Ministria e Punës, 3 punonjës të rremë morën viza për në SHBA në 2010

Oct 16, 2013 | 13:06
SHPËRNDAJE

Kleves Bitro
TIRANE – Hetimet e Prokurorisë për abuzimet në Ministrinë e Punës, ku dy zyrtarë u arrestuan dhe dy u shpallën në kërkim, kanë zbuluar tri raste të abuzimit me dhënien e vizave amerikane. Burimet nga grupi i hetimit thanë se gjatë mbledhjes së provave për katër padi të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe tenderin e reklamave të 1 majit 2010, është zbuluar edhe dhënia abuzive e 3 vizave amerikane 3 vjet më parë për persona që nuk kanë qenë punonjës të Ministrisë, ndonëse janë hequr si të tillë. “Bëhet fjalë për tre persona, dy meshkuj dhe një femër, të cilët me anë të paraqitjes së të dhënave të rreme nga ish-shefi i Kabinetit të Ministrisë së Punës, Kleves Bitro, janë përfshirë në mundësinë e udhëtimit të përkohshëm me vizë në SHBA”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, nga tre personat, dy prej tyre kanë mbërritur në SHBA dhe nuk janë kthyer më, ndërsa një femër që kishte udhëtuar me të dhëna të rreme si punonjëse e Ministrisë, është gjetur dhe është deportuar sërish në Shqipëri. “Aplikimi për vizë në tri rastet është bërë në rrugë elektronike dhe nga verifikimet është mësuar se IP që ka plotësuar të dhënat ka qenë e Ministrisë së Punës, dyshohet zyra e Kleves Bitros”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, autoritetet amerikane kishin njoftuar për një trajnim 2-javor në SHBA për punonjës të administratës, ndërsa Ministria e Punës ka futur në këtë listë tre persona që nuk kanë qenë fare punonjës. “Personat janë futur në listë me anë të paraqitjes së të dhënave të rreme sikur ishin punonjës të Ministrisë, qëllimi i vetëm ka qenë që ata të udhëtonin në SHBA për të mos u kthyer më, siç edhe ka ndodhur”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, provat në lidhje me këtë rast të abuzimit me emrat e përfituesve të vizave janë gjetur gjatë hetimeve në Shqipëri, por ka të dhëna që kanë ardhur edhe nga jashtë vendit që konfirmojnë faktet që disponon Prokuroria shqiptare.                                  t.s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura