Miratohet shpërblimi 33 milionë USD për pensionistët, Ahmetaj: Strehim çifteve të reja

Sep 8, 2018 | 7:52
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Parlamenti miratoi ne seancen e se enjtes me 78 vota pro Aktin Normativ që ndryshon buxhetin e shtetit për vitin 2018.

ahmetaj

Gjatë seancës plenare, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se falë këtij ndryshimi buxhetor qeveria nuk heq dorë në fundvit për t’u dhënë qytetarëve paketën e solidaritetit. Ai tha se pensionistët dhe shtresat në nevojë do të përfitojnë si shpërblim 5 mijë lekë, ndërkohë që objektivi për vitet e ardhshme është që të shpërndahen deri në 7 mijë lekë. Në total, sipas Arben Ahmetajt, do të shpërndahen për qytetarët 33 milionë dollarë.

“Me këtë Akt Normativ kemi konfirmuar paketën e solidaritetit për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike. Kemi thënë që në çdo vit ne do kemi paketë solidariteti. Do vijmë vit pas viti dhe ta rritim për ta çuar në atë nivel që kemi çuar në programin tonë qeverisës, pra, në 7 mijë lekë. Për shkak të debatit politik, më lejoni të bëj një seri shifrash, në fund të këtij viti pensionistët do të marrin 33 milionë dollarë nga buxheti i shtetit paketë solidariteti. Është një 50 mijë lekësh i vjetër në fund të vitit. A mjafton kjo? Jo, nuk mjafton”, tha ministri i Financave.

Ahmetaj tha nga foltorja e Kuvendit se maxhoranca e majtë ka dhënë në 4 vite për qytetarët, më shumë seç ka dhënë ish-qeveria Berisha në 8 vite. “Në 8 vitet e PD janë dhënë vetëm 4 herë bonuse në fund të vitit. Po ta shikoni, janë dhënë bonuse vetëm gjatë viteve elektorale dhe shuma është rreth 10.3 miliardë lekë në 8 vite. Mandati i parë i qeverisë Rama kthen mbrapsht te qytetarët si paketë solidariteti 11.7 miliardë që do të thotë se kjo qeveri ka dhënë në 4 vite më shumë se ç’ka dhënë PD në 8 vite”, tha ai.

STREHIMI

Në prioritetet e qeverisë, ministri i Financave tha se do të jetë strehimi i çifteve të reja. Për Ahmetajn, këtë zotim të Kryeministrit qeveria do ta zbatojë edhe me synimin për të frenuar rënien demografike. “Një nga sfidat është sfida demografike dhe Kryeministri ka marrë sfidën për të materializuar një politikë strehimi në favor të përmirësimit të strehimit për çiftet e reja me qëllim rritjen demografike. Duke i bërë thirrje çifteve të reja apo shqiptarëve, duke i ndihmuar me aq sa mundemi, se ky është vendi dhe këto janë pasuritë. Ne kërkojmë të kthejmë mbrapsht atë trend negativ që po njeh vendi ndër shekuj po të doni. Uljen demografike, ai është risku më i madh po të doni i ekonomisë, po të doni i vendit apo të integritetit kombëtar”, tha ai.

RILINDJA URBANE

Duke folur për investimet, Ahmetaj tha se projektet e rilindjes urbane i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 510 milionë dollarë dhe për këtë janë zbatuar 642 projekte që kanë përmirësuar jetesën e qytetarëve në gjithë Shqipërinë. Ai tha se ditën që erdhi në pushtet qeveria e majtë e shpëtoi vendin nga skenari grek. “Rilindja urbane ajo që këta e quajnë përmirësimin e sheshit, e rrugës, e ujit të sokakëve, të shesheve të Kukësit, Gjirokastrës, këta e quajnë bojë, por ajo është cilësi jete. S’po them që po bëjmë çudira, jemi shumë larg asaj që duam dhe duhet e çfarë kemi ndërmend të bëjmë. Janë harxhuar dhe investuar 510 milionë dollarë në 4 vite për Rilindjen urbane. Ka ndryshuar Durrësi, ka ndryshuar Kukësi, Tropoja, Peshkopia, Korça, Fieri, Gjirokastra, Vlora. Kanë ndryshuar fytyrën njerëzit, janë më krenar në qendër të qytetit. Ja ku shkuan investimet, janë 642 projekte. Ditën që erdhëm ne, e shpëtuam Shqipërinë nga skenari grek”, tha Ahmetaj

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura