Mirësevjen 21 Dhjetor!

Dec 9, 2012 | 13:23
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Zhurmë e madhe mediatike për 21 dhjetorin e këtij viti: jo për ditëlindjen e Stalinit, as për atë të udhëkryqit me nofkën “21-shi” në kryeqytet, por për parashikimin e kalendarit Maja: më 21 dhjetor, pra, të këtij viti, do të na u përmbyska bota! “Après moi, le déluge”. (Pas meje u bëftë kiameti!), paskësh thënë Luigji XIV, mbret i Francës në shekullin XVII, e ndoshta këtë kanë menduar thellë-thellë edhe diktatorë të ndryshëm që nga Hitleri deri tek Enveri. Por a thua vërtet të na përmbyset bota?
Flitet dhe shkruhet se, pikërisht sipas kalendarit Maja, bota do të pushojë së ekzistuari sepse–përpiqen të na bindin disa –, një asteroid do të vika, me shumë gjasë, të përplaset me njërin nga planetët e sistemit tonë diellor, i cili do të shpërbëhet, ndahet përgjysmë, shmanget nga orbita e tij rreth diellit; kjo do të sillka çrregullime të krejt sistemit në fjalë dhe, si pasojë fatale, planeti ynë, rrjedhimisht edhe njerëzimi, do të pësuaka një gjëmë, mynxyrë, tmerr e zezonë të paparë ndonjëherë në historinë e vet, që do të ndiqet nga asgjësimi i tij ose, me ndonjë gjasë të vakët, edhe nga ndonjë fillim i ri nga zeroja absolute.
Kështu thuhet e shkruhet, por gjuhët e këqija (që jo gjithmonë flasin për keq), sidomos midis nesh, shqiptarëve, kanë nisur të pëshpëritin se, në të vërtetë – meqë jo çdo e keqe vjen për të keq –, do të ketë një çrregullim në dukje të sistemit tonë diellor, por ka shumë të ngjarë që (këtë e konfirmon edhe astrologia e famshme gjithëshqiptare Mukades Uma) që një planet i huaj, krejt i ngjashëm me rruzullin tokësor ku njerëzit, përfshirë edhe ne, shqiptarët, përpiqen t’i hanë jo vetëm kokën, por edhe shpirtin njëri-tjetrit, do të vika jo të përplaset, por të puqet, përputhet e puthitet butë-butë me Tokën, e kështu sipërfaqja e banueshme e pjellore, me një nëntokë të pasur me lloj-lloj mineralesh të dobishme e kësaj të fundit, do të shumëfishohet mrekullisht e, në këtë mënyrë, njerëzimi do të ndërtojë parajsën e ëndërruar prej miliona vitesh nga njeriu i shpellave e nga të ngjashmit e tij të mëvonshëm. Të gjithë popujt do të lumturohen, sidomos, veçanërisht e posaçërisht ne, shqiptarët: Në vendin tonë do të zgjidhen tërë problemet ekonomike, social-kulturore e politike, edukative e mjedisore: të gjithë qeveritarët, të sotmit e të nesërmit, blu, rozë, blurozë, rozëblu si edhe ata të ngjyrave të tjera me të tëra nuancat e tyre të holla, do të kenë gjithçka dëshirojnë dhe, për pasojë, korrupsioni do të vrasë veten; pronarët e pakënaqur të tokave do të marrin kompensim me toka pa fund si m’i do e ku m’i do, qiraxhinjtë e banesave private do të marrin vila dhe pronarët e këtyre të fundit do t’i gëzojnë sërish shtëpitë e etërve të tyre; të gjithë të papunët do të punësohen si t’ua ketë ënda, të gjithë të diplomuarit, sidomos në universitetet private, pavarësisht mënyrës se si do ta kenë marrë diplomën, do të fitojnë gradën e titullin shkencor e dëshiruar duke u bërë, me hir apo pahir, doktorë shkencash, profesorë të asociuar e profesorë hijerëndë, me një fjalë, shkencëtarë kaluar shkencëtarësh, dhe, pse jo, anëtarë jo vetëm të Akademisë sonë të Shkencave, por edhe të akademive më të shquara e më me prestigj në planetin tonë të dyfishtë, madje përtej atij, deri në skajin më të largët të galaktikës sonë e ç’vjen pas asaj.
Mukades Uma, astrologia jonë gjithëkombëtare, duke e njohur më së miri gopësinë e lakminë e pafund të bashkatdhetarëve të saj për para, prona e pushtet, por sidomos, kryesisht e veçanërisht për lavdi, parashikon gjithashtu se nga çiftëzimi i dy planetëve do të lindë një planet tjetër me burime fitimprurëse të papërfytyrueshme për njerëzimin tashmë të lumtur, pra, edhe për ne shqiptarët e lumtur, por që nuk kemi të ngopur me lumturi, kështu që askush nga ne nuk do të ketë nevojë për të punuar: gjithçka do të na vijë e gatshme në dorë, në xhep, në gojë, në bark e më poshtë akoma. Ajo parashikon, pra, jo vetëm vetëvrasjen e korrupsionit, por edhe të hipokrizisë, servilizmit, smirës, pabesisë, shpifjes, urrejtjes, krimit e të tjera dukurive negative që bëjnë kërdinë në planetin tonë para se ngjarjet të rrjedhin siç sapo i paraqitëm më lart.
Mirësevjen, pra, o 21 Dhjetor!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura