Miratohet buxheti për 2020, 20 miliardë lekë i caktohen Ministrisë për Rindërtimin

Dec 14, 2019 | 17:34
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Komisioni i Ekonomisë miratoi dje buxhetin për vitin 2020. Drafti, i cili pritet të miratohet nen për nen në seancën parlamentare të datës 18 nëntor, ka pësuar ndryshime në krahasim me dokumentin që u diskutua në komision para tërmetit.ahmetaj

Projektbuxheti pësoi ndryshime pikërisht për të krijuar fondin për rindërtim të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti 6.4 i shkallës rihter më 26 nëntor 2019. Kryetari i Komisionit, Arben Ahmetaj, i cili gjatë mbledhjes mori lajmin se u dekretua nga kreu i shtetit si ministër për Rindërtim, prezantoi ndryshimet që ka pësuar buxheti i vitit të ardhshëm nga varianti fillestar.

Sipas Ahmetajt, fondi për rindërtimin do të jetë 20 miliardë lekë, nga të cilat 13 miliardë janë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër ndihma. “Fondi i rindërtimit do të jetë 20 miliardë, nga të cilat 13 miliardë sigurohen nga buxheti i shtetit dhe 7 miliardë nga donacionet. Në buxhetin e 2020-s do të shtohet edhe një fond prej 1.2 miliardë lekësh për strehimin e personave që kanë humbur banesat.

Shtohet neni i rindërtimit. Fondi i rindërtimit prej 20 miliardësh që përdoret për përballimin e dëmeve të tërmetit, përbëhet nga grante (ndihma) 7 miliardë dhe shpenzime të buxhetit 13 miliardë. Çdo e ardhur në formë granti rrit në të njëjtën kohë edhe shpenzimin për rindërtimin”, tha Arben Ahmetaj.ahemtaj1

FONDET

Në buxhetin e ri ka një dispozitë që parashikon se çfarë ndodh me fondet e mbledhura në rast se nuk janë shpenzuar përgjatë vitit 2020. “Në fund të vitit buxhetor, fondet e pashpenzuara trashëgohen në vitin pasardhës dhe përdoren për të njëjtin qëllim. Mënyra e përdorimit të fondit të rindërtimit, programet buxhetore ku do të alokohen, si dhe institucionet dhe agjencitë zbatuese të tij, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave”, tha Ahmetaj. Nga rishikimi që i është bërë buxhetit, kanë pësuar ndryshime thuajse të gjitha zërat e ministrive përveç buxhetit të paracaktuar që në draftin e parë për ndërtimin e qendrave shëndetësore. Ahmetaj deklaroi se vetëm investimet në shëndetësi nuk do të preken. “6.2 miliardë lekë që është parashikuar për investime, do të rishikohen. Nuk do të preket fondi i Mistrisë së Shëndetësisë dhe investimet e reja të parashikuara. Ndërsa me projektet e tjera do të ketë ndryshime”, vijoi Ahmetaj.

HEQJA E TVSH-së

Në kuadër të fatkeqësisë natyrore që preku vendin më 26 nëntor, buxheti i vitit 2020 parashikon që të heqë TVSHnë për të gjitha mallrat që do të përdoren për rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga tërmeti. Këtë lehtësi për mallrat dhe shërbimet do ta përfitojnë vetëm kompanitë e ndërtimit të autorizuara për zbatimin e projektit të rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.

“Në kuadër të rindërtimit të banesave, kemi propozuar që të përjashtohen nga TVSH-ja e importit subjektet dhe projektet që do të merren vetëm me rindërtimin e banesave. Gjithçka, çdo përjashtim do të bëhet me autorizim të Këshillit të Ministrave. Ende nuk dihet fatura e dëmeve të tërmetit dhe ende nuk dihet se sa do të shkojë. Përjashtohen nga TVSH-ja të gjithë këto subjekte përgjatë periudhës së rindërtimit. Përjashtimi nga TVSH-ja duhet të shoqërohet edhe me ulje të çmimeve të mallrave të ndërtimit, që do të përdoren për rindërtimin”, deklaroi Ahmetaj, tashmë ministër për Rindërtimin.

Po ashtu, janë shtuar 3 miliardë lekë për Ministrinë e Infrastrukturës në zërin e shpenzimeve. Po në këtë zë janë dhënë 1.5 miliardë lekë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, 5 milionë për Ministrinë e Bujqësisë. Ndërsa në buxhetin vendor janë shtuar 200 milionë lekë. Ditën e djeshme, komisioni i ekonomisë miratoi edhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm, e cila javën e ardhshme pritet të kalojnë në Kuvend, për miratimin përfundimtar.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura