Ministria e Jashtme pranon gafën: Po, ftuam Izraelin me vendet arabe

Oct 9, 2015 | 17:10
SHPËRNDAJE

Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme konfirmuan dje gafën e diplomatike, ftesën për t’u takuar në një tryezë të përbashkët me vendet e Ligës Arabe, në të cilin u ftua dhe Izraeli dhe u përjashtua Palestina.

Ministri Bushati gjatë një mbledhjeje në Komisionin e Jashtëm
Ministri Bushati gjatë një mbledhjeje në Komisionin e Jashtëm

Ministria e Jashtme e drejtuar nga Ditmir Bushati ftoi disa javë më parë ambasadorët e vendeve arabe të akredituara në Tiranë, por në këtë takim përjashtoi ambasadorin e Palestinës, duke ftuar në vendin e tij ambasadorin e Izraelit, vendi i të cilit nuk bën pjesë në Ligën Arabe.

Takimi që kishte për qëllim lobimin për anëtarë- simin e Kosovës në UNESCO acaroi më keq tonet me ambasadorët e vendeve arabe në Tiranë, të cilët kanë bojkotuar takimin dhe kërkuan sqarime për ftesën, në të cilën mungonte Palestina dhe në vend të saj ishte ftuar diplomati i shtetit të Izraelit.

KONFIRMIMI
Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Jashtëm, deputetët e Partisë Demokratike, Aldo Bumçi dhe Kastriot Islami, kanë kërkuar sqarime për këtë incident nga përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të ftuar në mbledhjen e djeshme. Sokol Gjoka, drejtor i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Dypalëshe në Ministrinë e Jashtme, konfirmoi gafën me ambasadorët duke e quajtur atë si “një gabim teknik”.

“Sa i takon pyetjes për një takim që pritej të bëhej, në fakt nuk ishte organizuar i tillë për lobimin e Kosovës në UNESCO me vendet arabe dhe Izraelin, më pas, pati një problem teknik në komunikim. U është dhënë një informacion paraprak, i cili ka qenë natyrisht i gabuar. Sepse janë si të thuash ABC-të e komunikimit me trupin diplomatik dhe veçanërisht me problematikat që dihen. Është rikuperuar. Takimet janë zhvilluar me vendet arabe natyrisht dhe me Izraelin, ku u është kërkuar lobim dhe mbështetje për Kosovën. Dhe nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë lloj qëndrimi të mëtejshëm apo të themi ndonjë reagim negativ, qoftë nga vendet arabe apo qoftë nga Izraeli”, tha drejtori i MPJ.

Sokol Gjoka, drejtori i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Dypalëshe, ka sqaruar dhe votën e Shqipërisë në OKB pro ngritjes së flamurit të Palestinës. Ai e quajti këtë votim si vendim simbolik, i cili nuk u prit me kritika nga aleatët.

“Votimi dhe gjykimi ka qenë i pakondicionuar. Në këto kushtet, ne kemi pasur takime me partnerë dhe aleatë, dhe mbas votimit që kemi bërë ne për atë gjest simbolik kemi pas mirëkuptimin e partnerëve. Nga kontaktet që kemi pasur me partnerë dhe aleatët tanë, nuk kemi pasur reagime të ndonjë karakteri”, tha Gjoka.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura