Ministroza

May 20, 2018 | 12:09
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA/ Një virus i frikshëm ka ni sur prej disa kohësh të shfaqet në gjirin e tronditur të qeverisë sonë, një virus në zanafillë të një tip viroze, që ka mundësi të hyjë në historinë e mjekësisë politike me emrin “ministrozë”: dy ministra janë viktima të saj, dy ministra të Brendshëm, të cilët po gjallërojnë, madje eksitojnë së tepërmi ekranet dhe gazetat, bisedat dhe kundërbisedat, mendjet dhe hamendjet e shqiptarëve, ndjenjat e parandjenjat e tyre brenda e jashtë vendit. Gjithsesi, i siguroj lexueset dhe lexuesit e përhershëm apo të herëpashershëm të kësaj rubrike të përjavshme se ministroza, siç e tregon emri i saj, prek vetëm ministrat, veçanërisht ata që pandehin se kanë lindur të vaksinuar kundër asaj.

tupja

Në këtë moment fort delikat për Kryeministrin Rama, analistët dhe opinionistët çojnë pareshtur ujë në vorbullën e supozimeve të të gjitha llojeve e stileve, supozime që po e apasionojnë publikun tonë, i cili, instinktivisht, vazhdon “ta vërë politikën në plan të parë”. Personalisht, nuk më pëlqen të hiqem si profet sepse, siç thonë francezët, nul n’est prophète en son pays (“askush nuk është profet në vendin e vet”), veçse kam përshtypjen e vagëlluar se ekziston njëfarë mundësie që zoti Tahiri (i rënë nga fiku i pushtetit dhe i përballur tashmë me drejtësinë në vettingë- zim e sipër) dëshiron të heqë këmbën rrëshqanë për zotin Xhafaj (ende kaluar në njërën prej degëve të sipërme të të njëjtit fik). Si? Çfarë do të thotë “të heqësh këmbën rrëshqanë për dikë?” Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, Tiranë 2006, kjo shprehje ka kuptimin: “t’i urosh dikujt që të bëjë edhe ai diçka që ke bërë vetë ti”; sigurisht, këtë zoti Tahiri e la të nënkuptohet me fjalët që tha publikisht në adresë të zotit Xhafaj, duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj këtij të fundit.

Rrokullima me disa faza e zotit Tahiri – largimi nga posti i ministrit të Brendshëm, por ruajtja e përkohshme e mandatit të deputetit, pastaj dorëheqja e papritur nga ky mandat, mandej përballja me drejtësinë, më tej vënia e tij në arrest shtëpie, më sollën ndër mend një tregim të italianit Dino Buxati me titull “Shtatëkatëshi”. Në të bëhet fjalë për një zotëri me emrin Xhuzepe Konte, që vuan nga një lloj etheje dhe që shkon e shtrohet në të vetmin spital ku mund të kurohet sëmundja e tij. Ai spital ka shtatë kate dhe pacientët si zoti Konte, në fazën fillestare të sëmundjes së tyre, shtrohen në katin e shtatë dhe mjekët u premtojnë shërim e dalje të shpejtë nga spitali, por në rast komplikacionesh, ata i zbresin një kat më poshtë ku trajtohen sipas një terapie më intensive dhe, në rast përmirësimi kthehen sërish në katin e shtatë para se të dalin të shëruar nga spitali. Zoti Konte nuk ka fat: atë e zbresin nga njëri kat në tjetrin, ai u nënshtrohet disa terapive përherë e më intensive deri sa mbërrin në katin e parë ku përfundojnë të sëmurët e pashpresë, të cilët mjerisht nuk vonojnë të vdesin.

Tani, unë pyes veten, por edhe lexueset e lexuesit e mi të ndjeshëm, aq të ndjeshëm ndaj fatit të çdo njeriu, por sidomos ndaj atij të ministrave dhe veçanërisht të atyre të Brendshëm: A nuk duket ky tregim i italianit Dino Buxati pak si ogurzi për ishministrin Tahiri dhe ndoshta për ministrin Xhafaj? Rrokullima me disa faza e të parit dhe gjendja e të dytit në fazën fillestare, por të ethshme të problemit të tij, a nuk na bëjnë të shqetësohemi e të dridhemi për vijon nga faqja 1 fatin e tyre ministror? Sigurisht, ka njerëz të pandjeshëm, pa pikë empatie, që kënaqen e gëzohen qysh në shenjat e para, të dyta e të treta deri te të shtatat e fatkeqësisë së të tjerëve, sa e tmerrshme! Po përse, xhanëm, këta njerëz të pashpirt nuk e vënë hiç veten në vendin të tjerëve, sidomos kur këta janë ministra aq të përkushtuar “për çështjen e Partisë e të Popullit gjithmonë gati”? Unë uroj me gjithë shpirt që mjekët tanë më të mirë, të cilët punojnë brenda vendit, por edhe ata që punojnë jashtë kufijve të tij (për shembull në spitalet e Italisë, sidomos në ata me shtatë kate), t’i përvishen punës për të zbuluar sa më shpejt një ilaç kundër “ministrozës” ose, më saktë, një vaksinë kundër kësaj, në mënyrë që të shmanget zbritja e gjithë ministrave të ardhshëm, qofshin të majtë, të qendrës apo të djathtë, nga njëri kat në tjetrin të spitalit dinobuxatian ose, e thënë më shqip, nga njëra degë në tjetrën të fikut të pushtetit neverisjellës në Shqipërinë tonë marrëzisht demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura