Drejtori i ri i Teatrit të Operës dhe Baletit, katër emrat në garë

Aug 22, 2016 | 8:00
SHPËRNDAJE

Katër janë kandidaturat për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, vetëm një ditë përpara mbylljes së afatit për dorëzimin e dosjeve konkurruese.

zana

Tri prej tyre janë emra të njohur për shqiptarët, për nga fama e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Bëhet fjalë për Zana Çelën, ishdrejtore e TKOB-së, 20 vjet më parë, producente dhe organizatore e të vetmit konkurs operistik ndërkombëtar në Shqipëri, “Marie Kraja”.

Josif Gjipali
Josif Gjipali

Një tjetër emër kandidat është ai i tenorit Josif Gjipali. Një emër i nderuar i operistikës shqiptare, që e nisi karrierën e tij muzikore në Shqipëri, për ta vijuar me sukses nëpër skenat e Europës. Tenton drejtimin e TKOBAP edhe tenori Agim Hushi, i cili e mbylli karrierën e tij skenike, pikërisht në këtë skenë me operën “Toska”.

Agim Hushi
Agim Hushi

Hushi ka kënduar në skena të mëdha botërore dhe siç njofton në faqen e tij në “Facebook”, drejton Departamentin e Operës në Konservatorin e Vjenës. Por me sa duket është në ambiciet e Hushit për të drejtuar një institucion të përmasave të TKOBAP, duke lënë pas një karrierë të sigurt akademike. Kandidati i katërt është Kleanthi Gjika, ish-trompist në Orkestrën e TKOB-së.

 

Sipas zyrës së shtypit në MK, këto janë katër emrat që janë regjistruar deri më tani për kreun e TKOBAP. Afati i dorëzimit të aplikimeve skadonte ditën e shtunë, por për shkak se kjo ditë është pushim, gara do të jetë e hapur edhe sot, në pritje të ndonjë kandidature të minutës së fundit.

Pas mbylljes së afatit për dorëzimin e dosjeve, me platformat përkatëse të kandidatëve, brenda disa ditësh pritet shqyrtimi i tyre dhe shpallja e drejtorit të ri, që pritet të çojë më tej reformën e nisur nga MK-ja, por edhe sfidën e rikonstruksionit të ndërtesës së TKOBAP.

KONKURSI

Posti i kreut të TKOBAP u lirua pas dorëheqjes së ishdrejtorit Ilir Kerni, në fund të muajit korrik. Dorëheqje kjo që shkaktoi keqardhje në një masë të madhe te publiku, por edhe bashkëpunëtorë të Kernit, të cilët bujtën në skenën e TKOBAP, përgjatë tri viteve të drejtimit të tij.

Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Kulturës shpalli në datën 4 gusht konkursin për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Pas dorëheqjes së balerinit dhe koreografit Ilir Kerni nga ky pozicion, në të cilin qëndroi për afro 3 vjet, Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Ministrave pranuan vendimin e tij, duke firmosur njëkohësisht dhe hapjen e konkursit për zëvendësuesin e tij. MK-ja ka shpallur tashmë kriteret që duhet të përmbushë kandidati.

Përveç kritereve që përcakton ligji “Për nëpunësin civil” dhe kërkesave specifike që kërkon posti në fjalë, MK-ja ka renditur edhe objektivat që duhet të arrijë drejtori i ri. Objektiva këto në rrafshin artistik, të politikave kulturore dhe në administrim.

Te kjo e fundit vihet theksi në “Reformën menaxheriale” si “prioritet dhe parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të TKOBAP” dhe sigurimin e “ligjshmërisë dhe transparencës së kontratave individuale dhe procedurave të punësimit në zbatim të reformës së Ministrisë së Kulturës, mbi sistemin e punësimit në TKOBAP”.

Duke vënë theksin në këto pika, sidomos te kjo e fundit, MK-ja tenton t’u dalë përpara problemeve që mund t’i dalin me drejtorin e ri në zbatimin e reformës, çka me sa duket ka sjellë edhe përplasjen me Kernin.

Rinovimi i sistemit të kontratave me punonjësit e TKOB-së ka qenë një proces i vështirë, i cili shkaktoi reagime tek artistët, të cilët e shprehën pakënaqësinë e tyre përmes protestave para dyerve të TKOB-së. E megjithatë u arrit firmosja e kontratave me afat, në tentativë për t’i dhënë një drejtim të ri funksionimit të makinerisë së rëndë të TKOB-së.

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura