Miratohet rritja e çmimit të ujit nga 31 këshilltarë, LSI-së i rrjedhin dy vota

Jul 26, 2017 | 20:04
SHPËRNDAJE

Këshilli Bashkiak miratoi pasditen e sotme rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Miratimi i rritjes së çmimit të ujit nga 31 këshilltarë, ku dy vota dha LSI, tre vota PDIU, dhe një FRD.

Në mbledhjen e sotme të këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se plani i biznesit do të garantojë një sërë investimesh që do të mundësojnë furnizimin pa ndërprerje.

keshill bashkia erion veliaj

Në planin e biznesit të Bashkisë së Tiranës parashikohen që 10 milionë euro të investohen për shtimin e burimeve të ujit, ku është identifikuar burimi i Gurit të Bardhë në Burrel që do t’i shtohet Tiranës, 5 milionë do të investohen për përpunimin dhe filtrimin e ujit, 50 milionë do të investohen në sistemin e transmetimit për të garantuar uljen e kostos dhe zhdukjen e humbjeve pasi sistemi do të jetë i papenetrueshëm, 50 milionë të tjera do të investohen në rrjetin e shpërndarjes që do të shtrihet në mënyrë kapilare në çdo lagje, sidomos në ato informale dhe ato të krijuara pas viteve 1990 si dhe 40 milionë të tjera do të investohen në kanalizime.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se përmes këtij vendimi qytetarët do të shpëtojnë nga depozitat dhe nga kostot shtesë që janë detyruar të paguajnë përveç faturës së UKT.

“Të shpëtojmë nga pompa që është kosto më vete, të shpëtojmë nga blerja e ujit në markete që është kosto më vete, të shpëtojmë nga të gjitha ato shpenzime, energjia elektrike për të përdorur pompën. Të gjitha këto janë kosto, sepse njerëzit mendojnë se kosto është vetëm fatura e UKT”, tha ai.

Veliaj deklaroi se shembulli i suksesit është Bashkia e Korçës, e cila pas ndryshimit të tarifës së ujit, siguroi realizimin e një sërë investimesh, duke siguruar furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë. Kreu i Bashkisë deklaroi se ata që sot kritikojnë, pavarësisht se e rritën çmimin e ujit të pijshëm me 125 për qind, si pasojë e keqmenaxhimit ulën kohën e furnizimit me ujë për qytetarët.

“Investimet për herë të parë në 27 vjet janë rritur me 109%, pra kemi bërë 2-fishin e investimeve që janë bërë ndonjëherë në një vit normal. Ndërkohë orari i furnizimit, e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë dhe e kemi sot Tiranën me 13 orë ujë në ditë. Lulzim Basha dhe Sali Berisha e rritën çmimin e ujit fshehurazi, pa pasur burrninë të vinin këtu siç jemi ne në Këshillin Bashkiak dhe ta diskutonin, por fshehurazi e miratuan vetëm me vendim bordi 125 %”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura