjanë dhe me sa mbaj mend, Rustemi ishte nga fshati Sakat. Të dy ishin arratisur në Jugosllavi për t’i shpëtuar ndjekjeve pasi kërkoheshin nga forcat e Sigurimit të Shtetit për t’u arrestuar, sepse ishin diktuar që kishin strehuar dhe u kishin dhënë bukë njerëzve të malit, siç na quanin ne komunistët. Të dy ata ishin djem trima, besnik dhe kishin ndihmuar shumë nga këto grupet tona kur ishim në Shqipëri.

Pasi u takuat me Arifin dhe Rustemin, ku shkuat?
Pas takimit me Arifin dhe Rustemin së bashku me grupin e oficerëve që na shoqëronin, ne kemi shkuar deri në vendin e quajtur Va-Spas e aty jemi strehuar tek shtëpia e Hysen Prushit që ndodhej në afërsi të kufirit.

Si u futët në kufirin shqiptar, a patët probleme me forcat e kufirit apo banorë të zonës?
Hysen Prushi përgatiti një grup djelmoshash të armatosur nga fisi i tij dhe po natën e datës 7 korrik 1950, na shoqëroi vetë duke na përcjellë deri në Qafë të Prushit, ku ne kaluam kufirin dhe hymë në territorin shqiptar pa asnjë pengesë. Mbasi hymë në brendësi të tokës shqiptare, Hysen Prushi me njerëzit që na shoqëroi u kthyen mbrapsht për andej nga kishin ardhur, ndërsa unë me Marka Jakun e Pjetër Çup Qafën, të shoqëruar dhe nga Arif Selmani e Rustem Thaçi, më datën 9 korrik kemi kaluar lumin Drin dhe kemi marrë rrugën drejt pyjeve të fshatit Sakat të zonës së Pukës, prej nga ishte dhe Rustem Thaçi siç i’u thashë.

Sa qëndruat aty në pyjet e fshatit Sakat të Pukës?
Pasi mbërritëm në pyjet e Sakatit, morëm rrugën për në Bjeshkën e Kryeziut dhe aty u ndamë.

Ku shkuat?
Unë me Marka Jakun e Pjetër Çupin morëm drejtimin për në zonën e Mirditës, ndërsa Arifi me Rustemin u nisën për në rajonin e tyre në Va-Spas, duke lënë që të takoheshim përsëri në një vënd të caktuar në datën 26 gusht 1950. Kështu më datën 13 korrik, unë me Marka Jakun dhe Pjetër Çupin mbërritëm në zonën e Pukës dhe hymë në lidhje menjëherë me bazën tonë të parë në Fushë të Arzit, ku na pritën dy vëllezërit, Nikoll dhe Pjetër Shkoza, të cilët ishin dy nga njerëzit më besnik që strehonin grupet e rezistencës antikomuniste të krahinave të Veriut. Dy vëllezërit Shkoza, pasi na strehuan dhe na furnizuan me ushqimet e nevojshme, na informuan rreth situatës së brendëshme, duke na treguar dhe ngjarjet që kishin ndodhur gjatë asaj kohe pas vrasjes së Bardhok Bibës e grupin prej gjashtë vetësh të kryesuar nga Preng Dodë Gjini.

Po për familjet tuaja që kishit lënë në Shqipëri a kishin lajme dy vëllezërit Shkoza?
Po kishin dhe atë ditë nga dy vëllezërit Shkoza, unë mora dhe lajmin e hidhur të vrasjes së vëllait tim, Llesh Mëlyshit dhe dy nipave, Palit dhe Mark Mëlyshit. Po kështu atë ditë dy vëllezërit Shkoza na informuan edhe për strehimin që i kishin bërë grupeve parashutiste që kishin zbarkuar në ato zona, si Kol Çunin, Alush Lleshanaku, Gjon Gjinajn etj. Prej tyre unë mësova se Alush Lleshanaku ishte gjallë dhe kishte zbarkuar për herë të dytë me parashutë në Shqipëri. Po atë natë dy vëllezërit Shkoza me anë të njerëzve të tyre besnik, bënë lajmërimet e nevojshme për ardhjen tonë, duke njoftuar bazat në zonën e Pukës dhe atë të Kurbinit.

Po për mbërritjen tuaj në Shqipëri, kur lajmëruat tek ata që u kishin nisur?
Pasi u takuam me vëllezërit Shkoza, unë me Marka Jak Bajraktarin, përgatitëm disa informacione për t’ia dhënë Kol Çunit, i cili ndodhej në malet e Pukës dhe kishte radio-marrsen që hynte në lidhje me qëndrën dhe Bllokun Kombëtar Indipendent në Romë. Kola hyri në lidhje dhe njoftoi se ne kishim mbrritur pa humbje në bazat tona në bjeshkët e Pukës e Mirditës. Po kështu së bashku me ato lajme të shkurtra që përgatitëm, i kërkuam Kol Çunit që me anë të radios të na përgatiste një pikë takimi me Alush Lleshanakun e Gjon Gjinajn.

A arritët të takoheshit me Alush Lleshanakun?
Në sajë të lajmërimeve të sakta që kishin bërë dy vëllezërit, Pjetër dhe Nikoll Shkoza, me datën 10 gusht 1950, unë me dy shokët e mi bëmë një takim me Alushin dhe Gjonin në zonën e Zadrimës së Lezhës. Aty biseduam gjatë me ta duke u treguar të gjitha ngjarjet që nga dita që unë me Alushin kishim zbarkuar për herë të parë në Shqipëri me avionin italian të nisur nga baza sekrete e CIA-s, ku na kishin stërvitur oficerët amerikanë.

Kush u kishte futi në lidhje me bazën e CIA-s?
Me amerikanët që kishin atë bazë sekrete në periferi të Romës ne na lidhën krerët kryesorë të Bllokut Kombëtar Indipendent, me në krye Gjon Marka Gjonin, Kol Bibë Mirakajn, Ernest Koliqin, Ismail Vërlacin, etj. Të gjitha misionet tona të zbarkimit në Shqipëri nga Italia apo Jugosllavia, ishin të kordinuara nga ajo bazë e CIA-s nëpërmjet Bllokut Kombëtar Indipendent.

Të kthehemi tek takimi juaj me Alush Lleshanakun, kush e shoqëronte atë?
Alush Lleshanaku me Gjon Gjinajn kishin me vete dhe një grup parashutistësh kosovar me të cilët kishin zbarkuar në Shqipëri, por fatkeqësisht aty mungonte më i miri prej tyre, kapiten Riza Hasani, i cili ishte vrarë nga forcat komuniste që në përpjekjen e parë gjatë zbarkimit në fshatin Perlat të Kthellës.

Pas takimit me Alushin dhe Gjon Gjinajt, çfarë vendosët të bënit?
Ata na parashtruan planin e tyre duke na kërkuar ndihmë që ne t’i udhëhiqnim grupin e tyre për të dalë në Kosovë, ku duhet të kryenin misionin e tyre. Mbas një pushimi të shkurtër, së bashku me grupin e Lleshanakut ne u nisëm për në drejtim të bazës së Kol Çunit në malet e Pukës dhe me datën 16 gusht mbërritëm në pyllin e Iballës, ku gjendej qëndra e radios së Kol Çunit.

Sa qëndruat aty?
Në atë bazë ne qëndruam për gjashtë ditë dhe Kol Çuni hyri në lidhje me radio me qëndrën në Romë, duke bërë një përshkrim të gjithë misionit të grupit tonë dhe prej qëndrës ne morëm aprovimin që të dilnim përsëri në Jugosllavi, pasi misioni ynë quhej i mbaruar. Një nga arsyet që ne kërkuam që të ktheheshim në Jugosllavi, ishte dhe interesimi për grupin e shokëve tanë që ndodheshin duke punuar në centralin elektrik të Ovac-Banja të Serbisë. Kështu më datën 26 gusht 1950, sipas pikë-takimit që kishim lënë me Rustem Thaçin e Arif Selmanin, mbërritëm në vendin e caktuar në pyllin e Sakatit dhe prej aty së bashku me ta, kishim plan për të bërë dhe një udhëtim tjetër për në Shqipëri brenda një kohe sa më të shkurtër, përpara se të fillonte dimri.

A e ndërmorrët atë udhëtim?
Jo, sepse Marka Jak Bajraktari e refuzoi atë udhëtim aq të shpejtë, për arsye të gjëndjes së tij shëndëtsore jo të mirë dhe ajo gjë u aprovua nga majori jugosllav Çedo Mihjoviç. Pas tërheqjes së Markut, misioni m’u ngarkua mua dhe Pjetër Qafës, por unë i kërkova majorit Mihjoviç, që bashkë me ne në atë mision të dytë, të vinin edhe dy shokët e mi, Zef Dodë Lekëgega e Bibë Mark Biba, që ndodheshin duke punuar në Ovcar-Banja. Atë kërkesë i’a bëra duke menduar se Zefi me Bibën ishin shokë të ngushtë me mua dhe ata kishin një përvojë të gjatë një jetën e malit. Majori jugosllav e pranoi me kënaqësi kërkesën time dhe na i solli menjëherë Zefin e Bibën në Gjakovë.

Si e kujtoni misionin tuaj të dytë në Shqipëri?
Pasi bëmë përgatitjet e nevojshme, më datën 29 shtator 1950, unë me Pjetr Qafën, Zefin e Bibën, morëm rrugën duke hyrë në Shqipëri në të njëjtin intinerar si herën e parë, duke pasur si shoqërues përsëri Arif Selmanin dhe Rustem Thaçin. Në Va-Spas unë me grupin tim u ndamë nga Arifi e Rustemi, duke u nisur për në zonën e Kthellës dhe lamë një pike-takimi me ta në datën 8 tetor në Pyllin e Sakatit. Mbasi kaluam shumë fshatra ne mbërritëm përsëri në katundin Shkozë, tek dy miqtë tanë, vëllezërit Pjetër e Nikoll Shkoza. Nga ata të dy ne u furnizuam me ushqime dhe u informuam mbi situatën në vend, duke mësuar se Alush Lleshanaku me Gjon Gjinajn gjendeshin në zonën e Munellës në Mirditë.

Ku shkuat pas kësaj?
Pas kësaj unë me grupin tim u nisa për në drejtim të zonës së Kthellës dhe me dy vëllezërit Shkoza, lamë takim që të shiheshim përsëri së bashku edhe me Alushin dhe Gjon Gjinajn në datën 2 nëntor në shtëpinë e Nikoll Shkozës. Pasi shkuam në zonën e Kthellës, unë me grupin tim u kthyem në zonën e Pukës dhe me datën 3 nëntor, u takuam me Alushin dhe Gjon Gjinajn në fshatin Shkozë.

Çfarë diskutuat në atë takim?
Aty diskutuam gjatë me ta duke folur mbi situatën e vështirë që mbizotëronte në vënd për shkak të ndjekjeve të Sigurimit të Shtetit dhe kohës së keqe që po afronte me ardhjen e dimrit. Pas kësaj u ndamë me Alushin e grupin që kryesonte, pasi ai duhej të kthehej për të përmbushur misionin e tij në krahinën e vet të Elbasanit. Ndërsa Gjon Gjinajt i mungonte radio-telegrafisti i grupit, Pjetër Gjocaj, me të cilin i kishin humbur lidhjet që në luftimet e Perlatit në qershorin e vitit 1950. Nga ndjekjet e shumta të forcave komuniste grupi i Gjon Gjinajt e kishte pasur të pamundur që të hynte në lidhje me Pjetër Gjocin, i cili ishte i vetmi që dinte përdorimin e radios dhe shifrën e saj.

Çfarë vendosët pas kësaj situate të vështirë ku ndodheshit ju dhe grupet e tjera?
Për këto arsye unë me grupin tim vendosëm që të mos ktheheshim në Jugosllavi, por të qëndronim në ndihmë të grupit të Gjon Gjinajt, gjë të cilën na e aprovoi edhe Qëndra në Romë, pas ndërhyrjes së krerëve të Bllokut Kombëtar Indipendent, si Gjon Marka Gjoni etj. Por ndërsa unë qëndrova në Shqipëri, Pjetër Qafën e nisa për t’u takuar me Arif Selmanin dhe Rrustem Thaçin në vëndin që kishim lënë që më parë dhe pas kësaj me datën 8 nëntor 1950, Pjetri doli në Jugosllavi./Memorie.al/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura