Ministrja e Financave: Borxhi ynë është kthyer në rritje ekonomike, deputeti i PD: Kjo qeveri e meriton medaljen e arit për deficitin

Jan 28, 2022 | 7:49
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se borxhi i marrë nga qeveria shqiptare ka ndikuar në ekonomi, rritjen e investimeve dhe punësimin.

Nga foltorja e Kuvendit, Ibrahimaj u është përgjigjur dje kritikave dhe akuzave të deputetëve të opozitës për rritjen e nivelit të borxhit dhe mënyrës se si shpenzohen ato. Sipas ministres së Ekonomisë, maxhoranca socialiste nga viti 2014 deri në 2019 ka marrë më pak borxh se PD-ja në 8 vitet e saj të qeverisjes. Ibrahimaj tha gjithashtu se në vitin 2021 rritja ekonomike parashikohet të jetë 8.7 për qind.

“Ne kemi marrë borxh si çdo qeveri tjetër në Shqipëri dhe vendet e tjera. Borxhi ynë është përkthyer në rritje ekonomike. Mesatarisht raporti i borxhit, i huamarrjes neto ndaj investimeve ka qenë për çdo 100 lekë huamarrje 270 lekë investime në periudhën nga 2014 deri në 2019. Në periudhën nga 2015 deri në 2013 ky raport ka qenë për çdo 100 lekë huamarrje 171 lekë investime. Pra, e kemi 70 për qind më të lart në një periudhë të shëndetshme ekonomike. Po, edhe duke llogaritur dy vitet e fundit kur kemi pasur dy kriza shumë të forta ekonomike raporti ka qenë për çdo 100 lekë huamarrje 245 lekë investime. Investimet që përkthehen në rritje ekonomike, si në 2021 kur rritja ekonomike parashikohet të jetë 8.7 për qind. Kur flitet për borxh duhet bërë një analizë e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse me efektet që ky borxh ka në ekonominë shqiptare dhe jetën e qytetarëve. Sa i përket sasisë së borxhit, nëse do të analizojmë një periudhë 5-vjeçare ne kemi në periudhën 2005- 2013 janë marrë 292.7 miliardë lekë borxh. Në periudhën 2014-2019 janë marrë gjithsej 250 miliardë lekë borxh. Jo vetëm ka qenë një periudhë në të cilën prodhimi i brendshëm bruto ka qenë më i madh sesa në periudhën e mëparshme, por ne me më pak borxh kemi krijuar më shumë investime, vende punë dhe stabilitet ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Më herët, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, që u paraqit me pankartë në sallën e Kuvendit, tha se: “Kam pyetur ministren e Financave, sa është numri i marrëveshjeve të huas. Përgjigjja, 252 marrëveshje. Sa marrëveshje borxhi janë lidhur nga 2013 deri më sot? 58 marrëveshje. Sa është vlera e borxhit? 5.4 miliardë euro. Në çfarë viti parashikohet që Shqipëria të shlyejë të gjitha detyrimet? Përgjigjja 2053, por mund të shkojë edhe 2075 me marrëveshjet e tjera që janë firmosur. Pra, ne s’do jemi gjallë, por edhe fëmijët e nipërit tanë do jenë në borxh. Sa është detyrimi monetar që ka çdo qytetar si rrjedhojë e këtyre marrëveshjeve? 5 milionë lekë. Imagjinoni një familje në zonat rurale me 6 pjesëtarë? Me 30 milionë lekë e nisin ditën ata. Kjo qeveri e meriton medaljen e arit për borxhin”. Edhe deputeti i Lushnjës Saimir Korreshi ironizoi marrjen e borxhit nga qeveria, duke thënë se i doli parashikimi i tij para Vitit të Ri, se buxheti ishte sa një “gjel deti”. Komisioni i Ligjeve është kthyer në komisionin e borxheve. Borxhin ta marrim, ta kemi se edhe pse flitet për fazën e katërt të kësaj marrëveshje, tri fazat e para nuk kanë filluar akoma, pra e kemi ndërmend, por ta kemi këtë 20 milionë euro se na duhet. Ky nuk është shtet social, por kriminal”, tha deputeti i PD-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura