Miratohet bonusi i qirave dhe plani për rindërtimin. Ahmetaj: Kujdes kur shpallet një banesë e pariparueshme

Dec 18, 2019 | 19:56
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Dje, Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy aktet normative të qeverisë, që ndihmojnë në procesin e rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. 

ahmetaj-Sipas këtij relacioni, procesi do të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme. Do të procedohet me rindërtimin e objekteve të shpallura të pabanueshme e që kanë filluar të shemben dhe meremetimin e atyre ndërtesave që kanë pësuar dëme më të vogla, të cilave lëkundja nuk ua ka cenuar strukturën.

Dy aktet normative “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore” dhe “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qerasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, janë votuar nga anëtarët e Komisionit të Ekonomisë pa shumë kontestime. Në bazë të relacionit të qeverisë, kostoja për përballimin e bonusit të qirasë për 6000 mijë familjet llogaritet të shkojë rreth 1 miliard lekë, kosto që në masën dërrmuese të saj do të përballohet nga buxheti i shtetit. S

ubjekt i kësaj vendimmarrjeje të Komisionit të Ekonomisë bëhen familjet dhe individët që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe/ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore. “Nuk është subjekt përfitues individi ose familja, që ka në pronësi ose posedim të ligjshëm më shumë se një banesë, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht nëse banesa që është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore ka qenë vendbanim i zakonshëm”, thuhet në aktin normativ të miratuar dje në Komisionin e Ekonomisë.

Për rastet kur një familjeje apo një individi, që ka pasur dy shtëpi brenda zonës ku është shpallur gjendja e emergjencës dhe i janë dëmtuar të dyja, qeveria merr përsipër rindërtimin apo rikonstruksionin e vetëm njërës prej tyre. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në fjalën e tij apeloi për përgjegjshmëri dhe profesionalizëm nga ana e strukturave të bashkive në momentin që bëjnë ekspertimin e banesave për të mos u nxituar në shpalljen e tyre të pabanueshme. Sipas tij, është hera e parë që vendi ynë do të ketë një ligj të tillë, që vjen si rezultat i situatës së paprecedent që prodhoi tërmeti i 26 nëntorit.

“Ky ligj krijon një urë lidhëse midis gjendjes së emergjencës dhe pasojave që lënë fatkeqësitë natyrore. Ky ligj shkon në detajet e financimit, përgjegjësitë e pushtetit lokal apo qendror. Shqipëria nuk ka pasur më parë një ligj të tillë, por është mjaftuar me ligjin e emergjencave. Prandaj, për herë të parë ligji vendos instrumente në dorë të qeverisë për rindërtim. Ligji ka fuqi koordinative dhe detyron qeverinë të ketë një plan rindërtimi. Programi i rindërtimit do të jetë program buxhetor me njësi ekzekutuese të tilla si: Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, njësitë vendore etj. Pushtetit vendor duhet t’i kushtohet shumë vëmendje në aktet e konstatimit që bëjnë në ndërtesa, në mënyrë që të prishen godinat që janë të pariparueshme”, tha Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura