Ministrja e Financave: 20 milionë euro për konviktet. Deputetja e PD: Pagat në FSHZH dhe ERE shumë të larta, cenohet buxheti

Jan 25, 2022 | 8:04
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e maxhorancës kredinë prej 20 milionë eurosh nga qeveria gjermane përmes KFW për ndërtimin dhe konvikteve të universiteteve publike në vend.

delina

Teksa prezantoi disa detaje nga kjo kredi, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, theksoi se përmes këtij projekti përpos përmirësimit të kushteve për studentët synohet që të kursehet energji. Sipas saj, do të ndërtohen 3 konvikte të reja, si dhe rikonstruktohen 19 të tjerë.

“Qëllimi i këtij financimi me kredi, i cili i bashkohet granteve të akorduar deri më tani në shumën 9.43 milionë euro, është të kontribuojë në finalizimin e rehabilitimit energjetik të 19 konvikteve në total dhe në ndërtimin e minimumit 3 konvikteve të reja. Me realizimin e këtij projekti, synohet që të kursehet ndjeshëm energjia në godinat e rehabilituara, nëpërmjet aplikimit të masave të eficiencës së energjisë, t’u sigurohen studentëve kushte jetese të përshtatshme dhe kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve”, u shpreh Ibrahimaj.

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi një dëgjesë në Komision me Ministren e Financave për rritjen e çmimeve në treg. “Rritja e taksave për fermerët në fund të 2021 ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore! Unë do të bëja një kërkesë që ju të vini në një dëgjesë këtu në Komision dhe të na informoni se si është situata dhe zbatimi i paketës re fiskale dhe çfarë ndikimesh ka në rritjen e çmimeve në këtë fillimviti. Sot, fermerët janë duke dështuar dhe duke hedhur produktin e tyre sepse rritja e taksave po ndikon drejtë për drejtë në punën e tyre”, tha Tabaku.

Nënkryetarja e PD-së ngriti edhe shqetësimin e pagave të larta në dy entet publike, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Entin Rregullator të Energjisë. “Kam ndjekur me shumë shqetësim, që disa paga në sektorin publik, disa ente rregullatore, Fondit Shqiptar i Zhvillimit dhe Enti Rregullator i Energjisë me paga 1 milion lekë të reja. Cenohet buxheti i shtetit. Ne kemi një hierarki pagash për t’u zbatuar”, tha deputetja e PD-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura