Miq në parti “kundërshtare”, Lako rrëfen Moikomin. Ish-deputetja: Ishim pika lidhëse mes PS dhe PD

Jun 17, 2020 | 20:55
SHPËRNDAJE

natasha-lako

Anila Dedaj/ “Shpirt i madh i konstruksionit, ndërtues i një bote të mrekullueshme artistike, hipnotizues i historisë, koleksionist thesaresh njerëzore, thurresh vigan në avlëmendin kozmik, i papërsëritshëm!” Poetja, skenaristja dhe ish-deputetja, Natasha Lako, përmes këtyre fjalëve, i jep lamtumirën mikut dhe kolegut të saj Moikom Zeqos. Lajmi i hidhur i gjen jashtë Tirane, dhe përpos emocioneve të pashmangshme, bashkë me bashkëshortin, kineastin Mevlan Shanaj, në bisedat e këtyre ditëve, sjellin në vëmendje përballjen e tij të guximshme me leuceminë akute. 
moikom zeqo

“Ai e sfidoi sëmundjen, nuk u dorëzua asnjë çast, por bëri një betejë heroike. Ai është heroi Moikom, që diti të flasë me vdekjen mbi pavdekësinë e shqiptareve”, thotë Lako për “Panoramën”. Poetja flet për njohjen e hershme me shkrimtarin, miqësinë e tyre edhe në fillimet e viteve të trazuara ’90, kur të dy ishin përfshirë në politikë, në partitë kryesore “kundërshtare”, Partinë Socialiste dhe atë Demokrate. Lako rrëfen Moikomin, si një shkrimtar unik, “pararendës të kohës së sotme”, që nuk përsëritet më.

Si e keni njohur poliedrikun, Moikom Zeqo?

Me Moikomin jemi njohur që në vitet e rinisë, pasi të dy nisëm të botonim shumë herët. Më lidh me të një bashkëudhëtim shumë i gjatë, një miqësi u forcua prej interesave të njëjta, veçanërisht letrare. Moikomi ka qenë ndër të tjera, një njeri shumë i kulturuar dhe koleksionist i shkëlqyer. Kujtoj se periudha kur nisi punë në gazetën “Drita” e gjeti shumë të angazhuar. Aty unë dërgoja edhe poezitë, dorëshkrimet e mia të para, dhe siç do të më rrëfente më vonë, Moikomi ruante njërën prej tyre, poezinë “20 qindraka”.

Pas viteve ’90, ndonëse në kahe të ndryshme politike, ju në Partinë Demokratike dhe Zeqo në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, do t’ju bashkonte edhe politika. Ç’kujtoni prej tij si parlamentar?

Unë qëndrova në politikë për një periudhë më të shkurtër se sa Moikomi, pasi për shkak të qëndrimeve të mia, dhashë dorëheqjen nga Parlamenti, si deputete. E kujtoj, Moikomin si mik, me të cilin shkëmbeja biseda të larmishme dhe e dija se isha e kuptuar, pavarësisht rasteve kur kishim mendime apo qëndrime të ndryshme. Të dy ishim të ndërgjegjshëm se pa “pluralizëm” mendimi, nuk ka zhvillim. Përpos kësaj, ne na lidhte pasioni për letërsinë, një fushë që nuk njeh ngjyrime politike.

Ndonëse në parti “kundërshtare”, ju ishit miq. Por, si shikohej Moikom Zeqo, nga deputetët e tjerë të PD-së, duke pasur parasysh faktin se ai i shprehte hapur qëndrimet dhe kritikat e tij?

Sigurisht që ajo ka qenë periudha e paragjykimeve. Madje, edhe unë gjykohesha pse shoqërohesha me Moikomin, apo Dritëroin, sepse disa elementë të Parlamentit,mendonin se “kampet” duhet të ishin të ndara. Mirëpo, paragjykime të tilla nuk vinin nga njerëzit e kulturuar.

Kujtoj madje se në vitin e parë, në 1991-shin, deputetët kur vinin në Parlament kishin armë, sepse ua lejonte edhe statusi në atë periudhë. Dhe të bënte shumë përshtypje që kur hynin në Parlament dorëzonin armët. Ndonjëherë arma tregohej në mënyrë simbolike, por edhe në mënyrë domethënëse. Ajo ishte një periudhë e tillë. Ku figura si Dritëroi, Moikomi apo edhe ne të tjerët që i përkisnim fushës së letërsisë, ishim si pika lidhëse me njëri-tjetrin. Pra letërsia, në një farë mënyre, bëhej pika e bashkimit të dy kaheve.

Ndonëse, sot shkrimtarët nuk pyeten shumë, ata janë negociatorë të aftë dhe të zotë, çka vlerësohet në mbarë botën.

Por siç e thatë ju ishit njerëz të letrave, si ndiheshit përballë atyre që tregonin edhe armët?

E pra, kishte edhe nga ata që tregonin armët, mirëpo detyra e intelektualit atëherë dhe sot është që të interferojë në botën e egër. Shkrimtari ndihmon shumë për të zbutur marrëdhëniet, për të vendosur ekuilibër. Mendoj se ka qenë kjo detyra jonë, dhe prandaj u gjendëm në Parlament pikërisht në një periudhë të tillë… Ndoshta edhe sot, është kjo ajo që mungon në Parlamentin tonë.

Cili është mendimi juaj për krijimtarinë letrare të Moikom Zeqos?

Më herët kam qenë ndër lexueset e para të librave të Moikomit. Ai vetë mi dhuronte librat,dhe një herë i them: “Moikom, nuk e di se kur do të kuptojnë lexuesit shqiptar. Je pararendës në epokën tonë të sotme!”

Vepra e Moikomit, veçanërisht ajo e dy dekadave të fundit, mbart një pjekuri të madhe krijuese. Më kërkoi një herë një mendim të shkruar për veprën, dhe unë bëra një ese për “Golgotë fluturash”, që është një libër tepër delikat, për botën kozmologjike të Moikomit. Unë e quaj një koleksionist të madh e të gjithanshëm të jetës. Në letërsi ka konstruktiv dhe dekonstruktiv, Moiomi ndërton një realitet të tijën (Që s’dihet se kur do të vijë!) përmes koleksionimit të tij. Arti dhe krijimtaria e Moikomit janë shumë konstruktive.

Krahas krijimtarisë, do t’i mungojë kulturës dhe artit shqiptar edhe zëri i tij kritik, mendimi i lirë. Si e shikoni zbrazëtinë që lë humbja fizike e Moikom Zeqos?

Janë pikëpamjet, qëndrimi, që e bën një njeri të afrohet në një lloj grupimi politik, shoqëror, kulturor etj. Por Moikom Zeqo ka pasur përherë një mendim shumë të pavarur, kjo edhe sepse letërsia vetë, nuk e lejon bashkimin në mënyrë të plotë e të disiplinuar me një grup të ngushtë. Shkrimtari mund të jetë aleat i një grupi, por kur flitet për shkrimtarë të vërtetë, ata e mbrojnë fort pavarësinë e tyre. Për më tepër Moikomi, bota e të cilit ishte shumë individuale.  Vetë erudicioni i Mokiomit krijonte një përfaqësi të plotë.

Moikomi do të na mungojë të gjithëve. Mund të vinë shkrimtarë të tjerë, talente të mëdha, por një individualitet si Moikomi, nëse dikush kujton se do ta hasë, jam e bindur se do jetë vetëm një epigon dhe imitues i tij. Kjo, sepse Moikomi, ka zënë një vend unikal, me mënyrën e shprehjes së tij, saqë mbetet i papërsëritshëm, i pazëvendësueshëm… Mund të vijnë zëra nga më të ndryshmit, por një Moikom nuk mund të vijë! Ai mbetet i veçantë në letërsinë shqipe, me koncepcionin e tij, stilin e tij unik. Çdo gjë që mund të përsëritet në stilin e Moikomit, do të jetë vetëm një kopje e tij…

PANORAMA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura