Ministria humb gjyqin për Kalanë e Lezhës, kompleks turistik për 20 vjet

Jul 22, 2016 | 19:30
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit ka rrëzuar ankimimin e Ministrisë së Kulturës ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, duke u hapur rrugë ndërtimit të resorteve turistike brenda Kalasë së Lezhës.

Ky vendim është marrë në datën 7 korrik, por vetëm dje ai u bë publik përmes një reagimi në “Facebook” nga ana e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila e ka konsideruar “skandaloz” vendimin e Gjykatës së Apelit dhe “në të kundërt të interesit të Trashëgimisë Kulturore dhe të vlerave kombëtare”.

Kalaja e Lezhes
Kalaja e Lezhes

Anulimi i dhënies me qira të Kalasë së Lezhës dhe projektit të paraqitur disa vite më parë ishte një nga arritjet e Ministrisë së Kulturës, duke hedhur një hap pozitiv në atë proces të vështirë që është rijetëzimi i monumenteve të kulturës. Por ky “sukses” nuk do të kishte jetë të gjatë.

Subjekti që kishte paraqitur këtë projekt të shpallur fitues nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e çoi çështjen në gjyq, ku e fitoi atë në shkallën e parë. Ministria e Kulturës e apeloi vendimin dhe dy javë më parë kjo çështje është mbyllur, duke shpallur palë humbëse pikërisht Ministrinë e Kulturës dhe duke i dhënë të drejtë subjektit privat.

“Pas 2 vjetësh nëpër dyert e gjykatave, me dëshpërim mund të them se kjo tentativë e shërbimit publik të administratës për të vënë në vend një padrejtësi kombëtare, nuk u krye me sukses”, është shprehur Mirela Kumbaro.

PROJEKTI PËR KALANË E LEZHËS

Historia e rijetëzimit të Kalasë së Lezhës fillon 6 vjet më parë, kur në vitin 2010 një subjekt privat hartoi një projekt për “rijetëzimin” e Kalasë së Lezhës, të cilin e paraqiti për shqyrtim pranë sekretarisë Teknike të KKR-së, në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Ky vendim u miratua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit. Me anë të këtij vendimi, Kalaja e Lezhës jepej me qira për jo pak, por 20 vjet, duke e kthyer atë në një kompleks turistik. Sipas vetë investitorëve do të hidheshin 1 milion euro investime për restaurimin e kalasë, ngritjes së kompleksit ku përfshihen kafene, restorante, muze, qendër informacioni për turistët. Ky vendim, si dhe shpallja e një liste prej 22 monumentesh, “të hapura” për dhënie me qira, pati jo pak kontestime nga specialistë të fushës.

Pas ndërrimit të pushteteve, ky vendim u rimor në shqyrtim dhe u shpall i paligjshëm nga Këshilli i ri Kombëtar i Restaurimeve, pasi projekti “nuk është hartuar në kuadër të procedurës së rrjetë- zimit, parashikuar nga legjislacioni në fuqi dhe Karta Restaurimit, ndërkohë që territori i brendshëm cilësohet si një nëntokë me potencial të madh arkeologjik”.

Projekti për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës, që u shpall fitues në vitin 2011
Projekti për rijetëzimin e Kalasë së Lezhës, që u shpall fitues në vitin 2011

Në mars të vitit 2014, KKR-ja vendosi: “Bazuar në nenin 116 të Kodit të Procedurave Administrative shpalljen absolutisht të pavlefshëm të aktit administrativ, vendim i KKR, nr.15, datë 10.5.2013. Në lidhje me procedurën fiktive të përzgjedhjes së konkurrentëve për zhvillimin e rijetëzimit në cilësinë e ministrit të Kulturës: Bazuar në nenin 116 dhe në vijim të Kodit të Procedurave Administrative, vendosa shpalljen absolutisht të pavlefshëm të aktit administrativ, urdhër të ministrit, KALAJA E LEZHES nr.27, datë 1.2.2011, “Për rijetëzimin e Kalasë Lezhë”, si dhe anulimin e procedurës së rijetëzimit si një procedurë në hartuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”.

Pse u anulua qiraja

Dy vjet më parë, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, i kryesuar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, anuluan vendimin e qeverisë paraardhëse për “rijetëzimin” e Kalasë së Lezhës”, duke argumentuar se:

• MTKRS e kishte filluar procedurën për dhënie qiraje, ndërkohë që nuk e administronte kalanë (në atë kohë në administrim të Bashkisë Lezhë); -nuk kishte një strategji të administrimit të vlerave kulturore; nuk kishte asnjë vlerësim paraprak mbi fatin e atyre pasurive kulturore që ishin dhënë me qira, megjithëse kishte fakte të qarta mbi keqvlerësimin e keqadministrim e pasurive kulturore.

• Ky veprim nuk u zhvillua në kuadër të një procedure rijetëzimi, procesi formal i së cilës, qoftë edhe i paplotë, do të fillonte veç në 2011. Ato vendimmarrje sillnin pasoja shumë të rënda për trashëgiminë kulturore: shfrytëzohej pa asnjë kriter pasuria kombëtare, një prej më të vlefshmeve që kemi:

• Shfrytëzohej në mënyrë ekskluzive nëntoka, duke hequr monopolin e caktuar me kushtetutë të shtetit mbi pasurinë nëntokësore, kjo në dëm edhe të ekspeditave arkeologjike, nga më profesionalet, të cilat aktualisht janë pezulluar si rezultat i kësaj situate absurde të paligjshme e amorale.

• Fitonte të drejtën ekskluzive për të shkatërruar pasurinë e brezave dhe memorien tonë historike.

Kumbaro: Vendim skandaloz, cenon interesin publik

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka bërë publik dje vendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me çështjen e rijetëzimit të Kalasë së Lezhës, i cili shpalli humbëse pikërisht Ministrinë e Kulturës.

“Ju kujtohet që Ministria e Kulturës në vitin 2014 arriti ta shpëtojë atë thesar të trashëgimisë kulturore nga motelizimi dhe rrënimi i arkeologjisë? Në ato kushte, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në vitin 2013-2014 rimori në shqyrtim të gjitha dosjet dhe urdhrat e lëshuar për këtë projekt dhe i shfuqizoi ato, pasi konstatoi shkelje të rënda të procedurave dhe, me profesionalizëm e analizë ligjore dhe teknike, vuri në vend një situatë emergjente duke shpëtuar një vlerë të çmuar të pasurisë së brezave.

mirela vlahutin
Ministrja Mirela Kumbaro dhe ambasadorja Vlahutin

Por subjekti privat e dërgoi këtë vendimmarrje në gjyq dhe Gjykata e Shkallë së parë e rrëzoi pa argumentim dhe pa marrë fare në konsideratë arsyetimin e MK. Pas dy vjet zvarritjesh në dyert e gjykatave, pa zë e pa vesh për vlerat kombëtare, edhe Gjykata Administrative e Apelit, me vendimin nr.2097, në datë 07.07.2016, në dhomë këshillimi, e në mungesë të palëve dhe pa asnjë njoftim për prezencë, vendos: Mospranimin e ankimit të paraqitur nga Ministria e Kulturës në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore.

Më këtë vendim skandaloz i jepet e drejta një subjekti pa licencë, pa procedurë, në mungesë të plotë të transparencës së kësaj vendimmarrjeje, të ndërhyjë brenda Kalasë së Lezhës me një projekt të kritikuar rëndë, edhe pse Ministria e Kulturës ka denoncuar disa herë radhazi shkeljet lidhur me këtë procedurë. Vlerat kulturore janë ajo çka u detyrohemi brezave. Detyrimi për të njohur ligjet që i japin një trajtim special këtyre vlerave duhet të njihet, të zbatohet e të interpretohet kryesisht nga trupa e gjyqësorit.

Në vite kemi parë se si: Butrinti antik është shkëmbyer me tokë djerrë dhe jepej në kompensim! Kulla e Kalasë së Elbasanit është privatizuar; Janë privatizuar parcela e godina në Apoloni e Ksamil etj.”, shkruan ministrja Mirela Kumbaro. Sipas saj, “Interesi privat vazhdon të mbisundojë.

Të paktën në këtë rast që denoncojmë, shërbimi i dhënies së drejtësisë nuk njeh paligjshmëri, parregullsi apo sensibilitet në administrimin e vlerave kombëtare, por vazhdon të na zhgënjejë të gjithëve me qëllimet që përndjek. Shërbimi gjyqësor është shërbim publik. Efikasiteti i tij sigurohet me sigurimin e një tërësie standardesh, zbatim parimesh e rregullash, të cilat nuk janë qëllim në vetvete, por që kanë veç një qëllim, të sigurojnë respektimin e të drejtave në një shtet të së drejtës.

Në rastin konkret jemi në kushtet evidente të një interesi publik të cenuar rëndë nga mosfunksionimi i një shërbimi publik. Asnjë rresht i vendimeve të gjata të Shkallës së Parë dhe Apelit që morën kaq kohë për t’i dhënë, nuk merr guximin të thotë se MK në shfuqizimin e vendimit të dhënies për ‘rijetëzim’ të një kalaje shekullore, me një projekt të pamiratuar nga KKR në kuptimin e një procedure të ligjshme, të ketë shkelur ndonjë ligj.

Në leximin e vendimeve mesazhi që jepet është: Administrata publike mund të shkelë ligjin dhe të keqadministrojë vlerat publike, pasi me një interpretim të shtrembër të ligjeve fiton e paligjshmja; jo profesionalizmi; shitja e vlerave”.

SKANDALOZE! Gjykata, e cila duhet të ofrojë një shërbim cilësor në mbrojtje të të drejtave kushtetuese, duke garantuar paanësinë dhe pavarësinë e saj në vendimmarrje, provon edhe një herë që përligj paligjshmërinë me vendimet e saj. Në vendimin e saj gjykata keqinterpreton ligjin, prek dhe cenon rëndë interesin publik, kur në vetvete qëllimi i gjyqësorit është vënia në mbrojtje e këtij interesi.

Mirëpo, Ministria e Kulturës, që respekton ligjet dhe parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, ku pushtetit gjyqësor i jepet e drejta të ushtrojë kontroll e vigjëlojë mbi veprimtarinë e administratës publike, nuk mund të rrijë indiferente dhe të mos vërë në dijeni qytetarët dhe organet kontrolluese të veprimeve të gjyqësorit që vlerat dhe pasuria kombëtare, trashëgimia kulturore po cenohen PAPËRGJEGJSHMËRISHT”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura