Miq ndërkombëtarë, “Shpëtoni Reformën”!

Aug 26, 2016 | 13:43
SHPËRNDAJE

klodian radoKLODIAN RADO*

E nderuar ambasadorja Vlahutin, I nderuar ambasadori Lu, Të nderuar zyrtarë të lartë e diplomatë të shteteve e organizatave ndërkombëtare, miq të Shqipërisë e shqiptarëve;

Unë që po ju shkruaj jam një ish-gjyqtar magjistrat shqiptar që kam hequr vullnetarisht dorë nga sistemi gjyqësor, dhe jetoj e punoj prej disa vitesh jashtë Shqipërisë. E me siguri që nuk jam i vetmi.

Pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, ëndrra ime, ashtu si e pothuaj çdo magjistrati gjyqtar apo prokuror që përfundon këtë shkollë, ishte që të kontribuoja me të gjithë kapacitetin tim intelektual, profesional, e fizik për aplikimin e ligjit dhe vendosjen e drejtësisë sipas parimeve të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Por pas 5 viteve shërbim si gjyqtar në dy gjykata të ndryshme, me dhimbje e zhgënjim të thellë ndjeva se nuk mund të qëndroja dot më në Gjyqësorin shqiptar. Arsyeja ishte sa e thjeshtë, aq edhe thellësisht e rëndë për t’u kapërdirë.

Edhe pse kisha kryer më shumë se 10 vite studime në fushën e ligjit (përfshirë masterin për Të Drejtë Europiane në Kings College London), me të ardhurat prej afro 60 mijë lekë/muaj si gjyqtar nuk mund të siguroja dot as mbijetesën, pa le më jetesën dinjitoze të vetes dhe familjes sime të re. E doja dhe e dua vendin tim, Shqipërinë, e doja dhe e dua profesionin e përgjegjësinë pothuaj hyjnore të dhënies së drejtësisë si gjyqtar, por nuk kisha rrugë tjetër.

E vetmja alternativë ishte braktisja e gjithçkaje të ngritur me aq mund e sakrificë në Shqipëri, e emigrimi në Kanada; një vend ku intelektualët mirëpriten, e ku jam duke punuar si akademik e përfunduar studimet e doktoraturës në fushën e ligjit, e ku madje nuk kanë munguar mundësitë as për t’u bërë pjesë e Gjyqësorit kanadez.

Megjithatë, ikja nga Shqipëria, përbrenda meje nuk do të thoshte braktisja e saj. Përkundrazi, vendosa që kontributin tim ta jap në një tjetër dimension, si akademik, duke u bërë pjesë e tryezave të ekspertëve për çështje të ndryshme kushtetuese, përfshirë Reformën e fundit në Drejtësi, si ekspert trajnimesh në Shkollën e Magjistraturës, nëpërmjet analizave të herëpashershme në media, e pse jo, nëse do të thirresha, edhe për të kontribuar në institucionet e ndryshme kushtetuese të Gjyqësorit.

Fort të nderuar e të dashur miq ndërkombëtarë! Këtë letër, që përfshin historinë time personale, vendosa ta ndaj me ju publikisht jo pa arsye, e as rastësisht. Duke parë përpjekjet tuaja titanike e të sinqerta për të miratuar Reformën në Drejtësi, ashtu si çdo shqiptar i ndershëm, ju konsideroj miq të vërtetë të Shqipërisë e popullit tonë, prandaj dua të ndaj me ju një shqetësim të madh që më ka përfshirë këto ditë. Reforma e aq shumëpritur mund të ngelet e gjitha në letër, apo akoma më keq, mund të minohet qoftë edhe me futjen e një neni të vetëm.

Çfarë dua të them, e çfarë po ndodh? Ditët e fundit, media shqiptare po raporton se eksponentë të ndryshëm të qeverisë dhe opozitës po na “shumë-shqetësohen” për faturën e lartë financiare që do të ketë kjo reformë. Sipas tyre, gjyqtarët dhe prokurorët që do të kalojnë me sukses procesin kushtetues të filtrimit kombëtar e ndërkombëtar (vetting), do të paguhen në mënyrë të tepruar, prandaj formula dhe skema e pagave dhe përfitimeve të tjera të tyre duhen rishikuar e riulur deri në nivelin e atyre ekzistuese.

Por si qëndron e vërteta rreth çështjes së faturës financiare të Gjyqësorit dhe pasojave të saj në buxhet? Pa u hyrë shifrave e përqindjeve, në parim, a e rrezikojnë buxhetin e Shqipërisë pagat dhe trajtimet dinjitoze të gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Në fakt, praktika e vendeve të tjera, studimet shkencore të ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe të vendit, sugjerojnë krejtësisht të kundërtën. Siç edhe ju e dini, praktika e vendeve të zhvilluara në mbarë botën, por edhe e vendeve në zhvillim, përfshirë edhe ato të rajonit që janë në procesin e integrimit për në BE, tregojnë se ekziston një raport i drejtë midis trajtimit dinjitoz financiar të gjyqtarëve e prokurorëve, dhe të të ardhurave në buxhetin e shtetit; fenomen i cili shpjegohet me uljen e korrupsionit dhe respektimin e ligjit.

Edhe raportet e njëpasnjëshme të EURALIUS-it kanë sugjeruar në mënyrë të vazhdueshme se pagat e ulëta dhe trajtimi jodinjitoz ekonomik i gjyqtarëve dhe prokurorëve është njëri nga shkaqet thelbësore të korrupsionit në Drejtësinë shqiptare. Madje, në një raport të më shumë se para 5 viteve, EURALIUS-i i quajti “të rrezikshme pagat më pak se 1000 euro” për gjyqtarët shqiptarë të shkallës së parë.

Po ashtu, edhe akademiku shqiptar i mirënjohur për çështjet e Gjyqësorit, dr. Fabian Zhilla, në tezën e tij të doktoraturës të mbrojtur përpara njërit prej universiteteve më prestigjioze të botës, Kings College London, kur trajton çështjen e korrupsionit në Drejtësinë shqiptare, i konsideron pagat e ulëta të gjyqtarëve si faktori kryesor i korrupsionit të gjyqtarëve, sidomos për kategorinë e gjyqtarëve të rinj që kanë origjinuar nga Shkolla e Magjistraturës.

Por nëse praktika ndërkombëtare dhe studimet shkencore të institucioneve dhe ekspertëve ndërkombëtarë e shqiptarë, sugjerojnë për domosdoshmërinë e rritjes thelbësorë të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivele dinjitoze, si e vetmja alternativë për të shpëtuar Drejtësinë shqiptare, madje edhe për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, pse atëherë ky “rrebesh” kundër rritjes, që po duket se po orkestrohet nga disa eksponentë të politikës shqiptare, dhe që po “shitet” si shqetësim për buxhetin në median dhe publikun shqiptar?

Arsyet e vërteta nuk janë të vështira për t’u kuptuar. E personalisht jam më se i sigurt që edhe ju, të nderuar miq ndërkombëtarë, i dini mjaft mirë të gjitha “pse”-të e “të shqetësuarve”; por si ish-gjyqtar e akademik, dëshiroj të rendis disa nga këto arsye për bashkëkombësit e mi e për median shqiptare që duket se po bie në kurth, duke u bërë me ose pa dije palë me të tillë politikanë e zyrtarë “mirëdashës”.

Së pari, një Gjyqësor i fortë, i pavarur e i paanshëm, me gjyqtarë të pakorruptueshëm e dinjitozë, që respektojnë ligjin e japin drejtë- si, janë vërtet shqetësim për ata politikanë apo zyrtarë shqiptarë të korruptuar që kërkojnë të abuzojnë me ligjin e me buxhetin e varfër shqiptar.

Me sa duket, tashmë e kanë kuptuar se pas “resetting” (ribërjes) së Gjyqësorit shqiptar, të parët që do të kalojnë në “sitën” e Gjyqësorit të ribërë do të jenë pikërisht politikanët e zyrtarët e korruptuar shqiptarë. Prandaj, me sa duket, edhe në grahmat e fundit të shpresës, po bëjnë çdo gjë për të mos e lejuar reformën. Së dyti, teorikisht e praktikisht, madje edhe përvoja e hidhur e tranzicionit shqiptar, na kanë provuar se kapja apo “prangat ekonomike” janë mënyra më e mirë për të mos lejuar ngritjen e një Gjyqësori dinjitoz, të paanshëm, e të pavarur shqiptar.

E kjo është sidomos e vërtetë për gjyqtarët e prokurorët, që origjinojnë nga Shkolla e Magjistraturës, që kanë kaluar filtrin e meritokracisë, e që ashtu si edhe unë para disa vitesh ëndërronin e ëndërrojnë që të japin vërtet drejtësi në Shqipëri. Por, fatkeqësisht, sapo përballen me “prangat ekonomike” të një trajtimi ekonomik aspak dinjitoz, madje fyes për nivelin e edukimit dhe mundit që kanë derdhur, kuptojnë se e kanë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur për të dhënë drejtësi.

Dhe, faktikisht, pas hyrjes në sistemin gjyqësor përballen me tri alternativa për të ardhmen e tyre: ose të qëndrojnë duke vuajtur ekonomikisht e duke kapërdirë etiketimet fyese të shoqërisë ndaj tyre, ose të bëhen pjesë e sistemit të korruptuar, ose të largohen nga sistemi. E me siguri që asnjëra nga këto alternativa nuk është dinjitoze as për magjistratët, e as për qytetarët shqiptarë. Së treti, Shqipëria i ka provuar dhe po i provon pasojat e një gjyqësori të lënë në mëshirën e një page e statusi jodinjitoz, madje fyes për llojin e shërbimit pothuaj-hyjnor të dhënies së drejtësisë që shoqëria i ka besuar.

Nëse edhe pas reformimit të gjyqësorit dhe procesit të filtrimit do të ecet nën të njëjtat gjurmë ekonomike dhe nën të njëjtën filozofi financiare, pasojat do të jenë përsëri të njëjta: s’do të ngrihet asgjë më shumë sesa një gjyqë- sor e prokurori e kapur ekonomikisht, jodinjitoze, e nëpërkëmbur, e më në fund edhe e korruptuar. Për ta ilustruar situatën, pagesat e gjyqtarëve shqiptarë rezultojnë statistikisht jo vetëm si dukshëm më të ulëtat në rajon, por c’është edhe më e keqja, de facto ato ulen çdo vit për shkak të mosindeksimin vjetor të tyre, sipas nivelit të inflacionit.

I vetmi argument që kanë “avokatët” e kësaj lloj situate mjerane është që gjyqtarët e prokurorët shqiptarë korruptohen e kanë mjaftueshëm të ardhura, kështu që nuk meritojnë paga më të larta. Një argument që për ju të nderuar miq ndërkombëtarë është sa fyes, ashtu edhe absurd, e as që mund të përmendet në kushtet e pasreformës. Së katërti, duhet të dihet se statusi i gjyqtarit dhe prokurorit, si dhe trajtimi dinjitoz financiar i tyre, nuk janë favorizim që i bëhet kësaj kategorie zyrtarësh. Kurrsesi, jo!

Në fakt, akademikë e politikëbërës brilantë botërorë argumentojnë se është vetëm një kosto e domosdoshme që shoqëritë janë gati të paguajnë për të marrë drejtësi, faturë e cila është e papërfillshme përballë dobishmërisë që rrjedh nga dhënia e drejtësisë dhe mbajtja e shoqërisë nën binarët e saj. E përkthyer në realitetin shqiptar, pagesat dinjitoze të gjyqë- sorit janë vetëm një mënyrë shpërblimi (për hir të së vërtetës e paplotë) që shoqëria bën për këta zyrtarë që marrin përsipër të kryejnë këtë shërbim kuazi-hyjnor, duke hequr dorë nga shumë liri personale të tyre intelektuale, ekonomike, apo politike.

Për të kuptuar argumentin, mjafton t’u hedhim një sy amendamenteve kushtetuese të reformës, ku janë vendosur kufizime absolute mbi gjyqtarët e prokurorët shqiptarë, sidomos kufizimet mbi veprimtaritë ekonomike, intelektuale, politike, e sociale. Këto kufizime janë përfshijnë jo vetëm ata personalisht, por në disa raste janë shtrirë edhe te familjarët dhe farefisi i tyre. Të gjitha këto dëshmojnë për nivelin e “kostos” personale e familjarë që këta njerëz do të marrin përsipër, e që shoqëria shqiptare, ashtu si shoqëritë e vendeve të përparuara, duhet të jenë mirënjohëse, e minimalisht duhet t’i shpërblejnë denjësisht.

Së pesti, një argument që po dëgjohet në rrethe të ndryshme diskutantësh është se gjyqtarët e prokurorët shqiptarë nuk janë të vetmit të keqpaguar, prandaj rritja e pagave të tyre ose duhet të shoqërohet me rritjen e pagave edhe për zyrtarët e profesionet e tjera, ose nuk duhet të bëhet fare.

Edhe pse është e vërtetë që pagat në Shqipëri janë të ulëta si në sektorin publik, ashtu edhe atë privat, argumenti i mësipërm është fals e nuk mund të qëndrojë. Gjyqtarët e prokurorët pagën e kanë të vetmin burim të ligjshëm ekonomik për ata dhe familjet e tyre, ndërkohë që një kufizim i tillë nuk ekziston ligjërisht për asnjë kategori tjetër zyrtarësh apo profesionesh të lira. Si rrjedhim, nëse vërtet duam gjyqtarë e prokurorë dinjitozë, pagesa e tyre, e cila është e vetmja e ardhur e ligjshme e tyre duhet të jetë vërtet dinjitoze.

Madje, ndryshe nga sistemi ekzistues që ka bashkëlidhur sistemin e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve edhe me zyrtarë të tjerë të ndryshëm, ky gabim kushtetues nuk mund të bëhet më në sistemin e ri. Përkundrazi, ashtu si në shumicën e vendeve të përparuara të botës, duhet të ngrihet e të menaxhohet si një sistem krejtësisht autonom.

Madje, duhet theksuar se ndryshe nga institucionet e tjera, dhënia e drejtësisë nëpër gjykata është një shërbim që paguhet nga qytetarët me anë taksave gjyqë- sore që parapaguhen, e që për hir të së vërtetës, nga eksperienca ime si gjyqtar, mund t’ju them se gjenerojnë mjaftueshëm të ardhura që të përballojë vetë një pjesë thelbësore të faturës financiare.

C’është akoma edhe më e rëndësishme, pushteti gjyqësor është valvula e sigurisë së mirëfunksionimit të institucioneve të një shteti apo shoqërisë në përgjithësi. Nëse institucione apo zyrtarë të ndryshëm nuk respektojnë ligjin apo janë të korruptuar, ato mund të korrigjohen e drejtësia mund të rivendoset, nëse ekziston një pushtet gjyqësor i pakorruptuar që i kontrollon.

Por nëse edhe institucionet e dhënies së drejtësisë do të jenë të korruptuara, pra valvula e sigurisë nuk do të funksiononte, atëherë i gjithë sistemi i institucioneve shtetërore konsiderohet i rrëzuar, e më e pakta që mund të thuhet është që shteti ka filluar mos të ekzistojë. Prandaj, pushteti gjyqësor është jo vetëm valvula e sigurisë dhe institucioni korrigjues për çdo institucion tjetër, por është padyshim edhe kolona e parë dhe e fundit e një shteti, pa të cilin ai nuk mund të mbijetojë.

Të nderuar miq ndërkombëtarë! Në përfundim, ashtu siç edhe ju e dini, argumentet në favor të pagesave dinjitoze të gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të kalojnë me sukses filtrin e “vetting”, nuk mund të përmblidhen në këtë letër publike.

Qëllimi i shkrimit të kësaj letre është që, si një shqiptaro-kanadez që e dua Shqipërinë dhe shqiptarët, t’ju kërkoj me dorë në zemër që ashtu siç bëtë realitet miratimin e amendamenteve kushtetuese të Reformës në Drejtësi, jo vetëm të mos lejoni prekjen e statusit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por të bëni çdo gjë që mundeni që ai të ngrihet në nivelin më dinjitoz të mundshëm.

Jam më se i sigurt që mendimet që rendis në këtë letër, s’do t’jua shkruaja vetëm unë, por çdo qytetar, akademik, e sidomos çdo gjyqtar e prokuror i ndershëm që ndodhet ende në Shqipëri (e ju siguroj që ka mjaft të tillë), apo që kanë zgjedhur të largohen siç u largova unë, e që mund të jenë të gatshëm që të kthehen për të kontribuar.

Prandaj, lutem thellë- sisht e sinqerisht që me influencën tuaj të mos e lejoni “robërimin” ekonomik të gjyqtarëve e prokurorëve të pasreformës në Shqipëri. Jo vetëm sepse ky “robërim” do të minonte vetë Reformën në Drejtësi, për të cilën ju vërtet u “djersitët” aq shumë, e që gjej rastin t’ju falënderoj, por çfarë është edhe më e rëndë- sishme, sistemi i drejtësisë i pavarur, i paanshëm, i drejtë, e dinjitoz, që ju projektuat, e shqiptarët, si çdo komb tjetër në tokë meritojnë ta kenë, nuk kanë për ta pasur dot kurrë!

E duke folur me ju e me qytetarët shqiptarë, shpresoj që thirrjen time ta dëgjojë Kryeministri, kryeopozitari e çdo politikan, deputet, ministër, çdo zyrtar që e do vërtet Shqipërinë e shqiptarët.

* Ish-gjyqtar, PhD-kandidat “York University”, Kanada.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura