Ministria shtyn provimin për mjekët e infermierët

May 4, 2015 | 22:28
SHPËRNDAJE

Shtyhet për në vjeshtë provimi për mjekët dhe infermierët. Ministria e Shëndetësisë edhe pse mori “bekimin” nga Gjykata Administrative e Apelit për të zhvilluar testimin, ka vendosur ta shtyjë atë edhe për disa muaj të tjerë.

Ilir Beqaj, minister i Shendetesise

 Burime nga ky dikaster bëjnë me dije për gazetën se nuk do ketë tërheqje nga nisma, por vetëm zhvendosje në kohë. Në këtë mënyrë bluzat e bardha, veçanërisht infermierët, të cilët u njohën njëherë me pyetjet dhe datat e provimit do të kenë në dispozicion më tepër kohë. Ministri Beqaj ka thënë më herët se do të rishikohet kalendari i datave në të cilat do të zhvillohet testimi si edhe fondi i pyetjeve. Kjo me sa duket kërkon kohën e vet, ndaj edhe është vendosur që provimi të zhvillohet në një moment të dytë.
VENDIMI
Gjykata Administrative e Apelit mori vendimin për rrëzimin e padisë së depozituar nga Urdhri i Infermierit, duke e konsideruar sakaq të ligjshëm provimin. Në këto kushte, ajo që dihet me siguri është që testimi i bluzave të bardha do të zhvillohet, pikëpyetje mbeten vetëm datat. Kujtojmë që pasi çështja kaloi në Gjykatë, në datën 20 shkurt të këtij viti, ministri me anë të një urdhri pezulloi provimin e planifikuar për mjekët. Beqaj e arsyetoi këtë me faktin që do të pritej verdikti i Gjykatës. Nëse kjo e fundit do të shprehej pro testimit të infermierëve, atëherë do të procedohej me testimin edhe të mjekëve. Ministria e Shëndetësisë ka shprehur angazhimin për t’i shkuar deri në fund nismës për testimin e bluzave të bardha. Janë 17 mijë mjekë, infermierë dhe logopedë që do t’i nënshtrohen testimit të njohurive. Kjo nismë është kontestuar prej tyre. Bluzat e bardha e kanë cilësuar si denigruese dhe kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të tërhiqet nga nisma. Pavarësisht kësaj, qeveria nuk është zmbrapsur për asnjë moment. Ndërkohë, më herët nga ministri i Shëndetësisë është bërë e ditur se nga rezultatet e provimit nuk do të ketë penalitete. Beqaj ka theksuar se testimi është një mënyrë për të vlerësuar nevojat që ka personeli shëndetësor në vendin tonë. Ndërsa e ka cilësuar me rëndësi, kreu i Shëndetësisë ka nënvizuar që iniciativa është vetëm një skanim i gjendjes reale, që nuk do të përkthehet në penalitete, për ata të cilët nuk do të arrijnë të marrin pikët e mjaftueshme. 

MJEKËT
Duket se edhe bluzat e bardha janë të vendosura për të mos iu bindur urdhrit të ministrit Beqaj për testimin e tyre. Duke e cilësuar si denigruese, ata shprehen se do të pezullojnë shërbimin nëse qeveria tenton t’i kthehet nismës për provimin e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura