Miq prej 6 dekadash, Faslli Haliti krahason poezitë e Zeqos me kryeveprën e Da Vinçit

Jun 21, 2020 | 11:41
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Personalitete nga bota e artit dhe kulturës përcollën dje një nga protagonistët dhe kritikët më në zë të saj. Studiuesi Moikom Zeqo, si në të gjallë, ditën e djeshme, gjatë lamtumirës së fundit në Muzeun Historik Kombëtar, ishte i rrethuar nga miqtë e tij. Ndër ta, poeti Faslli Haliti, me të cilin njiheshin prej afro 6 dekadash, rrëfen miqësinë e tyre dhe atë çka Zeqon e dallonte ndër të tjerë.haaa

 

Po ashtu, Haliti tregon kohën kur poliedriku ishte në moshë fare të re dhe Ismail Kadare i kërkon të recensojë poezitë e tij. “Moikom Zeqon e njoha së pari nga poezitë e tij. Ishin vitet 1962-1963, kur ai sapo kishte nisur të krijonte dhe kishte menduar të botonte një vëllim me poezi. Ishte vetë Ismail Kadare që ma dha për recensë mua atë përmbledhje”. “Është libër interesant, bëhet fjalë për një poet të ri”, tregon poeti. Mandej Haliti do ta merrte për ta recensuar, por nuk do të ndihej i kënaqur me punën e bërë. “Kadare më pyeti: Pse nuk të pëlqeu?”, tregon më tej për “Panoramën”. Por shkaku që recensa nuk do t’i dukej në parametrat e duhur, ishte tjetër gjë. “Jo, se s’më pëlqeu,- i thashë, – por nuk e bëja dot në atë nivel që e donit ju”.

Poeti rrëfen më tej se Kadare do të kishte një pëlqim të veçantë ndaj poezive të Zeqos, sikundër edhe të disa të rinjve të tjerë. “Me Moikomin ishin afruar shumë në atë kohë. Kanë qenë miq, shkonin e vinin në shtëpitë e njëri-tjetrit”.

“Ishte një megaerudit, Zot i metaforave”

Faslli Haliti do ta ruante deri në ditët e fundit miqësinë me Moikom Zeqon dhe në momente delikate do t’i gjendeshin pranë njëri-tjetrit. Gjatë homazheve, mes emocioneve për mikun e tij, ai shpreh konsideratën për të qoftë si njeri të letrave, ashtu edhe nga ana humane. “Moikomi nuk ishte thjesht erudit, ai ishte një MEGAERUDIT. Mbi të gjitha, ishte një njeri me zemër të gjerë. Ndihmonte kolegët, pa pasur ndjesinë e xhelozisë apo të smirës, se ai do të ecte përpara. Ishte i begatë”. Haliti tregon se është edhe njohës i mirë i veprave të Zeqos dhe shumë prej tyre i ruan në bibliotekën e tij. Sa i përket veprës “Kështu foli Mona Liza”, që shkrimtari e konsideronte si kryeveprën apo “librin e jetës së tij”, Faslli Haliti do të theksonte: “Moikom Zeqo e botoi librin ‘Kështu foli Mona Liza’ pesë vjet para librit bestseller ‘Kodi i da Vinçit’, i Dan Brown”.

Në pritje që vepra e tij të vlerësohet nga lexues të shumtë, ai bën një krahasim mes veprave të poliedrikut tonë dhe kryeveprës së Leonardo da Vinçit, për të cilin ai së fundmi ribotoi edhe një tjetër libër, “Traktati i pikturës së Leonardo da Vinçit”.

“‘Mona Liza’ është kryevepra e Da Vinçit dhe enigmën e buzëqeshjes së saj, unë do ta krahasoja me misterin e poezive të Moikomit, të fshehtat që ato bartin. Has aty një përkim të ideve dhe emocioneve. Mona Liza është e heshtur, por flet shumë, sikundër edhe poezitë e poliedrikut tonë. Moikomi është ZOT I METAFORAVE.

Ai e ka metaforën si të dashurën e tij. Ndërsa lexon poezitë e tij, të duket sikur je në një labirint, por shumë shpejt e kupton se ato të çojnë drejt dritës. Për të shprehur gjithë këto vlera që ai mbart, sapo mora vesh lajmin e hidhur i thura një poezi, me vargjet: U shua Moikomi/ Shuhet flaka olimpike?/ Flaka olimpike rri ndezur përjetësisht…”

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura