“Ministria i dha vëllait të deputetit lagunën e Patokut”. Peshkatarët: Pabarazi në tender

Apr 6, 2015 | 16:13
SHPËRNDAJE

Laguna e Patokut nuk do të shfrytë- zohet më për peshkim nga peshkatarët e përhershëm, të cilët prej disa dekadash kanë rinovuar kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.

Administratori, Gjon Cali

Kjo e fundit i ka skualifikuar ata pak kohë më parë, duke ia dhënë mundësinë e firmosjes së kontratës një tjetër personi, i cili sipas peshkatarëve është vëllai i një deputeti për qarkun e Lezhës. Ata bënë të ditur se kanë vënë në dijeni edhe Kryeministrin e vendit për këtë problematikë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ky sektor funksiononte në mënyrë të organizuar në formën e kooperativës dhe falë saj krijoheshin të ardhura për më shumë se 50 familje të zonës. Kooperativa e përbashkët e themeluar që në 1991 nga peshkatarët, tashmë e ka humbur të drejtën e shfrytëzimit të kësaj lagune me pretendimin se nuk i plotësojnë kushtet.

Përballë kësaj situate, peshkatarët kanë reaguar ashpër, duke e konsideruar absurde atë çfarë ka ndodhur me këtë tender. Gjergj Cali, i cili është dhe një nga peshkatarët më të vjetër në këtë zonë, thotë se është vepruar si dikur me zarfe të mbyllur, gjë për të cilën ai hedh dyshime se ka pasur manipulime.

Gjergj Cali, peshkatar

“Ne e kemi të trashëguar këtë prej shumë vitesh. Në dy dekada kemi firmosur licencën e shfrytëzimit. Kontrata ka qenë 10-vjeçare. Pasi mbaroi ky 10 vjeçar na njoftuan se duhet të hynim në tender për të përsëritur licencën tjetër 10- vjeçare. Kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionin si për çudi në zarf dhe jo në mënyrë elektronike siç e ka gjithë bota. Këtu ne na lindën dyshimet se nuk do ketë barazi dhe ashtu ndodhi. Aty morëm vesh se ishim në konkurrim me vëllain e deputetit. Për këtë çështje kemi njoftuar Kryeministrin Rama, por nuk kemi marrë përgjigje. Ne na kanë nxjerrë në rrugë, pasi e vetmja e ardhur për familjet tona është peshkimi në këtë zonë, të cilën e kemi ruajtur shumë dhe kemi investuar që të mos dëmtohet. Ne e kemi të trashëguar prej 100 vitesh dhe po na e marrin punën në mënyrë të padrejtë”, u shpreh peshkatari Gjergj Cali.

Nga ana tjetër edhe administratori i kooperativës së peshkatarëve kërkon nga ministri i Bujqësisë që vendimet të merren në bazë të meritës dhe jo në zyra të korruptuara sikur ka ndodhur në këtë rast.

“Mënyra e realizimit të këtij tenderi është totalisht abuzive dhe e padrejtë, pasi nuk mund të fitojë një kompani që ka nisur dje punën dhe nuk ka asnjë dokumentacion. Unë kur hyra brenda në tender, konkurrentin e gjeta aty. Ai ishte vëllai i deputetit. Me lënë 100 vetë pa bukën e gojës. Kjo nuk më duket normale. Nuk kishte barazi në tender ndaj i bëj thirrje ministrit Panariti që ta shikojë këtë çështje, pasi e vetmja e ardhur për familjet tona është puna në peshkim”, tha Gjon Cali, administrator i kooperativës së Peshkatarëve.

PARALAJMËROJNË PROTESTA

Peshkatarët e Patokut presin që të ndryshojë ky vendim që, sipas tyre është absurd dhe të lejohen ata që të shfrytëzojnë lagunën. Ata theksojnë se me këtë vendim absurd e pabarazi që po u bëhet, shteti po hedh në rrugë me dhjetëra familje, të cilat të ardhurat e tyre i sigurojnë nga peshkimi. Peshkatarët paralajmërojnë se do të protestojnë deri në përshkallëzim nëse kërkesa e tyre nuk do të merret parasysh e nuk do të ketë një reagim institucional për këtë situatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura