Ministria e Jashtme i kërkoi tërheqjen, mediat në Kosovë: Thaçi në mënyrë të jashtëligjshme riemëron Konsullin e Përgjithshëm në Tiranë

| 22:00
SHPËRNDAJE
 

Mediat në Kosovë shkruajnë se Presidenti Hashim Thaçi po sfidon vendimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke refuzuar tërheqjen e diplomatëve që u ka skaduar mandati dhe kanë probleme me ligjin.

Sipas Koha.net në Kosovë, në fillim të shtatorit, presidenti në mënyrë të jashtëligjshme ka firmosur dekretin nëpërmjet të cilit i vazhdohet mandati edhe për katër vjet të tjerë konsullit të përgjithshëm në Tiranë, Halim Krasniqi.

“1. Z. Halim Krasniqi riemërohet konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Tiranë, Republika e Shqipërisë.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij dekreti”, thuhet në dekretin që mban datën 4 shtator 2020”, shkruhet në dekret.

Ndërsa Presidenca nuk ka sqaruar bazën ligjore të dekretit, në Ministrinë e Jashtme i kanë thënë KOHËS se kërkesën e kanë bërë për tërheqjen e Krasniqit nga Konsullata.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, në pajtim me afatet kohore, dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi, ka përcjellë kërkesën në Presidencë për tërheqje nga misioni te konsullit të përgjithshëm, z.Halim Krasniqi. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka marrë asnjë vendim tjetër për rastin në fjalë, prandaj luteni që përgjigjet në pyetjet tuaja t’i kërkoni në Presidencë”, thuhet nga Ministria e Jashtme.

Vendimi për tërheqjen e Krasniqit ishte marrë më 30 mars të këtij viti nga ish-ministri Glauk Konjufca. Por presidenti ka refuzuar ta dekretojë tërheqjen gjatë kohës së Konjufcës, por edhe pas ardhjes së Meliza Haradinajt në krye të Ministrisë.

Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, emërimi i konsujve të përgjithshëm bëhet me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës, pas rekomandimit të ministrit të Punëve të Jashtme. Në rastin e Krasniqit, i cili është vëllai i sekretarit të Qeverisë, Fitim Krasniqi, ky rekomandim ka munguar.

“7.10. Emërimi i konsujve të përgjithshëm bëhet me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës. Rekomandimi bëhet nga ministri i Punëve të Jashtme”.

Mbështetur në ligj, të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit, që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm, shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të tij Ministria nuk ka obligim ndaj tyre.

“7.8. Të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”, shkruan në nenin.

Në përfundim të mandatit të parë, Krasniqi ishte denoncuar nga një zyrtare e Konsullatës me akuzën për sulm fizik, rast për të cilin kishte raportuar “Koha Ditore”.

Derisa MPJ nuk ka ofruar sqarime se cili ka qenë epilogu i këtij rasti, KOHA merr vesh se Komisioni për Grada dhe Disiplinë e ka mbyllur çështjen nën arsyen se ata nuk mund ta luajnë rolin e Gjykatës. Por një padi nga ish-zyrtarja e Konsullatës është ngritur edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës para pesë muajsh. KOHA ka pyetur në këtë institucion për ecurinë e rastit, por ka munguar përgjigjja.

Ligji për shërbimin e jashtëm obligon pezullimin nga puna të zyrtarit, “kur ndaj tij/saj fillon procedura për vepër penale, deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë”.
Po ashtu në nenin 6, i cili flet për “Emërimin e ambasadorëve dhe shefave të misioneve”, shkruan se “ambasadorët, konsujt e përgjithshëm dhe shefat e tjerë të misioneve nuk duhet të jenë nën hetime.

“6.1. Ambasadorët, konsujt e përgjithshëm dhe konsujt, si dhe shefat e tjerë të misioneve duhet të plotësojnë kërkesat si në vijim: a) kanë shtetësi të Kosovës; b) kanë zotësi të plotë për të vepruar; c) nuk janë dënuar për kryerje të veprës penale ose nuk janë nën hetime; d) nuk janë subjekt i masës disiplinore të largimit nga puna; e) janë në gjendje të mirë shëndetësore për të kryer detyrën”.

Halim Krasniqi ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Tiranë më 26 prill të vitit 2016, nëpërmjet një dekreti të firmosur nga presidenti Hashim Thaçi, të njëjtin muaj kur ky i fundit ishte inauguruar president i vendit. Dekreti kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, pavarësisht faktit se atëkohë nuk kishte konsullatë të formuar, ndërsa Krasniqi vepronte në kuadër të Ambasadës.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.