Miratohen 1500 kuota për praktikat profesionale në ministrinë e Arsimit, paga 22 mijë lekë

Mar 4, 2015 | 18:34
SHPËRNDAJE

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme numrin e praktikantëve që do të kryejnë praktikat profesionale, me kontratë të përkohshme për periudhën 1 janar-15 qershor dhe 15 shtator deri në 31 dhjetor 2015, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Mbledhje qeverie

Qeveria ka vendosur që numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale për sistemin arsimor parauniversitar të jetë 1 500 veta.

Në pikën e tretë të këtij vendimi thuhet se praktikantët, gjatë periudhës për kryerjen e praktikës profesionale, do të përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi, njësitë arsimore vendore pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të përllogaritur mbi pagën bazë minimale mujore 22 000 lekë.

“Efektet financiare për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2015, në shumën 49 599 000 (dyzet e nëntë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë) lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2015 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit”,-thuhet në vendimin e qeverisë, ndërsa theksohet se ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura