MIRA PACOLLI: Çfarë fshihet pas Zonjës së Parë të Kosovës

Feb 27, 2011 | 10:26
SHPËRNDAJE

Asgjë më shumë se sa një foto familjare. Ajo ka munguar gjithmonë në fushatat politike të bashkëshortit Behgjet Pacolli dhe emri i saj u bë i famshëm vetëm 3 ditë më parë; atëherë kur i shoqi u zgjodh kryetar shteti.
Kjo është zonja e parë e Republikës së Kosovës, Maria Serena, ose siç thirret ndryshe në vendlindjen e saj në Rusi, Masha. E martuar me Behgjet Pacollin 8 vite më parë, informacionet rreth saj janë vetëm disa rreshta të shkruara nga bashkëshorti në një intervistë të vitit 2007, dhënë revistës kroate “Nacional”. “Shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën time vitet e fundit. Kam vajzën e vogël 3 vjeç (tashmë 7), dhe djalin 18 muajsh (tashmë rreth 5). Djali quhet Isë, sipas babait tim, e vajza Hana. Të dy janë të mrekullueshëm. Bashkëshortja ime e re 29-vjeçare (aktualisht 33), më ka dhënë gjënë më të shtrenjtë – fëmijët. Jam ringjallur. Vajza tjetër më e madhe ka karrierën e saj personale, është drejtoreshë në një bankë në Austri. Më vjen shumë mirë për këtë. Vajza tjetër studion ekonomikun në Zvicër dhe pretendon që një ditë të bëhet udhëheqëse e kompanive të mia”, ka thënë Pacolli për “Nacional” në atë kohë. Por tashmë familja e tij është shtuar edhe me një tjetër djalë, Diarin. Vogëlushi ka ardhur në jetë muajin e kaluar, për të cilin vetë Pacolli shkroi në profilin e tij personal në Facebook: “Miq të nderuar, ju njoftoj se në familjen time këto ditë kemi momente gëzimi. Zoti na ka gëzuar, ime shoqe ka lindur edhe një djalë, e kemi pagëzuar Diar, i lindur më 26. 01. 2011 në ora 17:56 min, 4.8 kg, 55cm i gjatë”. Me kaq përfundojnë informacionet zyrtare për Zonjën e Parë të Kosovës, por njëkohësisht fillojnë spekulimet e mediave kosovare dhe ruse…
Në Kosovë
Duket se nuk e kanë pritur mirë faktin që Zonja e Parë e Republikës së Kosovës është një vajzë nga San Petersburgu. Menjëherë pas zgjedhjes së Behgjet Pacollit si President, në Facebook është hapur një faqe kundër bashkëshortes së tij, Maria Serena. Fansat që kanë mbështetur këtë nismë janë me qindra, ndërsa në forume të ndryshme po zhvillohen debate nga më degjenerueset. Duke zgjedhur fjalitë më elitare, po përzgjedhim disa nga dilemat që shtrohen në forume. “Përfaqësuesit e institucioneve të larta shtetërore dhe pretendentët e këtyre posteve, në vendet demokratike, gjatë veprimtarisë së tyre politike dhe punës institucionale mbështeten fuqishëm edhe nga bashkëshortet e tyre. Kjo praktikë në vitet e fundit ka filluar të funksionojë edhe në Kosovë, por i vetmi që nuk është parë kurrë me bashkëshorten e tij, as gjatë fushatës zgjedhore, e as në aktivitete të  tjera, është Presidenti të Kosovës, Behgjet Pacolli, duke mos u dhënë mundësinë qytetarëve të Kosovës të mësojnë se kush do të jetë zonja e parë e Republikës së Kosovës. Nuk duam vetëm një foto, por një CV të plotë se kush është kjo Zonjë që vjen nga Rusia”, thuhet në forum. Një tjetër shton: “Madje as në shkrimet e shumta për biografinë e tij nuk shkruan se kush është bashkëshortja e tij. Rasti i rrallë që Pacolli kishte përmendur bashkëshorten e tij, por pa emër, është njoftimi i janarit që ka bërë në “Facebook” për lindjen e djalit të tij, Diarit”. E ndërsa qytetarët e Kosovës e shohin këtë martesë si të dyshimtë, ata rusë e përgëzojnë.
Mediat në Rusi
Ndryshe nga shumë media në Kosovë, në Rusi është përgëzuar dhe vlerësuar martesa e Pacollit me vajzën nga San Petërsburgu. “Në të vërtetë, shfaqja e Pacollit si president mund të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë. Martesa e tij me vajzën ruse, Maria Serena, është një dëshmi e dashamirësisë dhe simpatisë së tij për vendin tonë”, thuhet në gazetën ruse “Nasha gazeta”. Në të njëjtën linjë këmbëngul edhe gazeta tjetër “Ino Pressa”, ku ndërkohë bëhet edhe një “skaner” i bizneseve të Pacollit me Rusinë. Këto biznese, si dhe martesa e tij me Marian, “përkthehen” nga kjo gazetë si një mundësi afrimi në të ardhmen mes Rusisë e Kosovës, të cilat do të shkojnë më pas deri në zbutjen e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Megjithatë, ashtu si edhe në Kosovë, edhe në Rusi nuk jepet asnjë informacion për Zonjën e Parë, përveç emrit të saj dhe fotos së famshme të 3 viteve më parë.
Si i ka përdorur Rusia martesat politike
Komentet dyshuese për ndikimin e gruas së Presidentit Pacolli për marrëdhëniet Kosovë-Rusi duket se e kanë një precedent. Moska njihet për taktikat e martesave politike, sidomos në ish-republikat sovjetike. Për shembull, Uzbekistani, vend i Azisë Qendrore i dalë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ka pasur një president që nga pavarësia, gratë e të cilit kanë qenë të gjitha ruse. E njëjta gjë vlen dhe për politikanë të niveleve më të ulëta. Martesa me femra ruse është parë si mundësi mbështetjeje nga “nëna” Rusi dhe sipas analistëve e historianëve, ashtu është. Sipas tyre, ndonëse qëndrojnë në hije, gratë e presidentëve në ish-republikat sovjetike kanë luajtur rol kyç në karrierat politike të bashkëshortëve. Kjo bëhet edhe më e vërtetë, nëse gratë e presidentëve të vendeve të dala nga Bashkimi Sovjetik, janë ruse. Kjo i ka ndihmuar bashkëshortët e tyre për raporte të mira me Moskën. Abdullah Ogli, analist i pavarur në Uzbekistan, thotë se “motivet pas martesave me gra ruse lidhen me përpjekjet për të ngjitur shkallët e karrierës. Nëse hedh vështrimin në kohë, e sheh se zyrtarët e emëruar nga Moska kanë pasur gra ruse. Përveç kësaj, Moska është përpjekur që dhe udhëheqësit e ish republikave sovjetike të ishin etnikisht të përzier”. Si kundërshembull të kësaj strategjie, mund të marrim ish-republikat sovjetike, Ukrainë dhe Gjeorgji. Në të dyja vendet gjatë viteve të fundit kemi pasur revolucionet e portokallta dhe të purpurta, të cilat çuan në vendosjen e pushteteve pro perëndimore dhe shtimin e përplasjeve me Moskën. Bashkëshortja e presidentit ukrainas, Viktor Jushçenko, është amerikane, kurse Zonja e Parë e Gjeorgjisë është holandeze. Ende nuk dihet nëse zgjedhja e bashkëshorteve nga Jushçenko dhe Saakashvili ishte rastësi apo zgjedhje e menduar. Ashtu siç nuk dihet edhe për Pacollin, i cili Marian e ka bashkëshorten e tij të tretë.

 

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura