Miratohen në Kuvend projektligjet për Eurobondin, buxhetin faktik dhe ngritjen e Komisionit Hetimor për inceneratorët

Oct 28, 2021 | 19:46
SHPËRNDAJE

Pas afro 10 orë diskutime janë miratuar sot në Kuvend ngritja e Komisionit Hetimor për inceneratorët, marrja e Eurobondit me vlerë 700 milionë euro dhe projektligji për Buxhetin faktik të vitit 2020.   

Kuvendi voton

Vlen për t’u theksuar që për ngritjen e Komisionit Hetimor për inceneratorët ishin 117 vota pro dhe asnjë kundër.

Për marrjen e Eurobondit 700 milionë euro nga Ministria e Financave, ishin 78 pro, 4 kundër dhe 33 abstenim. Projektligji për Buxhetin faktik u miratua me 76 vota pro, 41 kundër dhe asnjë abstenim.

Kujtojmë që kryetare e Komisionit Hetimor për inceneratorët pritet të jetë nënkryetarja e PD Jorida Tabaku. Ngritja e këtij Komisioni Hetimor u propozua nga demokratët për të verifikuar ligjshmërinë e hapave që janë marrë nga qeveria Rama për tre inceneratorët, atë të Tiranës, të Fierit dhe Elbasanit.

PROJEKTLIGJET/ VOTIMI 

Projektligj “Për eurobondin, që do të emëtohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dore nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë” miratohet me 78 vota pro, 4 kundër dhe 33 abstenim.

Projektligj “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020” miratohet me 76 vota pro dhe 41 kundër.

Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpëmdarjes së Energjisë Elektrike, sh.a. (OSHEE), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-se për reagimin ndaj krizes së pandemisë Covid-19” miratohet me 78 vota pro, 3 kundër dhe 36 abstenim

Projektvendim “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar ligjshmerinë e veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier” miratohet me 117 vota kundër asnjë, abstenim 1.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura