Mirë se vjen!

Nov 26, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI

leonard demi

Në Shtetet e Bashkuara ka filluar tranzicioni presidencial dhe Presidenti i zgjedhur sapo emëroi ekipin, që do të drejtojë politikën e jashtme të Amerikës për katër vitet e ardhshëm. Duke u mbështetur në pikëpamjet dhe programet politike të këtyre personaliteteve, në këtë shkrim përpiqem t’i bëj të njohur lexuesit politikën, që pritet të ndjekë administrata e Presidentit Bajden në rajonin tonë. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden (Joe Biden), është një politikan me një karrierë të gjatë politike, 43-vjeçare, dhe dije të thella në politikën e jashtme. Ai ka qenë një zë i fuqishëm në Kongresin amerikan kundër agresionit të Milosheviçit, të cilin e ka quajtur kriminel lufte të mallkuar. Senatori Bajden ka mbështetur ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Bosnjë-Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë për të ndaluar gjenocidin dhe pastrimet etnike. Në një fjalim të vitit 1997, ai ka thënë:

“I tmerruar nga agresioni serb dhe gjenocidi te civilët e Bosnjës, në shtator 1992 bëra thirrje për të hequr embargon e armatimeve të OKB-së, që nuk lejonte forcat boshnjake të armatoseshin me armë moderne dhe, në qoftë se serbët e Bosnjës do ta pengonin këtë politikë, forcat ajrore amerikane do t’i godisnin rëndë (ky propozim u quajt politika ‘hiq dhe godit – lift and strike’).”

Z. Bajden ka vizituar rajonin tonë disa herë, gjë që është interpretuar si konfirmim i interesit të administratës amerikane për Ballkanin Perëndimor.

Kohët e fundit, në shtetet ballkanike po vihet re një përkeqësim i standardeve demokratike, rritje të ndikimeve autoritare të jashtme dhe ngecje të përpjekjeve për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në qëndrimet e veta, Presidenti i zgjedhur është treguar i vendosur të risjellë rolin e Amerikës në rajon, të ruajë dhe të forcojë interesimin dhe ndihmën amerikane, si dhe të pengojë ndërhyrjet autoritare subversive ruse dhe kineze. Administrata e re do të përpiqet të arrijë një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë.

Rivendosja dhe riforcimi i marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Bashkimin Europian do të shpejtojë përparimin tonë euroatlantik. Lidershipi i fortë amerikan do të përmirësojë standardet demokratike, shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu, agjenda ambicioze, por e realizueshme, e Presidentit Bajden e përfundon misionin e vet në rajon, të cilin ai e ka nisur si senator në fillim të viteve nëntëdhjetë. Propozimi për Sekretar Shteti të z. Entoni Blinken (Antony Blinken) dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtar të z. Xhek Sulivan (Jake Sullivan), specialistë të niveleve më të larta të diplomacisë amerikane, e garantojnë realizimin e këtij misioni.

MARRËDHËNIET E PRESIDENCËS SË RE AMERIKANE ME SHQIPËRINË

Në një dokument të qarkulluar gjatë fushatës elektorale presidenciale nga shtabi elektoral i z. Bajden, me titull: “Koncepte për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën”, thuhet se z. Bajden është një mik i vjetër i Shqipërisë, Kosovës dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan. Më tej, ky dokument shpalos planet e z. Bajden për marrëdhëniet e ardhshme të Amerikës me Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

Presidenca e re e Shteteve të Bashkuara do të rritë marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë, me qëllim që vendi ynë të jetë një aleat i fuqishëm në NATO. Po kështu, ato do të përqendrohen në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve, si dhe në forcimin e vlerave demokratike.

Si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bajden premton të mbështesë Shqipërinë në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke lehtësuar integrimin tonë të shpejtë. “Kjo do të thotë se Amerika do të ndihmojë Shqipërinë për të përparuar më tej me reformat e vështira, si: me shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, reformat juridike dhe elektorale”.

Dokumenti i mësipërm bën fjalë edhe për kujdesin që do të tregojë administrata e z. Bajden që dera e Bashkimit Europian të mbetet e hapur edhe për vende të tjera si Shqipëria, sapo të jenë gati.

MARRËDHËNIET E PRESIDENCËS SË RE AMERIKANE ME KOSOVËN

Presidenti i zgjedhur, Xho Bajden, gjatë karrierës së gjatë politike ka mbrojtur interesat e Kosovës që në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur bota i shihte interesat e veta gjetiu. Si një nga figurat kryesore të Senatit amerikan dhe një nga zërat e fuqishëm të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden qëndroi i palëkundur në dënimin e doktrinës së Millosheviçit, që i këndonte supremacisë serbe. Si Kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, ai mbrojti kauzën e çlirimit nga zgjedha serbe të Ballkanit Perëndimor dhe ishte i vendosur të frenonte ultranacionalizmin serb.

Senatori Bajden paraqiti dhe mbështeti në Senat rezolutën e vitit 1999, që autorizonte Presidentin Klinton ‘të kryente operacione ajrore dhe goditje me raketa në bashkëpunim me aleatët e NATO-s kundër Republikës Federative të Jugosllavisë – Serbi dhe Mali i Zi’ (S. CON. RES. 21, 106th Congress 1st Session, March 23, 1999).

Ai siguroi mbështetje për fushatën ajrore të NATO-s dhe kundërpërgjigjes humanitare kundër spastrimeve masive etnike të shqiptarëve të Kosovës të kryera nga Millosheviçi gjatë fushatës së Aleancës.

Z. Bajden ka vizituar Kosovën tri herë: për herë të parë në vitin 2001, kur shoqëroi të birin, Bo Bajden (Beau Biden), në Bondstill (Bondsteel). Më 4 mars 2008, në ligjëratën e vet, mbajtur në një seancë dëgjimore të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, ai tha:

“Kosova nuk mund të mbetet një kujtim territorial i lavdisë perandorake të perënduar serbe. Zgjidhja e statusit të Kosovës nëpërmjet një deklarimi të njëanshëm të pavarësisë nuk është ideale, po unë mendoj se ishte e nevojshme. Jam krenar që Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para të botës që njohën Kosovën të pavarur.

Ne duhet të ndihmojmë të mbrojmë të ardhmen e Kosovës …… demokracisë më properëndimore me shumicë myslimane. Amerikanë, europianë dhe partnerët ndërkombëtarë kanë investuar shumë atje dhe nuk mund të lejojnë që ambiciet e tyre demokratike të dështojnë”. (Kosovo: The Balkans’ Moment of Truth?, U.S. Senate, Committee on Foreign Relations, Washington, DC., March 4, 2008.)

Më 21 maj 2009, z. Bajden vizitoi zyrtarisht Republikën e Kosovës. Ai përsëriti para Kuvendit të vendit, se njohja e Kosovës ishte një proces i pakthyeshëm, se Kosova ishte një dhe e pandarë:

“Pavarësia e Kosovës ka qenë dhe është, në pikëvështrimin tim dhe në pikëvështrimin e qeverisë sime, opsioni i vetëm i mundshëm për stabilitet në rajon. Pavarësia juaj, ashtu siç thashë në vendet që vizitova (Bosnjë dhe Serbi), është e pakthyeshme, absolutisht e pakthyeshme”

Ai theksoi, gjithashtu, angazhimin amerikan për një Kosovë të bashkuar, të pavarur dhe shumë etnike.

Më 17 gusht 2016, me rastin e përurimit të autostradës së parë të vendit: “Rruga Kombëtare Xhozef R. Bo Bajden”, në një ceremoni emocionuese, që u përcoll nga e gjithë familja Bajden; zëvendëspresidenti Bajden, në kujtim të djalit të tij të ndjerë, tha se Bo i dha mundësinë atij të kuptonte sa e rëndësishme ishte pavarësia për Kosovën dhe suksesi i vendit ishte themelor për të gjithë rajonin. Po kështu, vërejti: “Kjo punë është ende e pambaruar për një sërë arsyesh”.

Në dokumentin e fushatës elektorale, z. Bajden angazhohet të punojë në partneritet me Bashkimin Europian për të rigjallëruar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë me qëllim që të arrihet “një zgjidhje e përgjithshme midis dy vendeve, që të respektojë integritetin territorial të Kosovës dhe njohje të ndërsjellë. “Po kështu, ai do të inkurajojë Bashkimin Europian të liberalizojë vizat me Kosovën që qytetarët e saj të lëvizin lirisht në kontinentin ku bëjnë pjesë dhe të përshpejtojë proceset integruese euroatlantike të Republikës.

Marrëdhëniet e presidencës së re amerikane me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor:

ME BOSNJËN

Presidenti i zgjedhur Bajden është një mik i vjetër dhe i sprovuar i Bosnjë-Hercegovinës që nga ditët errëta të luftës dhe gjenocidit serb deri në përpjekjet për stabilitet dhe drejtësi.

Gjatë luftës të viteve 1992-1995, z. Bajden, si senator, u përpoq pa u lodhur për të miratuar ndërhyrjen në Bosnjë-Hercegovinë për të ndaluar fushatën e egër të gjenocidit, që ushtronte makina ushtarake e Millosheviçit në këtë vend.

Presidenti i zgjedhur vizitoi Bosnjën më 19 maj 2009 si zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara. Në fjalën e vet para Parlamentit të vendit, shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe reformat kushtetuese të nevojshme për integrimin euroatlantik të vendit. Ai u tha politikanëve boshnjakë se do të përballeshin me varfëri dhe gjakderdhje, nëse nuk do t’i jepnin fund retorikës nacionaliste dhe tensioneve etnike.

Në dokumentin “Vizioni i Xho Bajdenit për marrëdhëniet e Amerikës me BosnjëHercegovinën”, sovraniteti dhe integriteti territorial i Bosnjë-Hercegovinës dhe karakteri i vet multietnik është shumë i rëndësishëm për Presidentin e zgjedhur. Më tej, z. Bajden vëren se administrata e vet do të punojë për anëtarësimin e ardhshëm të vendit në Bashkimin Europian dhe në NATO. Statuskuoja midis dy entiteteve boshnjake është aq e brishtë sa mund të rrënohet në çdo kohë, duke gjeneruar një kaos rajonal. Administrata Bajden pritet të përqendrohet në një zgjidhje përfundimtare, gjë që bën të nevojshëm emërimin e një të dërguari të posaçëm në Ballkan, me përvojë dhe që zotëron shprehi negociuese të përshtatshme.

ME SERBINË

Z. Bajden ka vizituar Beogradin më 20 maj 2009, në fillim të mandatit si zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara dhe i ofroi Serbisë atë që ai e quajti një marrëdhënie të re të fortë me Shtetet e Bashkuara. Analistë dhe zyrtarë serbë të politikave ndërkombëtare e përshkruan këtë vizitë si një fillim të ri në marrëdhëniet midis të dy vendeve, d.m.th., pasi Uashingtoni kishte njohur pavarësinë e Kosovës në 2008.

Administrata e re e Shteteve të Bashkuara do t’i kërkojë Serbisë të mos dëmtojë zhvillimin e Kosovës, të përparojë në procesin e integrimit europian dhe të bashkëpunojë me Bashkimin Europian në rindërtimin e vendit, gjë që do të rritë standardet e jetesës të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë minoritetin serb. Po kështu, administrata Bajden do të ftojë Serbinë dhe Kroacinë si bashkëgarantorë të Marrëveshjes së Dejtonit, të mbështesin një zgjidhje funksionale për federatën boshnjake, si dhe përparimin e saj euroatlantik.

ME MALIN E ZI DHE MAQEDONINË E VERIUT

Në Mal të Zi, administrata Bajden do të inkurajojë forcat properëndimore si brenda koalicionit të ri qeverisës, ashtu dhe në Parlament, si dhe do të zhbëjë irredentistët serbë dhe fraksionet proruse. Po kështu, Presidenti Vuçiç do të qartësohet mbi pasojat që do të ketë, në qoftë se nuk heq dorë nga ndërhyrjet në politikat e Malit të Zi, si dhe nga roli i tij negativ në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shtetet e Bashkuara do të mbështesin integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, rritjen dhe forcimin e aktivitetit të vet në NATO. Kjo politikë do të dekurajojë ndërhyrjet e Moskës në Shkup.

BASHKËPUNIMI I PRESIDENCËS SË RE AMERIKANE ME BASHKIMIN EUROPIAN NË MJEDISIN BALLKANIK

Presidenti Bajden mund ta linte Ballkanin si përgjegjësi vetëm të Bashkimit Europian, por duke marrë në konsideratë ligjërimet mbi sovranitetin strategjik të BE-së, blloku prej 27 vendesh (të gjithë me interesa të veçanta) është ende i pafuqishëm të formulojë një politikë efektive në rajon. Shembulli më i fundit është qëndrimi i para disa ditëve i Bullgarisë, e cila bllokoi me këmbëngulje çeljen zyrtare të bisedimeve për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Forumi vendimmarrës më efektiv për Ballkanin Perëndimor do të ishte një koalicion i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, sigurisht, duke përfshirë përpjekjet e individuale të Gjermanisë, Francës, Italisë, madje edhe të Mbretërisë të Bashkuar.

Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi, ku të dyja anët e Atlantikut të tregojnë se era e re e bashkëpunimit transatlantik mund të ofrojë rezultate.

Qëndrimet e qarta të Uashingtonit, Brukselit dhe kryeqyteteve europiane mund të parandalojnë zhvillimin e situatave problemore në rajon. Këtu mund të sjellim si shembull zgjidhjen e situatës të rëndë politike në Maqedoninë e Veriut në vitin 2016. Paqëndrueshmëria, shpesh, vjen nga liderë me axhenda të shpejta, immediate; por, angazhimi pa kompromis i Uashingtonit dhe Brukselit, kur qëllimet janë të përbashkëta dhe të mirëpërcaktuara, japin rezultat. Sot, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Z. Bajden ka theksuar se do të përcaktojë luftën kundër korrupsionit si interes themelor kombëtar dhe përgjegjësi e demokracisë brenda dhe jashtë Amerikës. Kështu, Shtetet e Bashkuara, mund të ndihmojnë në realizimin e politikave europiane në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht, ato që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (progresraportet e Komisionit Europian, sidomos, ai i vitit 2018, tregojnë qartazi se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të kudogjendur, si: në ekonomi, politikë dhe siguri). Nga ana tjetër, liderët keqbërës nacionalistë të rajonit përparojnë nëpërmjet retorikave etnike, të cilat ndezin makinën e tyre politike. Kështu, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, kreditorët apo donatorët perëndimorë më parë duhet të sigurohen që fondet, kreditë apo grantet e tyre të mos përdoren për këtë qëllim. Ata, bashkërisht, duhet të ushtrojnë trysni që liderët lokalë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e veta, sidomos, kur me mjeshtëri fabrikojnë paqëndrueshmëri me qëllim që të mbajnë pushtetin.

Kjo është një lojë, që z. Bajden e njeh mirë, prandaj besojmë që administrata e tij, krahas prioriteteve të politikës së jashtme dhe të sigurisë, do të angazhojë kapitalin politik modest, por të nevojshëm për të riforcuar kredibilitetin transatlantik në rajon.

Së fundmi, duke punuar bashkë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mund të koordinojnë më mirë ndihmat financiare ndërkombëtare me mjete politike. Për vitin 2020, FMN-ja ka alokuar për rajonin 806 milionë euro ndihmë emergjente, ndërsa ndihma financiare makro e Bashkimit Europian shkon në 750 milionë euro. Bashkimi Europian, së fundmi, bëri të njohur Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili arrin në më shumë se 9 miliardë euro, fonde IPA, si dhe miliarda të tjera kredi. Këto para duhet të lëvrohen siç duhet, me kushte të rrepta llogaridhënie dhe me një shtet ligjor funksional. Kjo politikë është e lehtë të përmbushet, në qoftë se Shtetet e Bashkuara do të bëhen pjesë e masave shtrënguese.

QËNDRIMI I PRESIDENCËS SË RE AMERIKANE NDAJ NDËRHYRJEVE TË RUSISË DHE KINËS NË RAJON

Administrata Bajden do të luajë një rol më aktiv për të përmbajtur influencën dhe subversionin rus dhe kinez në të gjithë gadishullin e Ballkanit.

Presidenca e Bajdenit mund të nxitë iniciativa shumëkombëshe kundër subversionit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, i cili synon të përqendrohet në dobësitë shoqërore apo shtetërore, që Kremlini i shfrytëzon për interesat e veta, përfshirë dezinformimin, korrupsionin, si dhe financimin e ekstremizmit të djathtë apo të majtë. Qëndrimet e Beogradit do të shqyrtohen nëse i shërbejnë sigurisë rajonale apo Rusisë për të minuar institucionet perëndimore. Influenca e Moskës mund të tretet duke ndihmuar integrimin e shpejtë në Bashkimin Europian të Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Një lidership i fortë amerikan do të përmirësonte standardet demokratike dhe do të përshpejtonte arritjen e këtij qëllimi.

Kina ka investuar miliona në infrastrukturë dhe telekomunikacion. Por, Kina shfrytëzon nevojën rajonale për investime për të injektuar influencën e vet politike në Ballkan. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian pritet të punojnë së bashku për të parandaluar Kinën të zotërojë sektorë kyç të ekonomisë ballkanike, duke u përpjekur të krijojnë kushte më të mira për investime private dhe publike. Kjo veprimtari është, veçanërisht, urgjente tani, kur ndikimi negativ i pandemisë ka përkeqësuar rëndë situatën ekonomike, kësisoj Plani i Investimeve Ekonomike prej 9 miliardë eurosh për projekte ekonomike dhe zhvillimore në Ballkanin Perëndimor është një fillim premtues.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura