Ministria e Shëndetësisë dënon rrahjen e kirurgut: Denonconi çdo shkelje

Aug 22, 2015 | 20:54
SHPËRNDAJE

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në Kirurgjinë e Durrësit, ku të afërm të një pacienti rrahën duke thyer shpatullën një mjek për një aparat urinimi.

Ministria e Shendetesise
Ministria e Shendetesise

Në një reagim për mediat, ministria dënon aktin e dhunës, ndërsa inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo shqetësim që kanë.

“Ministria e Shëndetësisë dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar sot ndaj mjekut të urgjencës së spitalit të Durrësit dhe inkurajon organet kompetente për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.

Ministria e Shëndetësisë gjen rastin për të përsëritur thirrjen e saj drejtuar të gjithë qytetarëve që hasin vështirësi në marrjen e shërbimit apo përballen me kërkesa për pagesa nën dorë, të denoncojnë menjëherë rastin pranë Ministrisë së Shëndetësisë në adresën e postës elektronike: [email protected]; si dhe në faqen online të nismës antikorrupsion të Qeverisë Shqiptare: stopkorrupsionit.al.

Dhuna e ushtruar ndaj bluzave të bardha në krye të detyrës është dhe mbetet një akt i shëmtuar, prandaj Ministria e Shëndetësisë është e vendosur të inkurajojë organet kompetente që të vendosin drejtësi, si dhe u bën thirrje qytetarëve të respektojnë figurën e personelit në detyrë dhe të denoncojnë çdo rast abuziv.

Vetëm kështu mund të përmirësojmë cilësinë e shërbimit në spitalet tona dhe të jemi më afër arritjes së sistemit të kujdesit shëndetësor që duam”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura